Kanadaja i bashkohet bojkotit diplomatik të Lojërave Olimpike të Pekinit
Kanadaja iu bashkua dje (08.12.2021) Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në lëvizjen diplomatike të bojkotit ndaj Lojërave Olimpike të Pekinit, në shenjë proteste për trajtimit që Kina i bën pakicës myslimane ujgure në provincën Xinjiang.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga shkeljet e të drejtave të njeriut prej qeverisë kineze. Kjo është arsyeja pse ne po njoftojmë sot se nuk do të dërgojmë asnjë përfaqësues diplomatik në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike në Pekin këtë dimër”, ka deklaruar kryeministri Justin Trudeau, i cituar nga Radio-Canada.
Ministrja e Sportit, Pascale St-Onge, nga ana e saj pohoi që oficerë të Policisë Federale Kanadeze do angazhohen për garantimin e sigurisë së atletëve të ekipit olimpik kanadez. Në një deklaratë për shtyp, Komiteti Olimpik Kanadez deklaroi se e respekton vendimin e qeverisë Trudeau.
Ndërkohë, partitë e opozitës në Dhomën e Komunave, Konservatorët, Blloku Québécois dhe Neodemokratët, kanë bërë të ditur se janë në favor të një bojkoti diplomatik, për shkak të gjendjes së vështirë të ujgurëve. Parlamenti kanadez madje ka miratuar vitin e kaluar edhe një mocion që denoncon “gjenocidin” ndaj ujgurëve.
Bojkoti diplomatik i Lojërave Olimpike të Pekinit u inicua të hënën (06.12.2021) nga Shtetet e Bashkuara, që deklaruan se e ndërmorën aktin për të protestuar ndaj gjenocidit mbi pakicën myslimane ujgure. Nga ana e tyre, Kryeministri Justin Trudeau dhe Ministrja e Jashtme Mélanie Joly, në deklaratat e tyre e shmangën përdorimin e këtij termi.
Vendimi i Uashingtonit u prit negativisht nga Pekini zyrtar, që ka deklaruar se do të ndërmarrë kundërmasa të forta.
Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, të paktën një milion ujgurë dhe pakica të tjera turqishtfolëse, kryesisht myslimanë, mbahen në kampe në Xinjiang. Kina akuzohet edhe për sterilizimin me forcë të grave në kampet e Xinjiang si dhe për imponimin e punës së detyruar.
©Flasshqip.ca
Foto: TVA










