Futboll, Kanadaja mund Hondurasin 2-0 dhe hedh një hap më shumë drejt Botërorit
Kanadaja ka arritur mbrëmë (27.01.2022) fitoren e pestë në turin e ndeshjeve kualifikuese për në Kampionati e ardhshëm botëror të futbollit duke mundur Hondurasin me rezultatin 2-0 dhe vazhdon kësisoj të qëndrojë në krye të grupit të tetë shteteve të Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Karaibeve. Ekipi kanadez me 5 fitore, 4 barazime dhe asnjë humbje, ndodhet në kuotën e 19 pikëve, i ndjekur nga Shtetet e Bashkuara (5-1-3, 18 pikë) dhe Meksika (5-2-2, 17 pikë).
Kanadezët kaluan në avantazh në minutën e 10-të me një autogol të Tajon Buchanan, ndërsa golin e dytë e realizoi në minutën e 73-të Jonathan David. Në takim shkëlqeu dhe portieri Milan Borjan i cili me dy ndërhyrje spektakolare evitoi dy gola të sigurtë.
“Ishte një paraqitje profesionale. Ne nuk kishim ardhur këtu për të luajtur futboll elegant. E vetmja gjë që kishte rëndësi ishte rezultati dhe ne morëm rezultatin perfekt për ekipin tone”, deklaroi në fund të takimit trajneri John Herdman

Ndërkohë po mbrëmë, Shtetet e Bashkuara fituan 1-0 ndaj Salvadorit ndërsa Meksika mposhti Xhamajkën 2-1.
Kanadaja do të përballet me amerikanët pasditen e së dielës (30 Janar) në Hamilton dhe do ta mbyllë turin kualifikues në duelin me Salvadorin, të mërkurën e ardhshme më 2 Shkurt.
Tre skuadrat e para në renditje do të kualifikohen direkt në Botërorin e FIFA-s, ndërsa skuadra që përfundon e katërta, do të përballet në një takim eliminator me një skuadër nga Oqeania për të siguruar kualifikimin për fazën finale, që do të zhvillohet në Katar në fund të këtij viti, nga 21 Nëntori deri më 18 Dhjetor.
Duket se skuadra e drejtuar nga Hederman është shumë pranë kualifikimit kësaj radhe, për të përsëritur kësisoj suksesin e vitit 1986, që është hera e vetme kur Kanadaja ka marrë pjesë në Kupën e Botës në futboll për meshkuj.
©Flasshqip.ca
Foto: AFP/Getty Images/Wendell Escoto










