Sport

KOKSH përjashton peshëngritjen nga Lojërat Mesdhetare

Kur ata kthehen në Shqipëri me medalje, pushtetarët vrapojnë ti presin krahëhapur, me flamuj e deklarata patriotike “Krenar që jemi shqiptar”. Ndërsa drejtuesit e Komiteteve ku ata bëjnë pjesë, nuk para duken ekraneve. Ndoshta për shkak të këtij diskrecioni kanë arritur t’i rezistojnë viteve në krye të njëjtat figura. Të duket sikur koha ka ndalur kur dëgjon që në kolltukët e zyrave të KOKSH tunden e rehatohen të njëjtët njerëz. Si ka mundësi? Të jëtë cështje profesionalizmi apo thjesht aftësi prej kameleoni?   

Ndoshta prandaj dhe sporti shqiptar, përparon vetëm në sajë të talenteve të lindura dhe jo atyre të kultivuara apo stimuluara nga drejtuesit. Ndoshta prandaj sporti ka shumë stagniacion për shkak të korrupsionit dhe pak mbështetje infrastrukturore ose njerëzore ndaj sportistëve.

Ditët e fundit kemi parë në media një sherr ordiner në ambientet e Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Nënpresidenti Vojo Malo ka ushtruar dhunë fizike ndaj sportistëve që guxojnë të ngrenë zërin jo për privilegje, por për të drejtën kushtetuese të informimit.

Shtangistët Erkand Qerimaj, Briken Calja dhe Daniel Godelli, kanë akuzuar KOKSH se ka lënë padrejtësisht jashtë Lojërave Mesdhetare peshëngritjen, një veprim që jo vetëm nuk është normal, por shihet si një hakmarrje e këtij institucioni për veprimet që bëri komuniteti i shtangës pasi përzuri drejtuesit e LSI-së. Madje Qerimaj, me sinqeritetin e një kampioni të fyer ka hedhur dyshime për abuzimin financiar të drejtuesve të institucionit, duke thënë se drejtuesit e KOKSH meritojnë të kalojnë së pari në Vetting.

Në fakt Qerimaj e ka mirë kur përmend vettingun. Kush i ka kontrolluar listat e personave që udhëtojnë nëpër turne aktivitetetsh sportive. Gojët e liga thonë se drejtuesit bëjnë ndere pa fund. Aq e gjatë shkon lista sa që bëhen 80 vetë, ku vetëm 5 prej tyre janë realisht sportistë.

Në bisedë me FlasShqip, Qerimaj shprehet se nesër (4 maj 2018) do të depozitojë një kërkesë-ankesë të firmosur prej 5 shtangistësh kampionë, në Ministrinë e Sporteve që të luajë edhe ky institucion rolin e tij në zgjidhjen e kësaj situate absurde. Sekretari Komitetit Olimpik bashkë me Presidentin e KOKSH, Stavri Bello, përjashtojnë pa të drejtë Peshëngritjen nga Lojrat e Mesdheut, një vendim ky i pa bazuar në asnjë ligj shqiptar dhe ndërkombëtar!  

Por sipas KOKSH përjashtimi i peshëngritjes nga Lojërat Mesdhetare vjen për shkak të rasteve të përsëritura të dopingut. 

Por kur dhe si e mori këtë vendim ky komitet, a iu bë me dije Federatës së peshëngritjes? Pse iu mbajt për më tëpër se 50 ditë i fshehtë? Pse nuk ka transparencë nga ana e KOKSH? Ku fle lepuri në gjithë këtë histori? A janë inate personale apo më thellë shkon gjithçka që po luhet në kurriz të kampionëve të vendit?

Pse nuk merret parasysh ajo që thotë Erkand Qerimaj se: “Nuk kemi faj ne pse keqmenaxhohet Federata. Ky është një sport individual, gjithkush mban përgjegjësi për analizat e veta”.

A nuk duket absurd dhe i papranueshëm ky qëndrim i KOKSH për të mos dërguar përfaqësi nga Shqipëria në Lojërat Mesdhetare të Spanjës që do të mbahen në qershor?

Po të shohim raportet e KOKSH me peshëngritësit, vërejmë se edhe vitin e kaluar nuk kanë qenë në “muaj mjalti”. KOKSH i ka injoruar dhe nuk i ka përfshirë peshëngritësit në top listën e sportistëve më të mirë. Fakt ky që duket abuziv dhe inatçor, në një vend ku peshëngritja është traditë dhe është sporti që i ka dhënë më shumë medalje dhe emër Shqipërisë në botë.

@FlasShqip.ca