Kanadezët kampionë bote në stafetën 4x100 metra

Kanadezët Aaron Brown, Jerome Blake, Brendon Rodney dhe Andre De Grasse janë shpallur dje (23.07) kampionët e botës në stafetën 4x100 metra.
Kuarteti kanadez i fitoi medaljet e arta në pistën e Kampionatit Botëror të Atletikës në Eugene, Oregon (USA), me kohën 37 sekonda 48/100, përpara amerikanëve (37,55) dhe britanikëve (37,83). Përfaqësuesit e Kanadasë, nënkampionë olimpikë në Tokio, përmirësuan dhe rekordin kombëtar.
De Grasse realizoi në 100 metrat e fundit kohën 8.79 duke konfirmuar kësisoj fitoren kanadeze. Ndërkohë, kampioni olimpik në 200 metra ishte tërhequr nga kjo garë në Eugene pasi humbi finalen e 100 metrave. Kohët e fundit ai ishte testuar dhe pozitiv me COVID-19 çka ndikoi në performancën e tij në garat individuale. “Të përfundosh kështu botërorin pas një fillimi të vështirë është fantastike”, është shprehur De Grasse pas fitores.
Kjo është ngjitja e parë e parë e Kanadasë në podiumin fitues për këtë garë, që kur Brown, Rodney dhe De Grasse fituan medaljen e bronzit bashkë me Justyn Warner në Kinë më 2015. Robert Esmie, Glenroy Gilbert, Bruny Surin dhe Donovan Bailey ishin deri dje kampionët e fundit kanadezë të botës në stafetën 4x100 metra. Ata fituan në 1995 dhe 1997, përkatësisht në Goteborg, Suedi dhe Athinë, Greqi. Ky kuartet pat fituar dhe medaljen e artë olimpike në vitin 1996, në Atlanta.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Gregory Bull/The Associated Press; Getty Images/AFP/Andrej Isakovic