Vetëm një falemnderit për ty është shumë pak Luiza Gega - Nga Adriatik Dosti

Adriatik Dosti, Michigan-SHBA
Kampione e Mesdheut vetëm pak kohë më parë në Algjeri. E pesta e Botës pak ditë më parë në Oregon të SHBA dhe kampione e Europës në Mynih të Gjermanise, sot në këtë 20 gusht të 2022, madje me rekord të ri europian, kombëtar, dominuese absolute e garës. Absolutisht atletja më e suksesshme shqiptare në historinë e atletikës sonë në të gjitha llojet e eventeve të tilla ndërkombëtare ku jemi përfaqësuar. Në podin e nderit, krahas të mrekullueshmeve ndër vite, Pavlina Evro, Marjeta Pronjari, Klodeta Gjini etj.
Kampione e Europës, kur në vendin tënd e dashur Luiza, rrumpalla politike, sociale, ekonomike, papunësia, ikja masive nga atdheu, vrasjet e krimi vazhdojnë të bëjnë kërdinë, e politikanët ende zihen si qentë e rrugës, e kur një neodiktator antishqiptar si Rama e ka zhytur atë vend e atë popull në greminë si kurrë më parë në historinë e tij. Kur shqiptarët po zënë faqet e para të lajmeve për krime e drogë kudo që shkelin e bota po na bën terbjet. Kur Kosova po ndjen si kurrë më parë, falë edhe tradhëtisë së gjakprishurve tanë, erën e luftës prej asaj Serbie të lindur kriminale. Kur tre të prezumuar agjentë sekretë rusë sulmojnë në mes të ditës një uzinë ushtarake të një vendi anëtar të NATO-s, e antishqiptari kryehorr-kryeministër na fajëson ne, që teksa bëjmë publik skandalin e rëndë, qënkemi si ata gjelat shumëngjyrësh majë plehut!? E ndërkohë, sërish nuk e ka fajin ai që i lejoi rusët me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, firmosur prej dorës së tij, që të hyjnë në Shqipëri si turistë pa vizë, por Opozita e Saliu.
Kampione e Evropës në vendin ku një tjetër sportiste e jona, e dashur Luiza, që dy muaj më parë u shpall edhe ajo kampione e Europës në peshëngritje, sot rezultoi me doping. Sa trishtim! Në vendin ku njëfarë kërme frymore, me emrin Dritan Hila, na shan e fyen ne, e merr në mbrojtje një nën-komisare policie, tashmë të pezulluar dhe nën hetim disiplinor, vetëm e vetëm se qenka e bukur e seksi, e nuk vjen era djersë, si ne që i publikuam skandalin. Në vendin ku një qelbësirë e lindur si Mero mavria, sulmon si burracakët në paçavuren e tij “Tema” avokaten e respektuar Adriana Kalaja, që s'lë rast pa ua çjerrë maskat dhe gazetaren e moderatoren e shquar, kurajoze e të guximshme Sonila Meço, pasi të dyja “me top e me kalash” na paskan kërcënuar me vrasje Byronë e sotme Politike të Edvin [Enver] Rama [ Hoxha].
Ja ky është atdheu im e i yti, e dashur Luiza, madje edhe i trajnerit tënd të mrekullueshëm e mikut tim të mire, Taulant Stërmasi, bashkëudhëtarit të sukseseve të tua të jashtëzakonshme, sidomos në vitin që jemi e që po përcjellim.
Dhe ti Luiza, vazhdon e bën sport, vazhdon e vrapon, si një Maratonomake e jashtëzakoneshme e jona, duke i thënë botës mbarë: heeeejjjj, ka edhe shqiptarë të tillë, madje shumë herë më të mirë se sa ju! Dhe ti vazhdon vrapon e rend, pa u ndalur, duke përfaqësuar ende Shqipërinë tënde e tonën bashkë, ani pse është i vetmi vend në Europë, ende pa një pistë atletike olimpike!?
Ndaj tek të pashë sot, që pas përfundimit të garës, rekordit të ri europian, medaljes së artë, gëzimit tënd të ligjshëm, krenarisë legjitime, ti rrëmbeve flamurin kombëtar të Shqipërisë sonë me një mijë e një halle dhe derdhe lotë gëzimi e krenarie kombëtare, duke na ndezur zemrat si kurrë më parë të gjithëve ne vëllezërve e motrave të tua të të njëjtit gjak në mbarë botën, nga shpirti e nga zemra më dolen fjalët dhe urimi: Ti meriton shumë herë më tepër se një falemnderit, ti meriton respektin e mirënjohjen tonë pa kufi, për atë ç'ka ke bërë e po bën për atdheun tënd e tonin bashkë, por edhe për veten tënde! Krenarë për ty Luiza Gega!
©Adriatik Dosti
Foto: Reuters