Sport

Kush është Luiza Gega? - Nga Sebastian Zonja

Sebastian Zonja

E lindur në Bulqizë më 5 nëntor 1988, Luiza është e dyta e 5 fëmijëve (4 vajza dhe 1 djalë) të familjes Gega, që në vitin 1990 zhvendoset në qytetin bregdetar të Durrësit. Asnjë prej prindërve nuk është marrë me sport, por në garat mes vajzave në shkollë në orën e fizkulturës, Luiza e klasës së pestë dilte e para, duke ia kaluar edhe shoqeve të motrës së saj më të madhe, që ishin në klasë të shtatë.

Luiza është akoma e vogël, jeton në Durrës me familjen dhe në Tiranë, te Liqeni, zhvillohet krosi kombëtar i distancës 3 kilometra. Për herë të parë merr pjesë në një garë atletike dhe me vetëm 4 muaj stërvitje me klubin “Teuta” shpallet fituese e këtij krosi për të rinj në nivel kombëtar. Nuk ka më kthim mbrapa. Vajza është e talentuar dhe drejtimi që duhet të marrë bëhet më i qartë.

Shkollë apo jo, mall për shtëpinë dhe familjen apo jo, trajneri Stërmasi atletes së re ia bën të qartë se rezultatet kërkojnë punë dhe sakrifica. Gjen terren të përshtatshëm pasi Luizës nuk i mungon ambicia dhe këmbëngulja. Vitet që pasojnë sjellin rezultatet e synuara.

Luiza Gega është rekordmene e Shqipërisë në 800 metra, 1500 metra, 3000 metra, 3000 metra me pengesa, 5000 metra, 10,000 metra, 20 kilometra dhe në maratonë. Rekordet e para mbaheshin nga Pavlina Evro dhe nuk thyheshin prej më shumë se 20 vjetësh. Nga rekordet e Luizës vetëm ai i 10,000 metrave është thyer në Shqipëri, të gjithë të tjerët në gara jashtë vendit.

Grumbullimet e shpeshta brenda dhe jashtë vendit bëjnë që rrjedhimisht Luiza të jetojë një jetë larg familjes, ku i duhet të përballojë vetë si vetminë, si sakrificën, si sforcimet, si triumfet ashtu edhe dështimet.

“Patjetër që është e vështirë. Sidomos psikologjikisht. Sot mund të them që nuk kam shoqëri. Në shoqëri duhet të jesh e pranishme në raste të mira, ashtu edhe të vështira. Por unë jam larg pjesën më të madhe të kohës. Sa në Korçë sa në Afrikë. Ato pak ditë të lira që kam mezi pres të kthehem në Durrës e të rri me njerëzit e mi.”

Luiza i tha këto gjëra për jetën e saj në një intervistë në tetor të vitit 2020.

Ajo u shpall kampione e Evropës duke vendosur rekord në garën e 3000 metrave me pengesa.

Krenari kombëtare!

©Sebastian Zonja

Foto: PA/EPA/Ronald Wittek