“Tredhëmbëshi” europian përballë Brazilit - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
Edhe pse i ftohti ka filluar dhe pas tre ditësh hyjmë edhe “zyrtarisht” në klimën e ftohtë të dimrit, emocionet e forta që vijnë nga Katari po na e ngrohin atmosferën për ta përballuar të ftohtin edhe në mungesë të gazit që vjen nga rubinetat ruse. Futbolli si një sport që i bashkon njerëzit në të gjithë botën, po na shfaqet si një kartolinë e bukur urimi, pas dy vitesh izolim nga Covid. Surprizat nuk kanë munguar që në start.

Gjermania e madhe e futbollit me katër trofe të fituara, tani e sheh veten me një këmbë jashtë Botërorit dhe do të duhet një mrekulli sot përballë Spanjës për të vazhduar garën. Ky start i dobët i saj më kujton Gjermaninë e vitit 1982 kur u mund nga Algjeria 2-1 në ndeshjet e grupit dhe më pas edhe me ndihmën e “kushërinjve” austriakë, mundi të shkonte deri në finale ku u shkërmoq nga Italia e Paolo Rossi-t. Austriakët me lojtarin e madh Schachner (Shahner që shënoi një super gol edhe në Tiranë në portën e mbrojtur nga Perlat Musta), u bënë atëhere një nder gjermanëve pasi ishin në pozita komode me 6 pikë dhe e kishin siguruar kualifikimin.
Në pozita jo komode ndodhet edhe Argjentina pas humbjes turpëruese përballë Arabisë Saudite, por magjia e Messi-t përballë Meksikës, i dha një shtysë të fortë. Gjithsesi Argjentina e sotme (megjithëse në futboll nuk mungojnë surprizat) nuk duket se do shkojë larg. Nga ajo çfarë kemi parë deri tani, tre janë ekipet europiane që do të mund të përballën, madje edhe të trifumfojnë përballë Brazilit, që është sipas gjithë ekspertëve kandidati potencial për të fituar trofeun e artë.
Ato janë: Spanja e një gjenerate të re që u kristalizua që në europianin anglez por që u eleminua nga ruleta e penalltive, Franca e magjistarit Mbappe që po hipnotizon botën futbollistike dhe portierët kundërshtarë me magjinë e tij dhe anglezët e Gareth Southgate, traineerit që ka ndërtuar një ekip me mentalitet fitues. Gjithsesi emocionet e forta dhe surprizat do na mbajnë të mbërthyer para ekraneve me adrenalinë të rritur edhe në 20 ditët e ardhshme.

Sistemi VAR që me vështirësi u pranua, po e ndryshon botën futbollistike. Penallti të fituara, gola të anulluar e kartona për ndërhyrje që nuk shihen nga arbitri, i korrekton sistemi VAR që gjithsesi nuk është perfekt. Kuptohet jo sistemi, por ata që e mbkëqyrin atë. Kam parasysh dy penallti të munguara për Kanadanë në ndeshjen me Belgjikën. Nëse VAR do fuksiononte edhe më parë, fati i kupave të arta do ishte ndryshe. Me siguri nuk do kishim Gjermaninë kampione në 1974, po Hollandën e Krojfit. Dhe as Argjentinë në 1978. Madje Argjentina e 1978 nuk do ishte as në finale. Por le të kthehemi te trofeu i sotëm.
A do mundet “tredhëmbëshi” europian Spanjë, Francë, Angli të mposhtë Brazilin? Të shohim…
©Ilir Gjini










