Sport

FSHF dhe metamorfoza e infrastrukturës së futbollit

16 vite më parë Shqipëria ishte praktikisht vendi me infrastrukturën më të dobët jo vetëm në Europë. Stadiumet ishin pothuaj të amortiëzuara, ndërkohë që terrenet sportive si nëpër impiante ashtu dhe për stërvitje ishin të denja për shprehjen “nuk shiheshin me sy”. “Qemal Stafa” u ishte nënshtruar disa herë rikonstruksioneve modeste, por drejtuesit e UEFA-s dhe skuadrat kundërshtare kishin gjithnjë ankesa dhe nëse aty luheshin sfidat ndërkombëtare kjo më shumë ndodhte sepse ndërkombëtarët toleronin federatën dhe përfaqësimin e Shqipërisë. Në këto 16 vjet gjithçka është tjetërsuar. Fillimisht u bënë thuajse nga e para të gjithë fushat e stadiumeve dhe, dalëngadalë, me projekte të iniciuara nga FSHF dhe me partnerë pushtetin lokal ose vendor, UEFA-n dhe FIFA-n filluan të ndërtoheshin fushat dhe komplekset stërvitore. Puna e federatës në këtë drejtim ka qenë e shkëlqyer. Ata garantonin gjithnjë cilësi dhe korrektësi me partnerët, teksa UEFA e ka konsideruar gjithnjë zhvillimin e Shqipërisë në këtë sektor si një nga ato gjëra që nuk i kanë bërë shumë federata të tjera.

Pas rikonstriksionit të plotë të fushave të stadiumeve dhe fushave stërvitore u erdhi radha impianteve. Stadium “Selman Stërmasi”, që i ngjante një gërmadhe, tani është një impiant që të ofron komoditet. Klubi Tirana dhe federata bashkëpunuan për ta shndërruar në një të tillë të vlefshëm madje dhe për ndeshje ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhë janë bërë investime të plota ose të pjesshme në qytete të ndryshme, në stadiumet e Laçit, Durrësit, Fierit, Gjirokastrës, Beratit, për të mos përmendur që tapetet e blerta janë rinovuar të paktën 2-3 herë në çdo stadium. Të gjitha skuadrat që luajnë sot në Kategorinë Superiore kanë stadiume më shumë se të pranueshme dhe kudo investimi i federatës ka qenë nëpër fusha, tribuna e madje deri tek impiantet e ndriçimit. Në 4 vitet e fundit ka pasur rikonstruksione në stadiumin “Luftëtari”, në stadiumin e Kamzës, Durrësit, Ballshit e Lushnjës.

Shqipëria sot ka dy stadiume që plotësojnë kriteret për të luajtur ndeshje ndërkombëtare në grupet e Champions Ligës, shkalla më e lartë e licencimit të një stadiumi në arenën ndërkombëtare. Të dy këto stadiume, si i Elbasanit ashtu dhe i Shkodrës, janë bërë në bashkëpunim me qeverinë në harkun e këtyre 4 viteve. Në rajon vështirë të gjesh stadiume të reja, ndërkohë që “Arena Kombëtare”, një stadium i ri në kryeqytet, do jetë një nga më modernët në Ballkan. Punimet kanë nisur prej kohës dhe pritet që në harkun e 12 muajve të ketë përfunduar dhe të bëhet përurimi. Stadium i ri do ketë 17 mijë vende dhe do jetë totalisht i mbuluar, madje pa pistë, një stadium i denjë për t’u luajtur edhe Superkupa e Europës.

Marrë nga SUPERSPORT