Sport

Ervin Baku: Ky nuk është sport, ky nuk është futboll!

Nga: Ervin Baku

Të mërkurën u mbyll kampionati i Kategorisë Superiore në futboll. Skënderbeu e dominoi garën, nga fillimi deri në fund, dhe e meritoi plotësisht titullin kampion. Kukësi, Luftëtari dhe Laçi, në Europë. Me meritë të plotë. Vllaznia dhe Lushnja, në Kategorinë e Parë. Klasifikim i drejtë? PO!

E megjithatë, ka diçka të madhe që nuk shkon! ! Ajo që ndodhi javën e fundit në Korçë dhe Tiranë ishte gjithçka. Fair Play? JO! Por nuk mund të ndalem me kaq.

Ajo që ndodhi javën e fundit në Korçë dhe Tiranë ishte shumë e shëmtuar! Ajo që ndodhi javën e fundit në Korçë dhe Tiranë ishte shumë e turpshme! Ajo që ndodhi në Korçë dhe Tiranë ishte në sintoni të plotë me ato që ndodhën këto javët e fundit. Ku vetëm futboll nuk u luajt. U luajt teatër dhe estradë. Në sytë e të gjithëve. Transmetuar me zë dhe me figurë. Transmetuar drejtpërdrejt në televizione. Edhe në atë publik.

Atëherë, përderisa klasifikimi në fund të kampionatit është i drejtë, përderisa skuadrat morën në Maj atë që dhanë gjatë nëntë muajve, kujt i shërben estrada dhe teatri??? Futbollit? JO!

Kujt i shërbejnë shfaqjet e turpshme dhe të shëmtuara??? Futbollit? JO!

Ato prishin ndjeshëm imazhin e futbollit tonë. Edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Ato boshatisin edhe më shumë shkallët e stadiumeve.F

“Në këtë kampionat, ka pasur gjëra që më kanë pëlqyer dhe që nuk më kanë pëlqyer”, deklaroi Armand Duka, President i FSHF-së, spektator në teatrin e Korçës. Këtu më rri President. Tek ato që nuk të kanë pëlqyer.

Estrada, teatri dhe skeçet e javëve të fundit e dëmtojnë shumë imazhin e futbollit tonë President. E dëmtojnë rëndë edhe imazhin tënd dhe të institucionit që ti drejton. Ndaj, detyrimisht i duhet dhënë fund, një sekondë e më parë, këtyre shfaqjeve të turpshme dhe të shëmtuara. Që janë gjithçka, vetëm futboll jo.

President, krijo Ligën. Vetëm ky është shpëtimi. Futja këmbët në një këpucë presidentëve të klubeve që të merren vesh. Dhe të krijojnë Ligën. Presidentët e klubeve të zerojnë aleancat dhe të luajnë futboll. Të vërtetë.

Në Gusht, të nisë një erë e re. Një erë e vërtetë. Boll më! Se lamë nam! U bë baltë! I shkruajta këto radhë, sepse e dua futbollin. Të bukur. Të vërtetë.

Ta mbrojmë të gjithë produktin tonë të mirë!