Sport

Admir Mehmedi i jep fund karrierës si futbollist profesionist - Nga Enver Robelli

Gostivar, Zürich, Kiev, Leverkusen, Wolfsburg, Antalyaspor…

Çfarë mbetet në fund të një karriere në fushën e blertë, janë kujtimet, çastet e paharrueshme, gëzimet, triumfi dhe ndonjë dëshpërim i pashmangshëm. Pas 76 ndeshjeve për kombëtaren e Zvicrës, Admir Mehmedi, i lindur më 1991 në Gostivar, njoftoi se ka marrë vendim t'i jap fund karrierës së tij si futbollist profesionist. Në mesin e lojtarëve shqiptarë të Zvicrës, Mehmedi ishte ndoshta më i heshturi, por jo për nga cilësia. Në vitin 2014 mori pjesë në Kampionatin Botëror të Futbollit në Brazil. Në ndeshjen e Zvicrës kundër Ekuadorit barazoi rezultatin 1:1 në minutën e 48-të. Në ndeshjen dramatike kundër Argjentinës (e teta e finales) Mehmedi ishte në ekipin startues. Në minutën e 116-të u zëvendësua nga Blerim Xhemaili.

Karrierën e filloi në FC Winterthur dhe e vazhdoi në FC Zürich (2007-2011), Dinamo Kiev (2012-2013), SC Freiburg (2013-2015), Bayer Leverkusen (2015-2018), VfL Wolfsburg (2018-2022), Antalyaspor (2022-2023).

Njëra ndër historinë më të bukura nga fillet e karrierës së Admir Mehmedit është kjo: babai i tij, ekonomist me profesion, ishte i shtyrë të kryejë punë jo aq prestigjioze në Zvicër - në bujqësi, në gastronomi dhe si pizza-pjekës. Familja duhej të kursente gati çdo frangë për të (mbi)jetuar në Zvicër. Babai i tij s'kishte mjaft mjete financiare për të paguar anëtarësinë vjetore të Admirit në klubin lokal futbollistik (bëhej fjalë për 100 franga). Sipas mediave zvicerane ishte vëllai i Admirit, i cili ia falsifikoi nënshkrimin babait në mënyrë që Admiri të nisë trajnimin në FC Bellinzona në Zvicrën italiane. Më vonë familja u vendos në Winterthur në Zvicrën gjermane.

Admir Mehmedi ka paralajmëruar se një ditë do të kthehet pranë fushës së gjelbër - si trajner.

…dhe një histori me Admir Mehmedin e me vëllain e tij

Arsim Mehmedi është vëllai i madh i futbollistit Admir Mehmedi, i cili i dha fund karrierës së tij aktive. Kur Zvicra luajti kundër Shqipërisë në Kampionatin Europian të Futbollit në Lens më 2016, Arsimi ishte në stadium. Kur Zvicra luajti kundër Rumanisë, ai s’ishte në stadium, sepse duhej të punonte si shofer i autobusit urban në Winterthur afër Zürichut. Ndërsa në Francë po zhvillohej ndeshja kundër rumunëve, në Winterthur Arsimi po drejtonte autobusin. Dhe njëkohësisht ndiqte ndeshjen përmes radios dhe telefonit celular. Kur Admir Mehmedi barazoi rezultatin 1:1, Arsimi filloi të brohorasë me krejt zërin që kishte. Njerëzit në autobus mbetën gojëhapur dhe të habitur. Dikush e pyeti Arsimin se çfarë ndodhi. Arsimi u tregoi udhëtarëve se ishte vëllai i Admirit, i cili sapo kishte shënuar për Zvicrën. Pastaj gëzimit të Arsimit iu bashkuan edhe udhëtarët në autobus. Për këtë ngjarje më 2016 patën raportuar edhe mediat zvicerane.

© Enver Robelli

Foto: Blick