Opinione

Televizioni, "adoleshenti" që po ngul thika mbi trupin e shoqërisë - Nga Alfons Zeneli

(Në Ditën Ndërkombëtare të Televizionit)

Televizioni është malli më i lakmuar i nJë shoqërie boshe siç është me kohë të plotë shoqëria shqiptare. Sepse zbrazëtia shpirtërore është e lidhur ngushtë me të jashtmen. Leximi vs grim, dituria vs botox, truri vs cica. Ky është konflikti në ringun e shoqërisë tonë, kjo është ndeshja e përditshme të cilën e fitojnë gjithmonë grimi, botox-i dhe cicat. Kjo për meritë të padiskutueshme edhe të Televizionit si institucion.

Media, ku përfshihet dhe Televizioni, e ka për detyrim ligjor dhe moral që të luajë rol edukues, por siç e dimë dhe e shohim çdo çast, ai luan rol të kundërt i patrazuar nga askush. Përse? Sepse shteti është në të njëjtën frekuencë antiestetike dhe antivlere. Sepse kryeministri është fans dhe promovues i Noizit, sepse Noizi shfaqet në tekste shkollorë si idhull, sepse tekset e këngëve të tij janë reklamë dhe inspirim për dhunë, armë zjarri e të ftohta, kokainë. Sepse një prej prezantueseve më në zë të ekranit shqiptar deklaron: "kur isha e adoleshente u magjepsa nga brekushet e guximshme dhe çorapet vezulluese të kryeministrit". Sepse nëpër spektaklet e televizioneve kombëtarë çdo analfabet i zhveshur cullak popmpohet si VIP dhe i serviret si shembull rinisë. Sepse pronarët e mediave vizive nuk kanë ndonjë ndryshim esencial nga "VIP"-at e prodhuar kuplarave degraduese që ata financojnë. Sepse titujt e kronikave kulturore artistike nuk shkojnë dot përtej sensacioneve antiart e antikulturë të tipit "Këngëtarja X çmend publikun me të brendshmet e saj", apo "Këngëtarja Y del në skenë pa të brendshme".

Kështu këto media injektojnë idenë se kënga si art është në fakt një garë resursesh truporë duke instaluar në psikikën e rinisë një sistem vlerash mbi baza nudokratike. Dhe pasojat e një apokalipsi të tillë të shkaktuar me dashje artificialish janë të dukshme. Therja për vdekje e 14 vjeçarit është pasojë e këtij apokalipsi mbi vlerat. A e patë dhe videon e atij të riut në TikTok që ishte frymëzuar nga akti "heroik" i vrasësit? A e vutë re pasionin e tij shtazarak për ngulje thikash? Ishte identik me tekstet e këngëve të Noizit, VIPI-it të preferuar të qeverisë.

Në lokalin e lagjes ku pi kafe, çdo orë 12 vijnë rreth 30 nxënës të një shkolle. Shumica 14 vjeçarë. Të gjithë (90%) konsumojnë duhan. Vajzat edhe më keq akoma. Në 10 fjali të vajzave, 8 fjali shoqërohen nga shprehja "me rob shpie" dhe me fjalë të tjera me të njëjtën valencë. Ndërsa djemtë të gjithë të veshur stil reperash, 10/10 fjali i shoqërojnë me "trimëri" me shprehjen "nuk e çaj k..in". Sigurisht në prani të vajzave. Deri në orën 15.00 kryejnë të njëjtin ritual. Përditë. Nuk i kam dëgjuar KURRË të bisedojnë për ndonjë libër. Para pak minutash, njëra nga vajzat kërceu me vrull mbi mbështetësen e kolltukut dhe zgjati rrëmbimshëm dy pëllëmbët e duarve drejt shoqeve dhe shokëve. Mendova mos Noizi ka hedhur në treg ndonjë model të ri trendy përshëndetjeje. Por jo. Iu tregoi manikyrën e re mbi thonj. Të gjithë spektatorët ulëritën duke shfryrë dhe tymin e cigareve. Imagjinojini kur të bëhen 20-25 vjeçarë, apo kur të bëhen prindër.

Televizioni (televizionet shqiptarë) kanë meritën kryesore në ndërtimin e një ngrehine të tillë të pistë e të shëmtuar. Por edhe Televizioni si institucion është produkt i po kësaj shoqërie. Shoqëria e prodhon, e klikon, e mban gjallë. Televizioni e ushqen me atë lloj malli toksik e narkotik i cili e lidh edhe më shumë me Televizionin. Dhe kështu gjendemi në një spirale tragjike e cila na mban të pashpresë në ketë ngecje fatale ku truri është në vend të cicave dhe cicat në vend të truve.

Televizioni është "adoleshenti" që po ngul thika mbi trupin e shoqërisë.

© Alfons Zeneli