Plehrat, ç'kanë e ç'duhet bërë - Nga Saimir Lolja
- Nga: Saimir Lolja - Toronto
Kafshëve nuk u bëjnë përshtypje plehrat që ndeshin apo mbeturinat e vetvetes dhe ku i lëshojnë. Trajtimi i plehrave është shenja e parë e të qënit njeri dhe jo kafshë. Qytetërim dhe qytetari nuk ka pa grumbullim-përpunimin e duhur të plehrave. Çështja e plehrave ësht përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë qendrore dhe bashkive të qyteteve apo fshatrave. Ftohësit dhe filtrat e ajrit nuk i mbrojnë speciet e këshilltarëve bashkiakë, qeveritarëve dhe anëtareve të Kuvendit nga substancat kimike dhe biologjike të padukshme në ajrin e ndotur të ardhur nga kazanët e pështirë të plehrave, nga pirgjet e hedhurinave të grumbulluara dhe djegia e tyre.
A u mendua pasoja e krijimit të vargmaleve të plehrave për shkak të pritjes të 12 milion turistëve në vit? A u mendua përballimi me ujë të pijshëm, energji elektrike dhe lugje shkarkimi të ujrave të zeza për këta miliona turistë? Ndërkohë që këta kushte nuk janë plotësuar për popullatën vendase. A është menduar se si a sa plehra do grumbullohen nga kullat qiellore që po ndërtohen në Tiranë? A kryhet ndarja e plehrave të grumbulluara sipas llojeve në organike, plastike, qelqore, kimike, letrore, industriale, ndërtimore? Arrihet të dihet apo kuptohet prej levantinëve në vendet e prapambetura ose ku dëshirohet zhvillim se çfarë prodhohet në uzinat e djegies së plehrave? Kush i merr vendimet për grumbullim-përpunimin e mbeturinave dhe si?
Sipas dokumentit të quajtur Plani Shtetëror i Veprimeve për Mjedisin miratuar më 2002, politika e qeverisë shqiptare në lidhje me trajtimin e plehrave qytetëse mbështetet tek mbulimi i plehrave me dhe. Në pikën lidhur me investimet përparësore parashikohet: “...Ndërtimi i vendmbulimeve sanitare të hedhurinave në radhë të parë për ata qytete për të cilët tashmë janë përgatitur studimet dhe projektet përkatëse (Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Pogradec, Korçë), si dhe për qytetet Tiranë-Durrës.” A mjafton kaq?
Në anën tjetër, uzinat e djegies (shkrumbimit) të plehrave mund të ndeshen në vende me shtet të qëndisur mirë ose në vende ku sipërfaqja e tokës është e pakët. Edhe në raste të tilla, hiri i dalur nga djegia mbartet në vendmbulime rreptësisht higjienike. Shkrumbuesit janë shumë të kushtueshëm dhe është e vështirë për t’i mirëmbajtur. Ata janë shumë të vështirë për t’u mbajtur të punojnë kimikisht sipas projektit dhe kërkojnë kimistë e inxhinierë kimistë cilësorë dhe të përkushtuar, aparatura të shtrenjta dhe kushte kimike të rrepta. Të aftë dhe të paepur nevojiten të jenë edhe drejtuesit e këtyre uzinave kimike sepse, p.sh., parandarja dhe përmbajtja e plehrave të marra duhet të mbahet siç është paracaktuar; ashtu siç ndodh që një rafineri nafte ndërtohet të punojë vetëm për një lloj të paracaktuar nafte. Prandaj, arsyet që i përjashtojnë uzinat kimike të djegies së plehrave në trojet shqiptare përmblidhen më poshtë:
1) Përmbajtja më e lartë e lagështisë 40-70%, kundrejt 20-25% në vendet e industrializuara. E megjithatë, ashtu si qymyret, plehrat vetëdigjen për shkak të reaksioneve kimike të gjithfarllojshme të cilët lirojnë nxehtësi. Për shkak se plehrat përmbajnë lëndë të gaztë, të lëngët, të ngurtë, nxehtësia e vetëkrijuar nuk i përçohet shpejt ambientit dhe si rrjedhim plehrat nxehen më shumë dhe vetëdigjen akoma më shumë. Të gjithë këto reaksione kimike e biokimike shpejtohen dhe shpeshtohen veçanërisht në kushtet e motit të ngrohtë/nxehtë në Shqipëri.
2) Pjesa e lëndëve inerte është 20-40% në rastet kur plehrat hidhen në dhera të hapura, kurse në vendet e industrializuara kjo përmbajtje luhatet 10-15%. Kjo shkakton mos djegie të plotë tek djegësi.
3) Kimikate shumë të rrezikshme, p.sh., dioksinat (duke nënkuptuar dibenzodioksinat në 75 forma të ndryshme molekulare) dhe furanet (duke nënkuptuar dibenzofuranet në 135 forma molekulare) lirohen gjatë djegies së plehrave. Kufiri i lejuar i shkarkimeve të këtyre kimikateve i përcaktuar, p.sh., nga rregulloret suedeze është 0.1 mg/nm3 (ose e thënë ndryshe, një gjilpërë e fshehur në një tren të ngarkuar me kashtë më se 100’000 km të gjatë).
4) Meqenëse plehrat kimikisht nuk përmbajnë vetëm karbon dhe hidrogjen, edhe në rastet e djegies shumë të mirë të tyre tymrat e djegies do të kenë avuj, grimca dhe gazra kimike shumë reagues dhe helmues si, bie fjala, NOx, okside të kimikateve mbushës të plastikave (më të zakonshmet janë kripërat e plumbit), okside të metaleve të lehta dhe të rënda që kanë qenë pjesë e hedhurinave, substanca organike dhe joorganike pjesërisht të oksiduara, etj.
5) Në tymrat acidë dhe bazikë të djegësve do jenë gjithfarllojet e substancave kimike të oksiduara dhe oksidet e metaleve të rënda që kanë qenë pjesë e bojërave të paketimeve dhe mbeturinave shtëpiake. Një shembull: për shkak të mendje-ngushtësisë fillestare shkencore lëngu i katër-etilit të plumbit Pb(C2H5)4 filloi para 100 vitesh të përdorej si shtesë për të rritur shkallën e djegies së benzinës në motorra. Lufta e Dytë Botërore e shtoi kërkesën për të. Më vonë vendim-marrësit të cilët thithnin të njëjtin ajër pranuan të dëgjonin se plumbi në ajër është të paktën 100 herë më i rrezikshëm sesa kur është si lëng Pb(C2H5)4. Veç dëmit në mushkëri e gjak, jonet e plumbit ngecin në tru dhe dëmtojnë sistemin nervor qendror në mënyrë të pashërueshme. Prandaj para 40 vitesh filloi moslejimi i shitjes së benzinës të pasuruar me plumb.
6) Paramendoni se në plehra janë të pranishëm gjithë llojet e mundshme të kimikateve, të reaksioneve kimike dhe biokimike, gjallesave të vogla, krimbave të frikshëm, mushkonjave, mizave dhe grenxave Për shembull, aty ka rroba pambuku e sintetike, këpucë të vjetra e plastika të cilat përmbajnë polimerë kimikë me karbon, klor, squfur, grupin mjaft helmues cianur (-CN), etj. Në kushtet e vetëdjegies në pirgjet e hedhurinave dhe të djegies në uzinat shkrumbuese krijohet gazi pa ngjyrë, lënda helmuese luftarake, fozgeni COCl2 i cili nuk shkatërrohet edhe nga temperatura 1200oC e djegies në vatrat shkrumbuese. Në anën tjetër, fozgeni i gjendur me plehrat e mbuluara me dhe, në prani të ujit, zbërthehet dhe asnjëanësohet nga toka.
7) Ç’bëhet me mbeturinat spitalore? Djegia e tyre është jashtëzakonisht helmuese. Ku shkojnë mbeturinat e farmacive apo spitaleve të vogla? Tek plehrat e qytetit, qoftë fshehtas.
ZGJIDHJA - Plehrat futen në dhe për t’ia lënë natyrës t’i tresë. Mjafton të kujtohen varrezat njerëzore ku çdo gjë e futur në dhe (trup, veshje pambuku dhe sintetike, metal, dru, qelq e metal) tretet. Prandaj, së pari, plehrat parandahen në lëndë të riqarkullueshme, të ripërdorshme. Pjesa e mbetur futet në tokë; dhe jo thjesht duke e bërë pirg dhe mbuluar me dhe sepse ashtu shkaktohet vetëdjegie. Në fillim hapet një gropë e madhe ku vendosen me radhë: shtresa argjilore e ngjeshur, cipa e polietilenit, pëlhura e papërshkueshme që mbron ujërat nëntoksorë, zhavorri i imët dhe një shtresë e trashë dheu. Nga këtu fillon krijimi i shtresave të mbuluara të plehrave. Tek zhavorri vendosen tubat që kapin lëngjet kimike dhe biokimike të kulluar nga lart. Tubat në shtresat e plehrave të mbuluara kapin metanin CH4 e prodhuar nga fermentimet. Lëngjet e kulluar ose lihen të oksidohen nga ajri e dielli ose asnjëanësohen me gëlqere kurse metani digjet për të prodhuar energji elektrike.
© Saimir Lolja - Toronto












