Opinione

Nga letërsia rozë e verës te çanta e memecit

Nga: Mimoza Kuchly

“Nuk e heq nga kurrizi, çantën e memecit ime bijë, si dje kur ishte çupë edhe sot …”. Ky është refreni i mamit sa herë ma sheh në kurriz. Dikur, nuk e di në ç’qytet, na paskësh qenë një person me probleme të të folurit (ndryshe memec), i cili njihej nga të gjithë, për çantën e tij në kurriz, “edhe time bijë, kështu do e njohin…”.

Nejse, mua më ka zgjidhur punë se e kam “zyrën time kurrizore”. Ka tre ndarje të cilat më kanë lehtësuar organizmin. Në ndarjen e parë vendos letërsinë franceze, autorët që i përshtaten humorit të ditës ose udhëtimit të javës; në ndarjen e dytë letërsia shqipe, prozë ose studime rreth gjuhës dhe letërsisë, këto të fundit janë më tepër nga studiuesit “e vjetër” apo pedagogët e mi; ndërsa në ndarjen e tretë blloku i shënimeve dhe një tufë me lapsa e stilolapsa që i përdor sipas “ngacmimit” në përzgjedhjen e ngjyrave.

Para pak ditësh u ktheva nga Shqipëria ku kalova disa ditë pushime, dhe si gjithmonë, me vepra të autorëve shqiptarë për të rritur dhe fëmijë, si edhe shqipërime (këto të këshilluara nga miq ose tituj të vjetër të cilët kanë lënë gjurmë në kujtesën time). Tani do të rinisem përsëri me pushime dhe më duhet të bëj përzgjedhjen e letërsisë ose më saktë të autorëve. Duke qenë se udhëtimet do jenë jashtë Shqipërie, natyrisht që nuk mund të gjejë librari me vepra të autorëve shqiptarë në shqip dhe aq më tëpër në bibliotekë. Më kujtohet, kur “atëherë”, kalonim pushimet në Kavalishencë Durrës, kishte një bibliotekë dhe nuk kisha nevojë të sillja libra nga shtëpia, dhe zonja e bibliotekës sipas buzëqehjes së ditës këshillonte edhe leximet, të cilat i përpija më shpejt se akulloret që shpesh edhe shkrinin nga hutimi. Këtë herë ditëve që kalova aty, nuk guxoja të pyesja dhe saktësisht nuk e di nëse ka ende bibliotekë apo ajo, por gjurmët e saj nuk i ndesha askund. I vetmi “librashitës” në plazh ishte “tellalli” si thuhej dikur; “Erdhi Noçja, blini gazetën … “, thërriste titujt, të cilët djali im i mësonte përmendësh dhe i përsëriste gjithë kohës deri në titujt e rinj të ditës tjetër.

Që kur rrjetet sociale janë bërë më të shpeshtë në kohën që na marrin, dhe është e vështirë t’u shpëtosh, kam bërë një ndarje në përzgjedhjen e autorëve e sidomos ata të verës.

Në grupin e parë, hyjnë miqtë virtualë, të cilët gjatë këtyre kohëve i kam njohur në rrjetet sociale dhe kam lexuar pjesëza nga shkrimet apo komentet e tyre. Do të përmendja Arlinda Guman me “Bulevardi i yjeve” të cilin momentalisht nuk arrita ta gjej në librari, Eris Rusi me “Ëndrra e fundit e natës”, "Kufiri" nga Latif Ajrullai, Ilir Magjistari dhe “Nata si e Dekameronit”,  "Dashuri e Vonuar" nga Liri Bele, Xhevat Mustafa dhe “Polakja”, “Qyteti plak” nga Saimir Muzhaka e të tjerë që ndoshta për momentin nuk arrij t’i kujtoj.

Në kategorinë e dytë hyjnë autorët të cilët më kanë mbetur në mendje për mënyrën e tyre të të shkruarit dhe njohjen e gjuhës shqipe si “Fjala e Fundit e Sokrat Bubës” të Thanas Mediut, “Dashuri në Sinangogë” të Fitim Caushit, “Mallkimi i priftëreshave” të Mira Meksit, “Hana” e Elvira Dones, “Vajzat e ballkonit” dhe “Kur dhimbja premton dashuri” nga Edmond Tupja, “Kthimi” të Albatros Rexhaj, “Puthësi i paligjshëm” Azem Deliut, “Këpucët e kaltrinës” nga Petrit Palushi, “Dueli” i Agron Tufës, Mitrush Kuteli në gjithë veprën e tij.

Në grupin e tretë, hyjnë autorë të cilët të ngacmojnë, jo vetëm përtej imagjinatës, por edhe të japin ndjesinë e të qënit “e dashura” e veçantë e tyre. Autorë që ke dëshirë t’i lexosh e çdo herë t’i kuptosh më thellë. Ende nuk është shterur burimi i Kadaresë së madh, autor që shpesh e ofroj dhuratë edhe në Francë, miqve që janë gjithmonë kureshtarë rreth Shqipërisë; Vedat Kokona, Martin Camaj. Ajo që u këshillohet në përgjithësi lexuesve gjatë verës, ose ndoshta më është ngulitur mua në mendje, është letërsia rozë. Njeriu, bregut të detit apo edhe peizazheve malore, vetëm apo i shoqëruar, dëshiron të hidhet në krahët e aventurës, qoftë kjo psikologjike apo fizike dhe katalizatori më i përshtatshëm natyrisht që është një libër, i cili të hedh në krahët e optimizmit, pozitivitetit, dëshirës dhe pse jo aventurës. Në “çantën e memecit”, ka edhe një xhep të vogël për shpirtrat aventuresk, që deri tani, nuk kam mundur ta gjej në shqip. Ju kë do të përzgjidhnit?

©Flasshqip.ca