Opinione

‘Dimri i vetmisë’ i Ramush Haradinajt

Nga:  Nuhi Shala
Tash e disa muaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është gjetur mes përplasjeve të shumta jo vetëm politike.

Në shumë procese – disa të trashëguara e të tjera të hapura nga vet ai – Haradinaj është duke provuar ta krijojë një vulë të tij dhe po pretendon lëvizje të re të gurëve të politikës në Kosovë me beteja të nisura me partnerë e kundërshtarë vendorë si dhe me bashkësinë ndërkombëtare, ndaj të cilës politikanët qeveritarë kosovarë kanë një histori 20 vjeçare dëgjueshmërie, në disa raste deri në nënshtrim.

Opozita, partnerët e koalicionit qeverisës, BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, pastaj NATO, UNMIK, me një fjalë, pothuajse nuk ka politikan apo subjekt tjetër politik me të cilin Haradinaj nuk është futur në përplasje kohëve të fundit në lidhje me çështjet e shumta politike, përfshirë taksën, dialogun me Serbinë por edhe për të përfituar ndonjë poen politik për vete dhe subjektin e tij.

Përveç përplasjeve të zakonshme dhe krejt të natyrshme me opozitën sikurse në secilin vend tjetër në botë me demokraci të konsoliduar, në veçanti në raport me faktorin e jashtëm, duket se Haradinaj po provon t’i dalë përballë presionit të SHBA-së në lidhje me heqjen e taksës, marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për shtetin superfuqi botërore dhe që ka qenë sponsoruesi dhe garantuesi kryesor i pavarësisë së Kosovës.

Krejt kjo arenë përplasjesh ndërlidhet me reagimet e ambasadorëve të SHBA dhe Britanisë së Madhe në lidhje me vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Po ashtu, Haradinaj ka mosmarrëveshje edhe me partnerin e madh të koalicionit, PDK-në, si dhe me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me, të paktën, dy çështje politike, pastaj me letrën e cila erdhi nga Shtëpia e Bardhë përmes së cilës duket se Amerika është duke e humbur durimin në raport me Prishtinën zyrtare dhe krejt në fund edhe mosmarrëveshjet me kryetarin e Parlamentit Kadri Veseli po ashtu në lidhje me taksën ndaj mallrave serbe.

Më së shumti nga kjo përplasje verbale po del të jetë i zemëruar ambasadori i SHBA-së ne Kosovë, Filip Kosnet. Deri pak javë më parë, Kosnett kishte takime të këndshme dhe shumë konstruktive me, pothuajse, të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ky bashkëpunim i mirë zgjati deri në momentin kur në një takim të përbashkët ndërmjet tij, Presidentit, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit, ambasadori Kosnet u duk se e lëshoi takimin në shenjë proteste dhe mospajtimi.

Megjithatë ky nuk është i vetmi rast i cili e kishte nervozuar tejmase ambasadorin Kosnett. Ai ka reaguar edhe në lidhje me vendimin e Haradinajt kur ky emëroi ish komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimin, si këshilltar të tij. Në këtë rast, ambasadori Kosnett, publikisht, përmes llogarisë së tij në Twitter kishte deklaruar se “të dënuarit për krime lufte nuk e kanë vendin në qeveri dhe se ky vendim e sjell në pikëpyetje qeverinë e Kosovës në rrugën e saj drejt sundimit të ligjit”.

Edhe pas shumë telefonatave të bëra në drejtim te kryeministrit duke kërkuar heqjen e taksës, ky i fundit nuk u zmbraps asnjëherë, madje as pas momentit kur erdhi letra, praktikisht, një letër kërcënuese nga Shtëpia e Bardhë të cilën, përveç Haradinajt, e kishin pranuar edhe zyrtarë tjerë, si Thaçi dhe Veseli. Në këtë letër, kësaj radhe, në mënyrë shumë eksplicite Shtëpia e Bardhë kishte kërkuar heqjen e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë dhe, me paralajmërimin se nëse kjo nuk ndodh, tash e tutje marrëdhëniet me SHBA-në do të hasin në probleme të mëdha.

Kjo në një mënyrë u konfirmua kur SHBA refuzuan t’i japin vizën Haradinajt për një vizitë në SHBA por edhe kur u anulua vizita e planifikuar në Prishtinë e gjeneralit Timothy Orr nga Garda Nacionale e Ajovas. Gjithashtu, ka indikacione se këto “ndëshkime” ndaj Haradinajt nuk do të jenë të fundit nëse Prishtina zyrtare vazhdon të mbetet e padëgjueshme karshi kërkesave të SHBA-së.

Duke pasur këtë qëndrim ndaj Shteteve të Bashkuara, autoritetet e Kosovës dhe, mbi të gjitha Haradinaj, nuk i kushtuan vëmendje të posaçme as kërkesave dhe sugjerimeve që vinin nga institucioni i BE-së. Haradinaj e demonstroi një gjë të tillë nëpërmjet diskutimeve publike me kreun e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, të cilës i kishte shkruar në disa raste, duke e akuzuar për dështimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës në disa raste.

Ditë më parë, Haradinaj e akuzoi Mogherinin se ajo do të mbetet pa dialog nëse vazhdon ta kushtëzojë dialogun Kosovë-Serbi me heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Pothuajse hiq më mirë nuk ka kaluar edhe me Komisionerin Europian për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili madje erdhi në Prishtinë për t’u takuar me Haradinajn dhe për t’i kërkuar atij heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Mirëpo, edhe ky takim i Hahn me kryeministrin, njëjtë si me Mogherinin në Bruksel, përfundoi pa sukses.

Fronti i përplasjeve pastaj u zgjerua edhe ndaj OKB-së. Kryeministri i Kosovës reagoi ashpër edhe ndaj raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili tha se ishte i shqetësuar në lidhje me tensionet e intensifikuara midis Beogradit dhe Prishtinës, veçanërisht në veriun e Kosovës. Në të njëjtin dokument, Guterres tha se problemi më i madh në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës është taksa 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Kjo deklaratë e Shefit të OKB-s e kishte zemëruar aq shumë Haradinajn sa që, në të njëjtën ditë ai kishte deklaruar se Kosova do të duhej t’i ndërpriste komunikimet me misionin e UNMIK-ut në Kosovë. “Kosova ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un (Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë) dhe nuk po komunikojmë më me ta. Njerëzit e UNMIK-ut i shkruajnë këto letra dhe i dërgojnë atje. Nuk mendoj që është reflektim i të vërtetës”, ka thënë Haradinaj.

Krejt këto mospajtime e përplasje nga Haradinaj e kanë zemëruar edhe Presidentin e Kosovës,  Hashim Thaçin.

Ndryshe, konfliktet ndërmjet Haradinajt dhe Thaçit nuk janë të panjohura. Edhe më herët, Thaçi dhe Haradinaj përplaseshin edhe për gjëra të ndryshme. I dërgonin porosi njeri-tjetrit përmes rrjeteve sociale por burimi më i madh i konfliktit qëndron tek ideja e Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë dhe po ashtu tek kërkesa e tij për anulimin e taksës ndaj mallrave të Serbisë, përderisa Haradinaj është në mënyrë eksplicite kundër.

Te gjitha këto mosmarrëveshje ishin edhe arsyeja e konfliktit që kishte ndodhur në shtëpinë  e kryediplomatit kosovar, Behgjet Pacollit, në nëntorin e vitit të kaluar i cili konflikt u raportua në mediat publike por edhe në takimet tjera ku prezent ishin edhe zyrtarë tjerë te institucioneve të Kosovës.

Ne veçanti Hashim Thaçin e ka nervozuar letra nga Shtëpia e Bardhë e cila për shkak të  veprimeve refuzuese të Haradinajt, ishte dërguar edhe në adresë të Presidentit.

“Mik mund të jesh kur të respektosh këshillat”, kishte thënë Thaçi, duke aluduar ne vendimin e Haradinajt i cili refuzoi të heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe në të njëjtën kohë të ruajë miqësinë me SHBA e cila kërkon heqjen e taksës. Deklaratës së Thaçit, Haradinaj i ishte përgjigjur duke i thënë se “askush nuk është zëdhënës i Amerikes”. Kësaj deklarate i kishte paraprirë edhe deklarata e Thaçit se Prishtina zyrtare ka marrë ‘flakaresh” nga SHBA.

Ne vazhdën e këtyre mosmarrëveshjeve, edhe Aleanca e NATO-s nuk e ka parë aspak me sy të mirë vendimin e autoriteteve të Kosovës për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtrinë e Kosovës. Pothuajse secili zyrtar i NATO-s kohë pas kohe ia përkujton këtë vendim Prishtinës zyrtare, e sidomos kur është fjala për lëvizjen e këtyre forcave në veri të Kosovës.

Prandaj shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, vetëm pak ditë më parë, ia bëri të qartë Haradinajt se ekziston një marrëveshje e Brukselit që qartë thotë se Ushtria e Kosovës nuk mund të hyjë në veri pa lejen e KFOR-it. “Ne presim që kjo të respektohet, ia dhashë ketë porosi Ramush Haradinajt. NATO mbetet e pranishme në Kosovë me misionin e KFOR-it. Misioni është i rëndësishëm për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit”, kishte deklaruar Stoltenberg disa ditë pasi autoritet në Kosovë e kishin bërë transformimin  e FSK-së në Ushtrinë e Kosovës.

Përplasjet ndërmjet kryeministrit Haradinaj, në njërën anë, dhe akterëve tjerë politikë vendorë e ndërkombëtarë, në anën tjetër, do të vazhdojnë edhe për ca kohë, ndoshta edhe për një kohë më të gjatë, marrë parasysh pozicionimin e betonuar të Haradinajt në lidhje më taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës e po ashtu edhe në lidhje me idenë e Presidentit Thaçi për një korrigjim të kufirit apo përkufizim potencial të kufirit me Serbinë.

Burimi: AktivPress