Martesa në moshë të mitur: mes Kanunit, kulturës dhe dhimbjes – Nga Jeta Dedja
Fenomeni i martesës së vajzave të vogla pa e arritur moshën madhore, kohët e fundit po gjen terren në realitetin shqiptar, dhe jo vetëm në komunitetin rom, ku kjo dukuri mbetet traditë.
Para disa kohësh lexova në shtypin e shkruar në lidhje me një vajzë 12 vjeçare, e cila pasi ishte larguar disa ditë nga shtëpia me të dashurin 18 vjeçar, kthehet dhe deklaron se do të martohet me të. Rasti i kësaj vajze më solli ndër mend disa histori të tjera që bëjnë fjalë për vajza të vogla nën moshën 18 vjeç, të cilat të detyruara nga kushtet familjare ose edhe të tjera kushte kryejnë martesë fakti me djem më të rritur. Ndonjëherë u duhet të kryejnë edhe martesë ligjore, dhe për këtë arsye ato, të përfaqësuara ligjërisht nga prindërit e tyre kërkojnë nga gjykata lejimin e martesës, pasi që martesa të jetë e ligjshme ajo duhet të përmbushë kushtet e përcaktuara në ligj. Përkatësisht në Shqipëri burri dhe gruaja që duan të lidhin martesën duhet të kenë mbushur moshën e lejuar 18 vjeç dhe të japin pëlqimin reciprok (neni 7 dhe 8 i Kodit të Familjes). Gjithashtu po aty thuhet “por gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe para kësaj moshe”. Pra ligjërisht, duke paraqitur një shkak madhor psh; shtatëzania, vajzat e vogla mund të lejohen nga gjykata të martohen.
Le t'i hedhim një vështrim moshës së lejuar të martesës në shtete të ndryshme.
Në Europë, mbizotëron mosha 18 vjeç si mosha e lejuar e martesës dhe nën 18 vjeç kërkohet leja e gjykatës, përveç Qipros dhe Skocisë që kanë përcaktuar moshën 16 vjeç. Në Afrikë vendet që kanë lejuar moshën më të re të martesës për femrat, 14 -15 vjeç janë Madagaskari dhe Tanzania. Mund të martohen edhe nën këtë moshë, por me lejen e gjykatës. Në Amerikë, në Shtetet e Bashkuara mosha e martesës e lejuar në shumicën e shteteve është mosha 18, ku lejohen me konsentin e prindërve dhe gjykatës martesat në moshën 16 vjeç për femrat, por në disa shtete parashikohen me lejen e gjykatës edhe moshat 14 vjeçare.
Mosha më e madhe për lidhjen e martesës për të dy sekset shënohet në Kinë, e cila ka përcaktuar, 22 për meshkujt dhe 20 për femrat, ndërsa mosha më e vogël e martesës për femrat është në Afganistan, 14 vjeç dhe Jemen 15 vjeç, ndërsa në Sri Lanka, rregulli për muslimanët është që vajza të jetë 12 vjeç.
Po ti referohemi fesë, në islam thuhet se është e drejta e vajzës ( nuk përcaktohet mosha e saj) të marrë vendimin për martesën dhe babai ose kujdestari i saj nuk kanë asnjë të drejtë të injorojnë apo mos marrin parasysh dëshirën e saj. Që kurora e martesës të jetë e vlefshme thonë të krishterët, kushti kryesor është ligjshmëria, dmth kurora të përputhet me ligjin hyjnor, natyror dhe kishtar. Kjo fe ndër të tjera, ndalon martesën në moshë të mitur.
Si nga ana historike ashtu edhe fetare martesat në moshë të njomë kanë qenë pjesë e shoqërisë, pasi mosha në të cilën një vajzë është konsideruar gati për tu martuar ka qenë mosha e pubertetit, si mosha në të cilën një person bëhet i aftë për riprodhim seksual. Femrat hyjnë në pubertet në mosha të ndryshme, nga 8-13 vjeç, në varësi të gjenetikës, racës dhe kushteve të mjedisit. Kriteri I riprodhimit si kusht për martesë, mendoj se ka qënë i shoqëruar edhe nga qëllimet sociale-ekonomike të martesave në atë kohë. Në shtresat e pasura martesa e fëmijëve është përdorur si një metodë për të siguruar lidhjet politike e ekonomike mes tyre. Për shembull djali ose vajza e një familjeje mbretërore të rënë nga vakti, rregullonte martesën në një familje fqinje mbretërore të fuqishme, për arsye shtetërore. Ndërsa në familjet me nivel të ulët social-ekonomik, martesat e fëmijëve janë bërë me qëllim për të shpëtuar nga varfëria.
Nga pikëpamja sociologjike martesa në moshë të fëmijërisë zakonisht i referohet dy fenomeneve, së pari martesës së iniciuar nga prindërit e vajzës ende të parritur dhe prindërve të një djali në moshë madhore dhe së dyti martesës së rregulluar nga prindërit e palëve, kur fëmijët i kanë ende të vegjël. Në këtë praktikë, individët e fejuar që në djep, nuk e takojnë njëri-tjetrin deri ditën e dasmës, e cila bëhet kur ata arrijnë moshën e lejuar për tu martuar. Këto praktika janë përdorur në vendin tonë dendur, por ndërsa praktika e martesës në djep shënon rënie, martesa me nismën e prindërve pa pëlqimin e çiftit, po rilulëzon. Kështu familje të varfra me shumë fëmijë, të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike, detyrohen të martojnë vajzat me djem nga familje me ta ardhura më të mira se të tyret. Në këtë mënyrë, ata mendojnë se përmes martesës së vajzës, do të kenë lehtësira për jetesën e pjesës tjetër të familjes. Ata gjejnë për vajzat e tyre djem në moshë që jetojnë në emigracion, të cilët edhe pse i kanë kaluar vitet e rinisë së hershme në perëndim, nuk janë çliruar nga idea e martesës me një vajzë të re e të ndershme, mundësisht në hapat e para të pubertetit. Kështu me një dhëndër emigrant ose me biznes të ngritur, familja e vajzës shkon drejt përmirësimit të statusit ekonomik e social, ndërsa vajza sipas nenit 12 të Kanunit të Lekë Dukagjinit “vajza ska tagër me mendue për martesën e vet, me zgjedhë fatin e vet, me u përzi në shkuesi e fejese e as me mendue për këpucë e për petka.” (fq,10). Por drejt martesës së vajzave në moshë të njomë në vendin tonë nuk ka çuar vetëm nevoja ekonomike, por edhe mungesa e edukimit, mentaliteti ose pamjaftueshmëria e kulturës. Ka familje në Shqipëri që i martojnë vajzat në moshë të njomë, që ato të mos kenë mundësi të dashurojnë kur të rriten, pasi sipas Kanunit të Lekës “Nuse pa shkuesi s’bahet” (fq.13). Në fakt këto lloje martesash bëhen jo vetëm bazuar në kanun, por edhe në koncepte e rregulla të pashkruara sipas të cilave “ vajza është rob i huaj në familjen e vet”, “vajza e ka vendin te burri”, “vajza mbetet pa u martuar nëse i kalon mosha”, ose “ta martojmë çikën para se të bëjë ndonjë turp”, ku me turp nënkuptohet rënia në dashuri ose humbja e virgjërisë dhe me kalim moshe nënkuptohet kalimi i adoleshencës. Për një shoqëri si kjo e jona që çmon virgjërinë martesa në moshë të re shihet si një mënyrë për të mbrojtur vajzën nga aktiviteti seksual i pasanksionuar, duke e vendosur atë nën kontrollin e mashkullit të zgjedhur nga familja.
Nga pikpamja psikologjike, sipas studimeve martesa në moshë të njomë thuhet se shkakton stres psikologjik e emocional sapo vajzat e vogla kuptojnë prioritetet e jetës së tyre pas martesës: marrëdhëniet seksuale dhe punët e përditshme. Këtyre vajzave u mohohet zhvillimi dhe edukimi personal. Disa prindër i heqin fëmijët vajza nga shkolla sapo atyre u vijnë menstruacionet, duke patur frikë se ekspozimi i tyre ndaj mësuesve ose nxënësve i vendos ato në rrezik. Ose ata i heqin nga shkolla për ti martuar, sipas mendësisë se “po të shkollosh një vajzë është e gabuar”, se “vajzat e kanë jetën për ti shërbyer burrit dhe për të bërë fëmijë dhe nuk kanë nevojë për shumë edukim”. Heqja nga shkolla për ti martuar ose për ti përgatitur për martesë, i kufizon oportunitetet e tyre për të zhvilluar intelektin. Ato humbin gjithashtu mundësinë për të zënë miqësi jashtë rrethit familjar. Kjo gjë redukton shanset për zhvillimin e identitetit të pavarur. Implikimi më i rëndësishëm i kësaj humbjeje është që vajzat rriten me mungesën e të drejtës për të krijuar dhe për të shprehur pikpamjen e vet. Mungesa e shkollës, për shkak të martesës në moshë të re, do të thotë që këto vajza në të ardhmen nuk do kenë asnjë kualifikim ose aftësi për të punuar ose për të përballuar jetesën. Në këto kushte ato do të jenë të varura ekonomikisht nga familja e burrit.
Në këto rrethana, të ngarkuara me përgjegjësinë e madhe për t’u bërë gra dhe nëna dhe kur të tjerët presin prej tyre të luajnë një rol të cilin ende duhej ta ushtronin me kukullat, ato përjetojnë ndikimet negative të ngjarjes në shëndetin psikologjik, perceptimet për veten dhe në marrëdhëniet e tyre me të tjerët. Para dy vitesh një vajzë 16 vjeçare e martuar me mblesëri në moshë të mitur, vrau veten në fshatin Aranitas të Mallakastrës pasi e kishte të pamundur të sillte në jetë një fëmijë. Nga ana tjetër ka vajza që përballen me probleme shëndetësore si pasojë e shtatëzanive të parakohshme dhe lindjes së një fëmije nga një fëmijë. Përballen me nënshtrimin, stresin e dhunën e ushtruar ndaj tyre, prej të rriturve që i rrethojnë. Dhe ato nuk kanë me kë të flasin për këto problem, pasi nëse vrapojnë të kthehen tek prindërit, kthehen mbrapsht tek burrat. Kështu ndodhi edhe me vajzën 17 vjeçare nga fshati Pojan, e cila ishte martuar me një emigrant kundër vullnetit të saj, dhe pas refuzimeve nga familjarët për kthimin në shtëpi, ajo gjeti rrugë shpëtimi arratisjen me një fqinj.
Pikërisht në këtë terren psiko-social projektohet e ardhmja e shumë vajzave të vogla shqiptare, shpesh kundër vullnetit të tyre dhe kundër zhvillimit psikologjik e social dhe aq më tepër në kundërshti të hapur me interesin më të lartë të shprehur në konventën e të drejtave të fëmijëve.
Si përfundim, meqënëse martesa në moshë të mitur është rezultati i një kompleksiteti faktorësh socialë, kulturorë, ekonomikë, si e tillë ajo mund të zgjidhet ose parandalohet duke u kujdesur për këta faktorë përmes implementimit të programeve me fokus edukimin, shëndetin, zhvillimin ekonomik të komunitetit në rrezik. Sipas studimeve të bëra nga UNICEF, sa më tepër të shkollohet një vajzë, aq më pak ka të ngjarë të martohet që në moshë të vogël. Sigurimi i aksesit ndaj edukimit, sensibilizimi i popullatës për disavantazhet e martesës në moshë të mitur, suporti real ekonomik ndaj familjeve në nevojë, janë strategji për t’i dhënë fund praktikave të këtyre martesave.
©JetaDedja










