Opinione

Emfaza e foto-takimeve - Nga Vangjush Saro

Është e lodhshme të rikthehemi në historinë, shumë shpesh qesharake, të takimeve dhe foto-takimeve të liderëve shqiptarë me partnerët e tyre të rëndësishëm e të rangut më të lartë apo edhe në traditën e shërbimit vanitoz që iu është bërë më pas këtyre skeçeve. Kjo ka ndodhur më parë me z. Fatos Nano. Kush e ka të fortë kujtesën, mund të sjellë ndër mend sulmet e opozitës së viteve ‘90 kur, sipas saj, lideri socialist shikohej korridoreve të pallateve të mbledhjeve (në Vienë atëherë) duke synuar të bënte foto-takime me liderë të Evropës. Më pas, këto kanë ndodhur (e janë afishuar në shtyp) edhe me z. Berisha; ndër më të freskëtat, janë ato të Kryeministrit Edi Rama, shoqëruar edhe me akuza e grishje gjyqesh; por s’kanë munguar edhe ato për liderin aktual të demokratëve, Lulëzim Basha; të gjitha e gjithnjë si qasje për foto-takime të sforcuara, por edhe si ‘sponsorizime’. (“Historia na mëson se njerëzit dhe qeveritë nuk kanë mësuar kurrë asgjë nga historia.” Hegel)

E përbashkëta e këtyre gjesteve është shtirja, shitja e palaçollëqeve si ‘arritje’ dhe, ca më keq, përdorimi i parave publike për t’u hedhur hi syve kundërshtarëve, zgjedhësve sidomos. Është me të vërtetë një teprim zelli provincial me të cilin politikanët shqiptarë ofrohen për këto foto-takime dhe pastaj (siç theksova edhe më lart) mburrja përpara kundërshtarëve të tyre: “Shiko, se unë e kam mirë me Amerikën”. Ose: “Thoni çfarë të doni, Evropa më vlerëson…” Kurse raportet e mira dhe këto vlerësime, duhet të vijnë në radhë të parë për përparimet në vend; se, të flasim me thjeshtësi, politika e jashtme nuk ka shumë hapësirë për politikanët shqiptarë; ose asfare. (“Budallenjtë na marrin për budallenj.” Stendal)

Bëjmë një retrospektivë të shkurtër. Në kuadrin e teprimit me vasalitetin e, ndërsa është thënë se Presidenti i SHBA-ve, në takimin me z. Rama, ka folur për ‘punën mjaft të mirë’ që po bën Shqipëria, mund përpiqemi të kuptojmë çfarë është e ‘mirë’. Nga pikëpamja e interesave të aleatit të madh, mund të jetë kështu pranimi dhe sistemimi i ujgurëve e më pas edhe i iranianëve; mbase mes partnerëve ka edhe detyrime, por gjithnjë në se nuk teprohet me zellin për të pranuar e tejkaluar detyrimet (sidomos në krahasim me ç’bëjnë vende të tjera, në kushte të përafërta). E ‘mirë’ mund të jetë edhe heshtja për mospërfilljen e traktateve për ndotjen dhe klimën, në një kohë që tash së fundi (si edhe më parë) z. Donald Trump vuri përpara (gjithë megallomani) ambjentalistët, madje, siç komentuan mediat, u tall me një fëmijë, një adoleshente nga Suedia (tejet e njohur në rrjete) që kishte ardhur në OKB për të kërkuar disa të drejta që korporatat e fuqishme, pse jo qeveritë e fuqishme, i kanë shkelur e shtypur me të gjitha mjetet e mundshme.

Cilësimi ‘e mirë’ mund të thuhet edhe për qëndrimet e vazhdueshme në unison me të ‘mëdhenjtë’, duhet apo nuk duhet. Për shembull, siç jam shprehur edhe në ndonjë rast tjetër, ‘fiksimi’ pas Perëndimit, ka bërë që të jenë pothuaj të papërfillshme raportet politike dhe ato ekonomike e të shkëmbimeve tregtare, por edhe kulturore, me fuqi të tilla si Rusia dhe Kina. Në këtë qëndrim, nuk ka të bëjë aq e shkuara (e përbashkët komuniste) që pjell vazhdimisht komplekse, sesa disa ‘detyrime’ që, më në fund, ta ‘vizatojmë’ vendin si ‘perëndimor’ dhe drejtuesit shqiptarë si të tillë. Por e gjithë kjo, vështruar ftohtë, shumë shpesh vjen e panatyrshme, si një lloj servilizmi.

Nga pikëpamja e interesave të Shqipërisë, ‘puna mjaft e mirë’ e saj, gjithnjë në gojën e presidentit amerikan, nuk mund të jetë komedia e zgjedhjeve vendore njëpartiake, demagogjia e vazhdueshme qeveritare për arritje, represioni ndaj mediave, mbrojtja e hartave të kanabisit dhe e ‘menaxherëve’ të tyre, etj. Besojmë që jo. ‘Punë e mirë’ do të ishte përmbushja e kushteve për fillimin e negociatave me BE-në. Po ashtu, ulja e papunësisë, korrigjimi i shifrave kur ato janë të fryra, pranimi i gabimeve politike dhe ato në ekonomi, qëndrimi për një hop në epideminë e ndërtimit të kullave për të kuptuar se ua kemi vjedhur krejt hapësirën qytetarëve, ndarja e përgjegjësive me opozitën, etj.

Argumentet e sjella më sipër, që ishin vetëm pak nga shumë e shumë që mund të përzgjidhnim, veç e veç apo të përziera, na tregojnë në mënyrën më të ftohtë për një qeverisje me shumë probleme, por në të njëjtën kohë për një sjellje e qasje servile dhe të përunjur (pra, jo prej partnerësh) ndaj aleatëve të mëdhenj, më së pari ndaj shtetit më të fuqishëm të botës. Është njëlloj prapambetjeje rendja për ndonjë takim të thjeshtë dhe për ndonjë foto gjithaq; emfaza e këtyre foto-takimeve (siç shpjeguam, nga të gjithë liderët shqiptarë) bëhet edhe më e papranueshme përballë kushteve për të cilat flasin partnerët dhe skaj gjendjes së vështirë në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë.

Nuk shtyhet me show e ngjarje protokollare, që zmadhohen sa për fasadë e për ta shitur diçka të zakonshme për ‘ngadhnjim’. (“Nuk shkohet vetëm me brohoritje.” Molier) Në vend të emfazës dhe lojrave me foto e me ‘mbështetje’ të ‘mëdhenjsh’ - taktikë e vjetër dhe e stilit të vodevilit - drejtuesit shqiptarë, për momentin edhe qeveria e kreu i saj, duhet të gjejnë rrugën për më shumë punë; për më shumë shpjegime (pse jo edhe për foto-pagesat që s’iu del zot askush); për takime serioze me opozitën; më në fund, edhe për vizione që të projektojnë ndryshime reale në vend. Por me sa duket, këto janë ‘kockë e fortë’ për politikanët shqiptarë, prandaj ata bëjnë çmos të tërheqin publikun në show, duke sajuar a përcjellë vazhdimisht skenare për njëri-tjetrin; dhe këto skenare, shpesh ata vetë i përcjellin me të qeshur… Është për të ardhur keq.