Opinione

Kontrolli qeveritar mbi median rrezik për demokracinë - Nga Arben Kallamata

Njëqind vjet më parë, kur bolshevikët morën pushtetin, Rusia kishte ndoshta shtypin më të lirë në botë. Kjo nuk i interesonte Leninit, i cili e quante atë vegël mashtruese të borgjezisë. Sipas Leninit, e vetmja gazetë që tregonte të vërtetën ishte “Pravda” dhe i vetmi shtyp që mund të besohej, ishte ai i kontrolluar nga ai vetë. Prandaj, arsyetoi Lenini, përderisa ne themi të vërtetën, nuk ka nevojë për gazeta të tjera. Këtu mori fund një herë e përgjithmonë liria e shtypit në Rusi.

Presidenti Trump nuk është i kënaqur me median. Nuk ka qënë asnjëherë. Ai e bazoi fushatën e tij te akuzat për lajme të rreme (fake news) ndaj institucioneve ikonike të gazetarisë amerikane: “New York Times” dhe “Washington Post”, ndaj kanalit televiziv të lajmeve më të njohur në botë, “CNN” dhe ndaj kujtdo tjetër që i dilte atij kundra. Strategjikisht, ai u mbështet te “Fox News”, një rrjet televiziv i kontrolluar nga republikanët dhe te lajmet ose informacioni që gjeneronte ai vetë përmes Twetter-it.

Por me sa duket as “Fox News” nuk është aq i bindur ndaj tij sa dëshiron ai që të jetë. Sepse, pavarësisht nga Trump, edhe aty ka gazetarë me integritet dhe njerëz që e duan Amerikën dhe demokracinë më shumë se presidentin. Prandaj Trump doli këtë javë me idenë e një rrjeti televiziv qeveritar - diçka si “Zëri i Amerikës” ose “Europa e Lirë”, por të drejtuar ndaj shikuesve dhe dëgjuesve amerikanë. Vështirë se mund të ketë gjë më të rrezikshme për lirinë e shtypit dhe për bazat e demokracisë në Shtetet e Bashkuara.

“Zëri i Amerikës” dhe “Europa e Lirë” janë dy burime informacioni dhe propagande qeveritare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të destinuara për dëgjues dhe shikues jashtë territorit amerikan. Me ligj ata e kanë të ndaluar të transmetojnë brenda Shteteve të Bashkuara, pikërisht sepse qeveria nuk ka asnjë punë që të kontrollojë median, e cila konsiderohet pushtet i katërt dhe i pavarur. Por Trump kërkon t’i ketë në duart e tij të gjitha pushtetet dhe ata që i shkojnë verbërisht pas atij, nuk e shohin se sa e rrezikshme është kjo prirje për demokracinë.

Kërkesa e Trump për një rrjet televiziv qeveritar nuk u mor shumë seriozisht dhe u konsiderua si një nga budallallëqet e rradhës, si shumë fjalë të tjera që i lëshon lart e poshtë pa pikë përgjegjësie. Megjithatë, ajo tregon mendësinë e Presidentit dhe si e koncepton ai funksionimin e shtetit amerikan. Ndoshta më vonë, kur ta ndjejë se janë kushtet, ai do ta përsërisë përsëri këtë ide të cilës sapo i ka hedhur farën. Dhe nëse ajo mbin, atëherë punët do të jenë vërtet keq.