Opinione

Ndezja e fitilit - Nga Enver Robelli

Vrasja e komandantit iranian Kasem Solejmani rrezikon të fusë tërë Lindjen e Mesme në një spirale të dhunës. Presidenti amerikan Donald Trump duket se nuk ka strategji përveçse përdorimit të ushtrisë siç e përdor edhe Twitterin. Por për eskalimin e situatës në javët e fundit më shumë duhet të akuzohet Teherani.

Sulme në Rrugën e Hormusit, rrëzim i një droni amerikan, sulme kundër impianteve saudite të naftës dhe provokime në Irak, përfshirë edhe sulme kundër trupave amerikane – të gjitha këto i ka bërë Irani javëve të fundit. Përkundër protestave dhe paralajmërimeve amerikane se kjo fushatë mund të shkaktojë një konflikt më të thellë.

Pas sulmeve ka qëndruar, në të shumtën e rasteve, Kasem Solejmani, komandant i Brigadave al-Kuds, të cilat janë krahu elitar për aksione në botën e jashtme i Gardave Revolucionare të Iranit. Solejmani ishte gjenerali që udhëhiqte politikat ekspansioniste të Iranit në rajon. Irani e sheh veten si fuqi mbrojtëse të shiitëve, por gjithsesi edhe si digë kundër «djallit të madh» (Amerikës) dhe «djallit të vogël» (Izraelit). Jo rastësisht brigadat e komanduara nga Solejmani quhen al-Kuds, ky është emri arab i Jerusalemit, qytetit të shenjtë për hebrenj, të krishterë e myslimanë.

Solejmani kishte tepër vetëbesim. Siç shkruan gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung», ai në vitin 2008 i kishte dërguar një SMS presidentit të atëhershëm të Irakut, Xhelal Talabanit. SMS i drejtohej një mysafiri të Talabanit, gjeneralit amerikan David Petraeus, i cili komandonte trupat e Amerikës në Irak. Solejmani shkruante: «I dashur gjeneral Patraeus: ju duhet ta dini se unë, Kasem Solejmani, e kontrolloj politikën e jashtme të Iranit në Irak, Siri, Liban, Gaza dhe në Afganistan». Së fundi, kur Irakun e përfshinë demonstrata të mëdha kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, një mbledhje të kabinetit të sigurisë në Bagdad e drejtoi Solejmani, jo kryeministri Adil Abd al-Mahdi.

Për eskalimin e situatës në javët e fundit më shumë duhet të akuzohet Teherani, këtu nuk duhet të ketë dyshim. Por në fillim të eskalimit qëndron vendimi i presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e negociuar nga administrata e Barack Obama-s, nga Bashkimi Europian dhe nga Rusia. Marrëveshja nuk ka qenë ideale, por më e mira e mundshme, sepse për një kohë relativisht të gjatë e pengonte Iranin të zhvillonte e prodhonte armë bërthamore, njëkohësisht mundësonte heqjen hap pas hapi të sanksioneve kundër Iranit.

Trump e ka quajtur këtë marrëveshje si pazarin më të keq që ka bërë ndonjëherë Amerika. Duke qenë tregtar patundshmërish, Trump çdo gjë edhe në politikë e sheh si pazar. Në vitin 2011 Trump madje e pati akuzuar Barack Obama-n se për t’u rizgjedhur president e ka ndërmend të ndezë një luftë me Iranin. Me këtë pyetje tani duhet të ballafaqohet vetë Trump, i cili ka premtuar se SHBA-të nuk do të kyçen më në asnjë luftë. Rrjedhimisht, Trump vendosi t’i tërheqë trupat nga Siria dhe t’i lerë në baltë kurdët, partnerët më besnikë në rajon në luftën kundër terrorizmit islamik. Kjo i dha hov ambicieve iraniane në Lindjen e Mesme. Kasem Solejmani ishte koka e politikës rajonale të Iranit. Me trupat e kontrolluara prej tij ai mbështeste diktatorin Bashar al-Asad në Siri dhe përkrahte Hezbollahun në Liban. Gjurmët e Solejmani-t vëreheshin edhe në konfliktin e Jemenit. Çfarë bën Irani në rajon lirisht mund të quhet politikë fqinjësore terroriste.

Eliminimi i Kasem Solejmanit është një akt i shpalljes faktike të luftës kundër Iranit. Dhe Irani do të përpiqet të hakmerret, edhe kjo është e sigurt. Presidenti amerikan Donald Trump duket se nuk ka strategji përveçse përdorimit të ushtrisë siç e përdor edhe Twitterin – në mënyrë impulsive. Me tërheqjen nga Siria Trump ka dërguar një sinjal fatal, duke i lënë hapësirë veprimi Rusisë dhe Iranit. Me vrasjen e Solejmanit është ndezur një fitil. Dhe pasojat janë të paparashikueshme. Rrjedhimisht, në këtë situatë, duket paksa qesharake ngutësia e disa politikanëve shqiptarë për të duartrokitur vrasjen e Kasem Solejmanit, ndërkohë që shumë më të kujdesshëm janë jo vetëm shtetet e BE-së, por edhe demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje edhe vetë presidenti Donald Trump duket se është i prirë për deeskalim të situatës. Ai tha: «Nuk po kërkojmë luftë, nuk e kemi qëllimin të rrëzojmë regjime». Konflikti mes SHBA-së dhe Iranit është shumë kompleks dhe për ta shpjeguar atë nuk mjafton që si politikan shqiptar të kesh një profil në Twitter.

Burimi: dialogplus.ch