Opinione

Martesë me përdhunuesin - Nga Arben Kallamata

Martesë me përdhunuesin është ligji që Erdogani po përpiqet të kalojë në Parlamentin turk. Nuk ka gjë më të fëlliqur. Ligji iu jep mundësi pedofilëve dhe përdhunuesve t’i shpëtojnë burgut nëqoftëse pranojnë të martohen me viktimat e tyre. Me një fjalë, viktimat e përdhunimit detyrohen të vazhdojnë të përdhunohen përjetësisht nga kriminelët. Nuk ka shprehje më të qartë se kjo të mendësisë që e sheh gruan si mall, si pronë.
 
Megjithatë, ky ligj nuk është as i ri, as i paparë e as i padëgjuar. Sipas Wikipedias, martesa e dhunuesit me viktimën e vet është parë historikisht si zgjidhje e logjikshme. Në shoqëritë e hershme ‘virgjëria’ konsiderohej cilësi e çmuar për femrat dhe viktimat e përdhunimeve nuk kishin shumë shanse që të martoheshin nëse e humbisnin. Për këtë arsye ligji i detyronte përdhunuesit të martoheshin me viktimat.
 
Një nga referencat më të hershme gjendet në librin e Ligjit të Përtërirë (Deuteronomy) 22:28 – 29 të Dhiatës së Vjetër: ‘Nëse një burrë gjen një vajzë që është e virgjër dhe e pazënë dhe e kap atë dhe shtrihet me të dhe kjo punë merret vesh, atëherë burri që është shtrirë me të duhet t’i japë të atit të vajzës pesëdhjetë shelekë argjendi dhe ajo duhet të bëhet gruaja e tij, sepse ai e ka dhunuar; ai nuk mund ta divorcojë asnjëherë.’ Pra, nuk ka rëndësi që vajza ka pranuar apo nuk ka pranuar të kryejë aktin seksual, dhe pavarësisht nëse ajo ka apo jo dëshirë të martohet me këtë burrë, burri është i detyruar të martohet me të dhe t’i paguajë prindërve të saj një pajë për ta zgjidhur konfliktin.
 
Dhiata e Vjetër nuk e specifikon nëse akti seksual kryhet me dhunë apo jo. Në mesjetën e krishterë europiane, një burrë mund të ‘përdhunonte’ një grua dhe pas kësaj ajo kishte të drejtë të zgjidhte, ose ndodhej në presion për të zgjedhur nëse do martohej apo jo me përdhunuesin, pasi pas aktit ajo konsiderohej mall i dëmtuar dhe me mundësi shumë të pakta për t’u martuar.
Në shumë vende të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore ligjet e martesës me përdhunuesin të vendosura fill pas fitimit të pavarësive në mes të shekullit të njëzetë e kishin zanafillën në një përzjerje të traditave ekzistuese arabe të zonës, ligjshmërisë islamike (shkollës Hanafi), ligjeve perandorake otomane dhe ligjeve europiane (franceze dhe britanike). Gruaja është trajtuar historikisht si pronë e të atit. Kur përdhunohej ajo shihej si mall i prishur, prandaj dhunuesi duhej ose të paguante dëmshpërblim ose të pranonte të merrte gjënë e dëmtuar dhe të martohej me viktimën.
 
Ligjet e martesës me përdhunuesin kanë qënë të përhapura në të gjithë botën deri në vitet 1970-të. Në 1997 ligje të tilla kishin 15 vende të Amerikës Latine, Argjentina, Brazili, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Hondurasi, Nikaragua, Panamaja, Peruja, Paraguaji, Republika Domenikane, Uruguaji dhe Venezuela. Italia ka pasur ligje të ngjashme deri në vitin 1981.
Sipas një raporti të një grupi të Bankës Botërore deri në vitin 2017 ligjet e martesës së viktimës me përdhunuesin i mbanin ende 12 vende - Angola, Bahrein, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Iraku, Jordania (e ka hequr në Gusht 2017), Libani, Libia, Palestina, Filipinet, Siria, dhe Tunizia (e ka hequr në Korrik 2017).
 
Sulltani Erdogan po bën edhe një hap tjetër drejt ligjeve të kohës së Kalifatit.