Opinione

Shkrimtarët e Diasporës - Nga Kliton Nesturi  

Shkrimtari Ernest Heminguej ishte amerikan. Gjatë jetës së tij ai lëvizi në shumë vende të botës, si dhe në disa prej tyre jetoi jo pak. Shkrimtari Hulio Kortasar ishte argjentinas dhe jetoi e vdiq në Francë. Shkrimtari Salman Rushdie ka lindur në Bombei dhe jeton në Londër. Regjisori dhe shkrimtari Kostas Gavras ka lindur në Greqi dhe jeton në Paris. Edhe...

Të gjithë këto shembuj jete m’u kujtuan ndërsa pashë në media Takimin e Shkrimtarëve të Diasporës “Letra nga Diaspora”. Asnjë nga shkrimtarët e përmendur më lart, nuk janë quajtur kurrë si “shkrimtarë diaspore”. Ata janë quajtur dhe janë njohur thjesht si SHKRIMTARË.

Shekulli i njëzetë që lamë pas, u konsiderua modern jo thjesht për shifër dhe zhvillim teknologjik dhe industrial, por në radhë të parë për transformimin e koncepteve sociale dhe lirinë individuale. Edhe ky shekull që po jetojmë tashmë, është vazhdues i atij që shkoi. Madje është më tepër perfeksionues. Por le t’i kthehemi shkrimtarëve. Shkrimtari është një qenie individuale, i cili zgjedh të jetojë ku dëshiron. Misioni i tij është të shkruajë dhe të komunikojë me njerëzit nëpërmjet krijimtarisë së tij. Duke qenë individ dhe i lirë në punën e tij, ai është i pavarur nga grupimet e ndryshme sociale dhe politike. Të etiketosh apo ta vendosësh shkrimtarin brenda një grupimi apo nocioni, është njësoj si ta futësh atë në një kooperativë, punishte apo kamp, ta shkrish me turmën dhe ta tjetërsosh. Do të thotë të vrasësh lirinë e tij artistike, do thotë që të vrasësh shpirtin e tij.

Në jetën dhe punën e tyre, të gjithë shkrimtarët kanë nevojë thjesht për mekanizma rregullues, që do t’u garantonin krijimtarinë e tyre në tregun dhe industrinë e librit. Askush prej tyre nuk ka nevojë për shtetin, por është shteti ai që ka nevojë për ta, pasi bëhet fjalë për kulturën. Kësisoj, shteti do të ishte thjesht rregullatori i cili do t’i garantonte ata nëpërmjet nismave dhe kuadrit ligjor, si pjesë e një konkurence të ndershme. Asgjë më shumë se kaq. Çdo iniciativë tjetër, për ta futur shkrimtarin brenda mekanizmave selektivë dhe politikave momentale, është një dhunim i individualitetit të shkrimtarit.

Të etiketosh shkrimtarin si “shkrimtar i diaporës”, është as më pak dhe as më shumë, por thjesht një fyerje, e cila i tregon atij se është i ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë së cilës i përket. Si do të ndiheshin artistët nëse do t’i etiketonim si “piktorët e diasporës”, “këngëtarët e diasporës”, “muzikantët e diasporës”, “valltarët e diasporës”, “aktorët e diasporës”? Po mjekët dhe inxhinierët e shumtë, a do t’i quanim “mjekët e diasporës” apo “inxhinierët e diasporës”? Po shkencëtarët e shumtë që kanë ikur nga Shqipëria, për shkak të motiveve të ndryshme, ku më kryesorja ka qenë shpërfillja e tyre nga politikbërja, a do t’i quajmë “shkencëtarët e diasporës”? Në këtë mënyrë i bie të kategorizojmë çdo profesion “marangozët e diassporës”, “ndërtuesit e diasporës”, “hidraulikët e diasporës”, “elektriçistët e diasporës”, “juristët e diasporës”, “agronomët dhe blegtorët e diasporës”, e kështu pa fund.

Kjo farsë është sa e pakuptimtë po aq edhe absurde. Nëse do të vazhdojmë kështu, një ditë do të quhemi “populli i diasporës”.