Opinione

Demokracia, Coronavirusi dhe shoqëria e re - Nga Rushan Xhaferi

Rushan Xhaferi

"Demokracia është sistemi më i keq, në përjashtim të të gjithë të tjerëve." Ky citim i Winston Churchill përdoret gjithandej, dhe sidomos, për të justifikuar faktin që megjithëse demokracia ka të këqiat e veta, është sistemi më i mirë që kemi dhe duhet ta pranojmë ashtu siç është. Ndoshta, por ndoshta jo!

Cila është gjëndja e vendeve demokratike në fund prillin e vitit 2020?

Një katastrofë e vërtetë! Në një amalgamë falë, sidomos, propagandës amerikanë nëpërmjet një nga mjeteve më efikase si Hollivudi, na është krijuar ideja se demokracia është kapitalizmi. Sepse pa kapitalizëm nuk mund të ketë demokraci dhe treg të lirë. Do të vij pak më vonë tek kjo e fundit por për momentin le të përqëndohemi tek postulati se “Nuk ka demokraci pa kapitalizëm”. Kina është një nga shembujt më të mirë që kapitalizmi nuk ka lidhje me demokracinë. Të gjitha vëndet fashiste kanë qënë kapitaliste. Nuk po flasim vetëm për Italinë dhe Gjermaninë e Luftës së Dytë Botërore por edhe për diktaturat e Amerikës Latine të vendosura nga CIA dhe sidomos për idetë e Milton Friedman, një nga ideologët më "kriminelë" të liberalizmit ekonomik.

Ja cili është përkufizimi i Friedman për lirinë. «Liritë politike janë të rastësishme, madje edhe të padobishme, në krahasim me lirinë tregëtare të papenguar». Kjo do të thotë që tregu i vendos të gjitha rregullat. Ai rregullon çdo gjë dhe nuk ka nevojë që Shteti të ndërhyjë me ligje. Por nga ana tjetër, kur tregu i lirë degjeneron dhe shumë firma dhe banka falimentojnë, ndërhyrja e Shtetit bëhet e rëndësishme për ti shpëtuar. Ky është socializëm për të pasurit dhe kapitalizëm për të tjerët.

Në 2008 ndodhi e njëjta që. U shpëtuan miliarderët dhe humbën shtëpitë qytetarët e thjeshtë. Historia po përsëritet 12 vjet më vonë. Në këtë moment, nuk janë njerëzit e thjeshtë që po ndihmohen, por janë bankat dhe industritë e mëdha. Paratë e pakta që po shpërndahen (apo nuk po shpërndahen gjithandej) nuk janë lëmosha nga qeveritë por kontribuimi që punëtorët kanë dhënë me vite. Dhe mbi të gjitha, nuk po jepen aq para sa duhet.

Një postulat tjetër na thotë se në demokraci ka meritokraci. Domethenë ai që është i formuar dhe i shkolluar, i cili (apo e cila) ka talentin e duhur dhe kompetencat e kërkuara, e gjen veten në këtë sistem si në punë por edhe në shoqëri, sepse çdo njeri meriton fatin që ka dhe punën që ka gjetur. Gjepura!

Shqipëria është një nga shembujt që mund të marrim shumë kollaj, por pikërisht do të ishte shumë e lehtë të përqëndroheshim vetëm në vëndlindje. Kudo në botë, ne shikojmë se prejardhja familjare, miku, miqësia, lekët e të tjera mënyra korruptimi bëjnë të mundur një ngritje në detyrë. Dhe ndoshta në vëndet «demokratike» akoma më shumë.

Po le ti përgjigjemi pyetjes së mëparshme pak më thellë «Cila është gjëndja e vendeve demokratike në fund prillin e vitit 2020?»

Ky sistem ka falimentuar plotësisht. Në këto vënde, vlerat më demokratike po shuhen dita ditës dhe të drejtat e njeriut janë hedhur në plehra.  Vënde të ashtuquajtura demokratike të cilat nuk janë në gjëndje të prodhojnë maska nga më të thjeshtat që mund të ekzistojnë, mund të themi pa pasur frikë se janë një dështim total. Këtu nuk bëhët fjalë për Shqipërinë, Greqinë apo Nigerinë. Këtu bëhët fjalë për SHBA-në, Francën, Anglinë, Kanadanë, Gjermaninë, Italinë. Këto vënde janë në G7, bashkë me Japoninë, shtetet më të fuqishme në botë të cilët nuk arrijnë dot të prodhojnë maska? Turp e faqja e zezë do të thoshte Nanaja, gjyshja ime. Franca vjedh maskat për Italinë, SHBA grabit maskat e Francës, Trump nuk lejon që maska ti shiten Kanadasë. What The Fu..ing F…!

Fjalia e Churchill ka qënë disi më komplekse dhe merrte parasysh një aspekt më global të demokracisë së vërtetë. «Shumë forma të qeverisjes janë testuar dhe do të testohen në këtë botë të mëkatit dhe dënimit. Askush nuk pretendon se demokracia është e përsosur ose e kudogjendur. Në të vërtetë, mund të thuhet se ishte forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjithë atyre që janë gjykuar me kalimin e kohës; por ekziston ndjenja, e përhapur gjerësisht në vendin tonë, se populli duhet të jetë sovran, sovran vazhdimisht, dhe se opinioni publik, i shprehur me të gjitha mjetet kushtetuese, duhet të formojë, udhëheqë dhe kontrollojë veprimet e ministrave që janë shërbëtorët dhe jo zotërit

Sovraniteti popullor, siç e përmënd ish-kryeministri britanik përpara parlamentit britanik në 1947, kur ishte në opozitë, tregon se politikanët janë në shërbimin tonë dhe jo e kundërta.

Një sistem i ri, ose një demokraci e vërtetë do të gjejë vëndin e saj së shpejti. Së shpejti mund të thotë 5 vjet por edhe 50. Njerëzimi dhe popujt kanë gjithë kohën e tyre për të përmirësuar çdo sistem edhe pse si individ koha na është e numëruar. Në këtë moment, jemi duke numëruar ditët e mbyllura në shtëpi. Por, kur të dalim, cili është sistemi që na duhet dhe na shërben më së miri? Kjo na përket ne ta zgjedhim. Një sistem i ri është i nevojshëm, si çdo up-to-date për kompjuterat pas çdo virusi, sepse shoqëria ka nevojë për një rigjenerim të vlerave thelbësore.

Kush guxon të bëjë një listë me vlerat e duhura pas Covid-19?

Ftesa u hodh!

 

Opinionet e shprehura në rubrikat e ndryshme nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht mendimin e botuesit.