Opinione

Shteti, pushteti, dhuna dhe policia e Sandër Lleshajt - Nga Arben Braçe

Arben Braçe

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar në emisionin “Java” në RTSH, se punonjësit e policisë e kanë për detyrë të ushtrojnë dhunë ndaj atyre që shkelin ligjin, duke e cilësuar atë dhunë në dobi publike dhe se dhuna është monopol i shtetit, i cili ka të drejtë ta bëjë të ligjshme atë.

Në konceptin e sotshëm, dhuna legjitime justifikohet, para së gjithash, nga detyra e saj për të futur nën kontroll dhunën joligjore. Në rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga ana e Policisë së Shtetit për shembjen e Teatrit, jemi para rastit klasik të dhunës së ushtruar në dëm të interesave publike.

Nga ana e mbrojtësve të Teatrit, nuk ka pasur asnjë lloj dhune karshi policisë. Askush prej aktivistëve në mbrojtje të Teatrit, nuk shkoi të shqyente dyert e tempullit të policisë, që e kishin vetëm pak metra larg, por ishte vetë Policia e Shtetit, në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin, pa respektuar rrugën ligjore dhe gjyqësore, në mes të territ, që ushtroi dhunën më të egër, vetëm me urdhër të pushtetit, duke iu bindur me përulësi mjerane kodit të pushtetit.

Bindja e verbër ndaj pushtetit të Kryeministrit, tregoi qartazi se nuk kemi shtet, por vetëm pushtet që gjendet pikërisht aty ku nuk zhvillohet politikë, se në realitetin tonë arkaik, ai ka ndikim më universal se çfarëdolloj politike, tregoi pafuqinë tonë për të bërë politikë dhe drejtësi dhe keqpërdorimin e kulluar të pushtetit.

Sot, më tepër se asnjëherë provuam që shteti është thjesht një nocion abstrakt dhe ai që ekziston, është vetëm pushteti absolut i Kryeministrit dhe metodat alla Kim Jong-un për t’i detyruar vartësit të sillen në mënyrë të nënshtruar dhe të dëshiruar prej tij. Ajo, që nuk mundëm dot të realizonim gjithë këto vite, ishte pikërisht shteti, sepse u endëm si hijenat në luftën okulte për pushtet, për ta përdorur atë për interesa personale kundër vetë politikës, si dhe të institucioneve, që përmblidhen në nocionin “shtet”. Sot pushteti për ne shqiptarët është gjithçka ndërsa individi asgjë.

Ajo lloj ndërhyrje e policisë do të ishte shumë e përshtatshme për oganizatat kriminale që i kundërvënë monopolit shtetëror të dhunës “ligjin” dhe dhunën e tyre. Por ata që janë përgjegjës për sigurinë në vend, ata që monopolin e dhunës duhet ta përdorin në rrugë kushtetuese, e kanë mendjen gjetiu, forcën e dhunës e përdorin në mënyrë “shembullore”, në shërbim të interesave të pushtetit, ndërsa tek ne mbizotëron e drejta e më të fortit.

Shqipëria është njësoj sikur vendet e varfëra të Afrikës, Somalia, Liberia, Angola apo Kongoja, ku ideja e shtetit është në pikëpyetje dhe publiku duhet të durojë çdo lloj dhune, pavarësisht se ajo vjen apo jo nga ndonjë qeveri. Nuk janë të pakta vendet ku monopoli i dhunës së ligjshme po gërryhet dita ditës dhe po bëhet e zakonshme, që biznesmenët t’i paguajnë Mafies para për mbrojtje.

Monopoli i dhunës së shtetit po gërryhet gjithashtu edhe nga përdorimi i keq i interesave të ngushta të pushtetit. Ky është një nga shkaqet kryesore, që edhe në vende me demokraci të konsoliduar përdorin polici private të sigurimit dhe siguria e brendshme, është kthyer për këtë arësye, nga detyrë kushtetuese e organeve të caktuara shtetërore, në një mall të tregtueshëm, të cilin disa mund ta blejnë dhe disa jo. Kjo do të thotë marrje fund e monopolit shtetëror mbi dhunën: është sikur një kthim pësëqind vjet mbrapa.

Pra, në Shekullin 21, kur dhuna shtetërore tek ne përdoret në funksion të drejtëpërdrejtë të interesave të pushtetit, për shembjen e një vepre të trashëgimisë kulturore dhe jo për të luftuar kriminalitetin dhe për të ruajtur sigurinë, fare mirë mund të themi se jemi nën mëshirën e dhunës kriminale.