Opinione

Rrëzimi i statujave si argument kulturalist - Nga Arben Braçe

Ajo që është duke ndodhur sot në SHBA, në disa vende të Europës Perëndimore, por edhe asaj Lindore me rrëzimin e statujave, nuk është gjë tjetër, veçse zëvendësimi i argumentit biologjik të racës, me argumentin kulturalist. Padyshim që koncepti i racës u shkatërrua në sajë të punimeve konverguese të shkencave sociale dhe të shkencave natyrore. Zbulimet e pakundërshtueshme të biologëve dhe të etnologëve na ndalojnë të mendojmë se gjinia njerëzore është e ndarë në grupe etnike me kufij të qartë dhe të pajisur secili me një mendësi të vetën, të trasmetueshme nëpërmjet trashëgimisë biologjike.

Njerëzit e post-modernizmit tashmë i kanë qarta gjërat, ndërmjet atyre që janë të lindura dhe atyre që fitohen në jetë dhe nuk ia veshin trashëgimisë gjenetike atë çka i përket në të vërtetë historisë apo traditës. Askush nuk mashtrohet më nga argumenti biologjik i cili është tërësisht i pavend, sepse jemi të ndërgjegjshëm se që nga ritualet fetare deri tek teknikat industriale, që nga të ushqyerit, deri tek mënyra e të veshurit, që nga letërsia, deri tek sportet, gjithçka është kulturore.

Mirëpo, në kushtet e sotshme, ashtu sikurse u veprua nga korifejtë e dikurshëm të racës, fanatikët e sotëm të identitetit kulturor, po i mbyllin individët në përkatësinë e tyre dhe duke absolutizuar dallimet në emër të shumëllojshmërisë së shkakësive të veçanta, shkatërrojnë gjithçka që njerëzit kanë të përbashkët në natyrë, por edhe në kulturë. Rrëzimi i statujave njëra pas tjetrës tregon se me zëvendësimin e argumentit biologjik nga argumenti kulturalist, racizmi nuk është asgjësuar aspak, por vetëm është kthyer në pikënisje. Gjithë ai vullnet për të zhdukur racizmin tashmë ka humbur para syve të njerëzve me ngjyrë të cilët po përmbysin njëra pas tjetrës statujat të cilat bartin në vetvete dhe glorifikojnë racizmin…

Duket sikur shoqëria është kthyer shumë vite më pas, pikërisht në vitin 1971, kur UNESCO e ftoi Claude Levi-Strauss të çelë nëpërmjet një fjalimi të gjatë vitin ndërkombëtar të luftës kundër racizmit. Të gjithë prisnin ta shihnin antropologun e shquar të vërtetonte edhe një hërë pavlefshmërinë e plotë të konceptit të racës, por duke u bishtnuar këtyre parashikimeve, Levi-Strauss, vendosi ta merrte seriozisht fjalën race, duke iu rikthyer edhe një hërë çështjes së vjetër ndërmjet racës dhe kulturës dhe në kundështim më atë çfarë ishte thënë më parë ai theksoi se: “Janë format e kulturës që adoptojnë njerzit në një vend apo në tjetrin, mënyrat e tyre të jetesës ashtu sikurse kanë mbizotëruar në të kaluarën dhe siç vazhdojnë të mbizotërojnë edhe në të tashmen, ato që përcaktojnë në një masë shumë të madhe ritmin e evolucionit të tyre biologjik dhe drejtimin e tij. Ndërsa nuk na duhet asfare ta vrasim mendjen, nëse është apo nuk është kultura, funksion i racës, shohim se raca, - ose ajo çka kuptojmë përgjithësisht me këtë term - është një ndër funksionet e kulturës”.

Natyrisht një pohim i tillë ishte një skandal i madh që tronditi të gjithë dëgjuesit, sepse kishte kthyer në këtë mënyrë pjesërisht legjitimitetin e konceptit të racës. Kishte hedhur poshtë gjithë ato përpjekje të elitave të Afrikës dhe të Azisë, të cilat kishin bërë të vetën idenë se kulturat janë të barazvlefshme dhe se çdo kulturë është e përligjur brenda konteksit të vet, pra nuk ka më kultura të epërme mbi të cilat perëndimi përligjte veprën koloniale. Në këtë mënyrë ishte tema e identitetit kulturor ajo që iu dha mundësi të kolonizuarve të çliroheshin nga mimetizmi, ta zëvëndësonin imitimin poshtërues të pushtuesit, me afirmimin e tipareve të veta dalluese dhe ta shndërronin atë në objekt krenarie.

Por çfarë është duke ndodhur sot 57 vite më vonë, kur Martin Luther King, pranë statujës së Abraham Linkoln në Uashington, përballë 200 mijë njerëzve të mbledhur për barazi dhe liri, mbajti një fjalim mbresëlënës dukë thënë se: “Unë e kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe të jetojë kuptimin e vërtetë të kredos së tij” se: “Ne i mbajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme se: “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë….”, kur në New York, kryetari i Bashkisë vendos të lëvizë statujën e Theodore Roosvelt, ish-President i SHBA, fituesi i çmimit Nobel për paqen, shkrimtar dhe politikan, sepse pasi u sulmua, ajo statujë u quajt e papërshtatshme, për faktin se Theodore Roosvelt është i hipur në kalë , ndërsa indiani dhe afro-amerikani janë në këmbë anash tij…?

Sot po ndodh pikërisht ajo që theksoi pa të drejtë antropologu i famshëm Claude Levi-Strauss, se janë format e kulturës ato që adoptojnë njerëzit në njërin vend apo në tjetrin… Po ndodh mospranimi i kulturës së tjetrit, i traditave dhe të historisë. Sot fanatikët e identitetit kulturor po i mbyllin individët në përkatësinë e tyre dhe duke absolutizuar dallimet në emër të shumëllojshmërisë së shkakësive të veçanta, duke hedhur poshtë dhe shkatërruar gjithçka që njerëzit kanë të përbashkët në natyrë, por edhe në kulturë.

Është pikërisht kritika ndaj traditës që përbën themelin shpirtëror të luftës kundër racizmit të sotëm nëpërmjet rrënimit të statujave. Kjo kauzë nënkupton mospranimin e çdo zakoni, përfshirë edhe ata që i kanë rrënjët thellë në histori.

Megjithatë një gjë është e sigurt, rruga e kapërcimit të këtyre vështirësive nuk gjëndet duke përmbysur statuja si prerogativa të një qytetërimi ku të gjithë duhet të jenë të barabartë, dhe jo vetëm për “black lives matters”, por duke pranuar barazinë dhe shumëllojshmërinë e kulturës së gjithësecilit, traditave dhe të historisë, për të jetuar në një botë ku të gjithëve t’u jenë rezervuar të mirat e sovranitetit individual të asaj që Tokëvili e quan “barazi e kushteve”, si e vetmja mënyrë që “bijtë e ish skllevërve dhe bijtë e ish-pronarëve të skllevërve do të mund të ulen së bashku në tryezën e vëllazërisë…” (M. L. King).

©Arben Braçe