Opinione

Parisi dhe Moska nuk e zëvendësojnë dot Uashingtonin - Nga Shaban Murati

Shaban Murati

Nganjëherë lojërat diplomatike të fuqive të mëdha ngjasojnë me kapriçio fëminore, ku shfaqja është më e rëndësishme se thelbi. Këtë përshtypje lë nxitimi i Francës dhe i BE që të organizojnë në muajin Korrik një samit të ri midis Serbisë dhe Kosovës, të cilin e shpallën menjëherë sapo u ndërpre samiti i dialogut Serbi-Kosovë në Shtëpinë e Bardhë, i caktuar në 27 Qershor dhe që nuk u zhvillua për shkak të ndërhyrjes së prokurorit të gjykatës speciale me komunikatën e tij politike me akuza për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe nëntë drejtues të UÇK.

Nuk kuptohet përse Moska dhe Brukseli u gëzuan aq shumë që nuk u zhvillua takimi në Shtëpinë e Bardhë. Rusia u përpoq ta fshihte entuziazmin e saj sikur e kishte hallin pse Shtëpia e Bardhë po i merrte BE-së rolin udhëheqës në bisedimet, dhe gazeta ruse “Komersant” shkruante në 29 Qershor me titullin e bujshëm “Kosova kthehet në Europë”.

Duhet ta themi qysh në fillim se samiti Serbi-Kosovë, që do të organizohet në Paris nga presidenti i Francës Makron është paraprakisht i pasuksesshëm, dhe as ka karta të reja dhe as shanse të reja. As mund të mendohet se ai do të tejkalojë samitin e ndërprerë Serbi-Kosovë të Shtëpisë së Bardhë.

Së pari, çfarë ka ndryshuar nga 27 Qershori i takimit të Shtëpisë së Bardhë tek samiti i ri korrikut i Parisit? Asgjë nuk ka ndryshuar, që t’i japë Parisit ndonjë kartë magjike çudibërëse. Presidenti i Kosovës ka njëlloj një akuzë për krime kundër njerëzimit dhe kryeministri i Kosovës ka deklaruar së është i gatshëm për të vazhduar dialogun me Serbinë.

Kryesorja, që nuk duhet harruar, është se samiti i 27 Qershorit në Shtëpinë e Bardhë nuk është fshirë, por është shtyrë. Nuk besoj se ka diplomat naiv që të besojë se SHBA kanë hequr dorë nga roli i tyre vendimtar për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë. Shtëpia e Bardhë e bëri njoftimin se ajo do të caktojë një datë tjetër për organizimin në SHBA të samitit midis Serbisë dhe Kosovës.

Natyrisht interesimi është dhe koha është pjekur për një marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës. Në këtë sens çdo logjikë diplomatike, politike dhe gjeopolitike mbështet atë shtet, forum dhe forcë, e cila është në gjendje dhe ka instrumentet për të detyruar Serbinë dhe Kosovën të nënshkruajnë marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe të njohjes midis tyre.

Përvoja e krizave të mëparshme ballkanike me luftrat tragjike të Serbisë kundër Bosnjës dhe kundër Kosovës dëshmon se qenë vetëm Shtetet e Bashkuara që këputën me shpatën e forcës nyjen gordiane të masakrave serbe kundër popujve të Bosnjës dhe të Kosovës. Tani kemi nevojën e tretë dhe rastin e tretë të zgjidhjes së konfliktit të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës, konflikt i krijuar nga Serbia, e cila ashtu si u soll ndaj shteteve të tjera, që dolën nga ish-Jugosllavia, nuk pranon që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Kanë kaluar 12 vjet nga pavarësimi i Kosovës, një kohë shumë e gjatë, që imponon marrjen e nismës së shpejtuar dhe të rolit drejtues të zgjidhjes së dialogut Serbi-Kosovë nga SHBA. Ndaj dalja në plan të parë e diplomacisë dhe e shtetit amerikan duhet parë si një zhvillim pozitiv dhe efikas në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës me njohjen midis tyre.

Është naive të diskutohet gjeografia apo relievi në një konflikt të tillë, sepse ndonëse Serbia dhe Kosova janë shtete në Europë, konflikti midis tyre nuk zgjidhet dot as nga gjeografia dhe as nga relievi europian, por nga fuqia.

Le ta fillojmë me BE. Ai i pati mundësitë gjatë tetë viteve nga 2011 deri ne 2018, që ndërmjetësoi dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, por nuk qe i aftë që të çonte në një zgjidhje të konfliktit. Nuk qe i aftë, sepse nuk aplikoi një strategji të drejtë bisedimesh dhe të zgjidhjes së konfliktit, por në mënyrë të gabuar u përpoq më shumë të lehtësonte rrugën e Serbisë për në BE, se sa normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve fqinjë.

BE nuk qe në gjendje, madje nuk bëri as edhe një tentativë, që të bindte pesë shtetet anëtare, që nuk e njohin Kosovën për të ndërmarrë hapin e vonuar të pranimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Pesë shtetet e BE nuk e njohën Kosovën as pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik të vitit 2010 për ligjshmërinë dhe drejtësinë e aktit të shpalljes së pavarësisë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB. Për më tepër BE ndoqi doktrinën e gabuar të “simetrisë së fajit”, ku për konfliktet në ish-Jugosllavi i vuri në një plan edhe Serbinë, edhe shtetet viktima të agresioneve serbe, përfshirë edhe Kosovën.

Hiperbolizimi diplomatik dhe propagandistik, që BE i bëri çështjes së taksës së Kosovës për mallrat serbe, është një faqe e turpshme e diplomacisë europiane për t’i dhënë alibinë e krimit të Serbisë. Tani kemi një faqe tjetër të turpshme, ku përfshihet prokuroria speciale (e cila është në fund të mandatit bashkë me gjykatën speciale, që skadon në 2020) që kujtohet të kalojë nga “simetria e fajit” tek absurditeti i fajit dhe i krimit tek ata, që luftuan dhe përballuan agresionin dhe gjenocidin serb.

BE bëri një gabim të madh që edhe shefin e politikës së Jashtme, edhe përfaqësuesin e saj të posaçëm për dialogun Serbi-Kosovë, i zgjodhi dy diplomatë nga shtete që nuk e njohin Kosovën. Sllovaku Lajçak mund të ketë Curriculum të pasur që nga shkolla e lartë MGIMO e MPJ të Rusisë e deri tek posti i ministrit të Jashtëm të vendit të tij, por ai nuk e njeh Kosovën, dhe kjo e bën atë një ndërmjetësues të papërshtatshëm diplomatik. Po kështu mund të thuhet për Francën, që ka dalë me nismën e re për të organizuar samitin e Korrikut 2020.

Së pari, duhet të kihet parasysh që Franca dështoi një vit më parë për të organizuar samitin e saj Serbi-Kosovë në Paris në 1 Korrik 2019, që u njoftua dhe nuk u zhvillua.

Së dyti, Parisi e ka komprometuar misionin e tij të ndërmjetësit, sepse në “Strategjinë e Francës për Ballkanin Perëndimor” të shpallur nga presidenti në 30 Prill 2019, ka vendosur Serbinë në qendër. Në Beograd ka hapur edhe “Zyrën rajonale franceze të Ballkanit Perëndimor” dhe presidenti francez Makron e shpalli Serbinë shtetin udhëheqës të rajonit gjatë vizitës së tij në Beograd në 15 Korrik të vitit të kaluar.

Franca u bashkua me Rusinë dhe me Beogradin në idenë e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës dhe presidenti Makron e përkrahu zyrtarisht shkëmbimin e territoreve në Tetor 2018 në takimin e tij në Erevan me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Franca është shteti kryesor që ka bllokuar liberalizimin e vizave me Kosovën nga BE, në kohën që të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor gëzojnë regjim të liberalizuar.

Pra Franca e ka të pamundur të arrijë një rezultat konkret dhe real në samitin e ardhshëm të organizuar prej saj. Duhet të theksojmë që BE dhe Franca jo se nuk duan, por nuk mundin që ta zgjidhin konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës.

Përsa i përket Rusisë, Moska nuk do kurrsesi që të zgjidhet konflikti Serbi-Kosovë. Ndaj ajo në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë dërgoi ministrin e Jashtëm në Beograd në 18 Qershor dhe thirri në Kremlin presidentin serb në 23 Qershor për t’i imponuar një vijë obstruksioniste për takimin e Shtëpisë së Bardhë.

Moska ishte e alarmuar se Serbia mund të detyrohej që të pranonte në Uashington njohjen e Kosovës, frikë që e shpreh hapur profesoresha e Institutit MGIMO të MPJ të Rusisë, Elena Ponomarjova, e cila në organin shtetëror rus “Russiatoday” deklaronte në 27 Qershor se “situata ka qenë e tensionuar dhe të gjithë trembeshin se mos Beogradi do të njohë Republikën e Kosovës. Ndërprerja e bisedimeve të Uashingtonit nuk e lejon situatën të shkojë në atë drejtim”.

Moska nuk e do dhe ndaj po e saboton me të gjitha mjetet arritjen e një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës me njohje reciproke. Një marrëveshje e tillë do t’i hiqte Rusisë instrumentin e vetëm të presionit dhe të diktatit diplomatik mbi Serbinë.

Në situatën e re të krijuar është e qartë se çështja e konfliktit midis Serbisë edhe Kosovës dhe nevoja e zgjidhjes së tij ka hyrë në një fazë të re të angazhimit diplomatik ndërkombëtar.

Zhvillimet e fundit evidentojnë akoma më qartë se rolin kryesor vendimmarrës duhet ta luajnë SHBA, të cilët kanë jo vetëm instrumentet e fuqisë për të detyruar të dy shtetet biseduese të arrijnë një marrëveshje përfundimtare normalizimi me njohje reciproke, por edhe mund të neutralizojnë dobësitë dhe interferencat e ndryshme penguese, që vijnë nga Brukseli dhe nga Moska.

E thënë qartë, përvoja diplomatike dhe historike mëson se as Parisi dhe as Moska nuk mund ta zëvendësojnë dot Uashingtonin, i cili mbetet shpresa dhe rruga e vetme e rregullimit afatgjatë dhe pozitiv të konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës dhe stabilizimit përfundimtar të rajonit të Ballkanit Perëndimor./DITA