Opinione

Në Parlament duhet të rikthehen intelektualët - Nga Arben Braçe

Këshilli politik për përgatitjen e reformës elektorale i gjendur përballë presionit ndërkombëtar dhe trukeve politike do të mblidhet përsëri ditën e hënë. Kryeministri i zhytur në versionin e përdhredhjeve politike për ruajtjen e statukuosë korruptive shpalli versionin e listave të hapura, ndërsa opozita reale kërkon mbajtjen e angazhimit të përbashkët të takimit të 5 Qershorit.

Cili do të jetë produkti i këtij “koncensusi politik”, në një kohë kur mungon vullneti kryesor nga ana e pozitës për të bërë zgjedhje të ndershme? Përpos pasojave të tjera, një diçka shumë e rëndësishme nuk është marrë në konsideratë nga të gjithë ata që përpiqen për të bërë një ligj tërësisht të palexueshëm, me shumë ambiguitete, ku i vetmi interes, është jetëgjatësia në pushtet. Ajo që nuk është marrë në konsideratë është produkti, pikërisht ai takëm njerzish që do të vijnë në parlamentin e ardhshëm ku të gjithë presin ndryshimin.

Publiku pret me padurim që personalitetet e botës së krimit, të korrupsionit dhe kampionët e injorancës të kenë gjetur veten propocionalisht sipas aftësive të tyre. Pret që në cilindo vend ata mund të shprehin vanitetin e tyre, por vetëm në kuvend dhe në institucionet shtetërore duhet ta dinë mirë nga mënyra se si i përdhosën që nuk kanë të drejtë t’i shikojnë as edhe në ëndërr. Mos harrojmë që në atë masë që produkti i vlefshëm intelektual do të hyjë në parlament, po në atë masë, do të jetë demokratik dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHRIT, edhe ligji i ri elektoral.

Pra, padyshim që këtë radhë, duhet një ligj strikt, që në tempullin e përdhunuar të demokracisë të hyjë inteligjenca e nxjerrë jashtë politikës padrejtësisht. Do të jetë një regres i pakthyeshëm dhe një përgjegjësi historike për urdhëruesit dhe draftuesit e këtij ligji elektoral sikur të ndodhë që në listat e ardhshme të vërejmë “personalitete të botës së krimit”, tek orvaten përsëri në zonat rurale të blejnë vota me forma të rafinuara dhe të sofistikuara, duke luajtur turpshëm me vobektësinë e banorëve të zonave rurale.

Do të jetë një vrasje makabre politike sikur në listat e ardhshme të vërejmë 18-vjeçarë dhe analfabetë funksionalë të pajisur me diploma në supermarketin arsimor, me mbështetje politike, që do të vijnë rrotull nëpër zona për të mbledhur vota, duke premtuar asgjë-në dhe asgjë-kundin. Do të jetë një situatë tepër tragjikomike në qoftë se do të vërejmë përsëri në arenën e parlamentit rrahje me rrip, kërcënime brutale me vrasje dhe dialogje barbare të frikshme edhe për bandën e El Chapos.

Procesi i abdikimit të inteligjencës shqiptare nga froni i saj është një proces i dhimbshëm, që në këto përmasa, nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet fqinje, sikur Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria etj. Ajo është përndjekur historikisht me një tolerance prej inkuzitori dhe tashmë gjëndet e strukur në katedrat e universiteteve, ose duke bërë punë të ndryshme jashtë kapacitetit të saj, ose ndodhet diku larg, në cepat e botës, duke bërë punë krahu, e mohuar qëllimshëm nga politikbërësit e vendit të saj. Maxhoranca e sotme në ndryshim nga gjithë të tjerat kaloi çdo parashikim duke shkuar në kulmin e hakmarrjes me inteligjencën duke mbushur parlamentin dhe administratën shtetërore me kriminelë.

Në ndryshim nga profesorët amerikanoverioë, të cilët heqin dorë nga politika që në krye me vetëdije, sepse kontributi i tyre intelektual, sidomos kontributi nëpërmjet filozofisë do të dëmtonte demokracinë liberale, ngaqë do të nxirrte në shesh “dekonstruktivisht”, mungesën e themeleve të saj, inteligjenca shqiptare është nxjerrë nga politika me një agresivitet të spikatur antintelektual, nëpërmjet një revolucioni quasi-maoist, si një katastrofë gati e pariparueshme që po na ballafaqon tupshëm si brenda vendit, por edhe në aspektin ndërkombëtar. Vetë Bashkimi Europian po na stigmatizon hapur, duke i hapur rrugën Maqedonisë drejt integrimit dhe duke na lënë të fundit në rangun e vendit më të paqytetëruar në Europë dhe Ballkan.

Nën frymën e inteligjencës së Europës Lindore, ku me Havelin dhe Arpad Genc, spikaste letërsia në pushtet, kur Milan Kundera si shkrimtar dhe teoricien, kishte meritën e krijimit të veprave të shquara kundër politikës dhe moralit të historisë edhe intelektualët shqiptarë kanë dhenë një kontribut të konsiderueshëm në këtë drejtim. Nuk ishin të pakta rastet kur intelektualët shqiptarë kundërshtonin për mosmarrëveshje politike “të fuqishmit”, ata që ushtronin pushtetin politik, që nuk duhet t’i dilnin ndesh “atyre që kanë ndikim”, krijuesve të opinionit, inteligjencës, sepse edhe këta të fundit kanë një lloj të caktuar pushteti, atë që Fukoi e ka quajtur pushtet i ligjërimit.

Parlamentet e para ishin të mbushura me intelektualë që mendonin se mbi gërmadhat e komunizmit do të ngrihej një pushtet i intelektualëve, por dora dorës ata u zhvendosën nga elitat e reja afariste dhe pushtetore, duke u kërkuar me imponim divorcin me politikën dhe duke e bërë ambientin politik një ambient të huaj dhe të papërshtatshëm.

Në ditët e sotme, kur edhe në vendet më të humbura të Afrikës, zgjedhjet nuk kundërshtohen dhe shpallen brenda ditës, kur në Maqedoninë tonë fqinje, me disa etni, ato nuk kundërshtohen dhe shpallen brenda ditës, në hapësirën e të vonuarve ku jetojmë, tashmë ka ardhur koha, që edhe nga ana e jonë të bëhet e njejta gjë. Të vetmit që mund të krijojnë frymën për këtë gjë, padyshim që do të jenë intelektualët dhe sikur thotë me të drejtë Hajdegeri: “Intelektualët e mëdhenj në dialog më shoqërinë duhet të bëhen ylli i karvanit për shtetin”.

©Arben Braçe