Opinione

Tradhëtia e dytë Kryeministrit Rama - Nga Arben Braçe

Arben Braçe

Në konferencën e përbashkët të shtypit me Ministrin e Jashtëm të Greqisë Dendias, për herë të dytë Kryeministri Rama, tradhëtoi interesat e vendit. Tradhëtia e përsëritur tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me një mungesë të njohurive profesionale të Kryeministrit, për mënyrën se si mund të zgjidhet me drejtësi,ndarja e detit, por me një veprim me dashje, në mënyrë të përsëritur, për zgjidhjen e kësaj çështje, me të rëndësishme se gjithçka tjetër, në favor të palës greke.

Një veprim madhor në kundërshtim të hapur me sovranitetin e vendit ishte pak kohe me parë dhe deklarimi i përbashkët institucional së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme për mundësinë e ligjshme të palës greke për zgjerimin e njëanshëm me 12 milje, deklaratë për të cilën nuk u mbajt asnjë përgjegjësi nga ana e tij. Sikur të kishte ndodhur në Greqi një deklaratë e tillë, Kyeministrit nuk do t’i mbetej kohë as të largohej nëpërmjet dritareve të zyrës së tij.

Deklarimi sipas të cilit të dy palët kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtre të Hagës për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje për ndarjen e detit sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, të Montego Bay 1982 (UNCLOS) i heq haptazi një nga mundësitë e ligjshme Shqipërisë, për të zhvilluar negociata, për zgjidhjen e kësaj çështje me marrëveshje të përbashkët.

Sikurse është shpjeguar nga specialistët shqiptarë të fushës, por edhe nga ata ndërkombëtarë, çështja e ndarjes së detit ndërmjet dy vendeve tona, duke marrë në konsideratë veçantitë gjeografike dhe relievein e vështirë, përbën ndoshta një nga rastet më të vështira në botë teknikisht dhe kjo tregon që kjo çështje kërkon kohën e nevojshme dhe takime të shumta ku të rrihen dhe të analizohen të gjithë problemet në mënyrë që ndarja të jetë e pëlqyeshme për palët dhe jo të lihet vetëm në dorë të Gjykatës Ndërkombëtare e cila me vendimin e saj natyrisht, që do të kënaqë vetëm njerën palë.

Me deklarimin e djeshëm, Kryeminisri i hoqi palës shqipare një mundësi, e cila me një punë të devotshme dhe me përkushtim, por edhe me patriotizëm, të cilin ai pati rastin ta shpotisë, në konferencën e shtypit, mund të zgjidhte një çështje të vështirë, duke i afruar të dy popujt, por edhe qeveritë dhe njëkohësisht, do të shmangte rrugën e vështirë gjyqësore.

Edhe sikur palët mbas shumë raunde bisedimesh, mos ishin dakort me ndarjen, të gjithë detajet dhe vështirësitë, do të ishin shoshitur me kujdes gjatë negociatave për bërjen e marrëveshjes dhe kështu pala e jonë i kishte të gatshme pretendimet e ligjshme që do t’i duheshin që t’i shprehte në gjykatë.

Mos harrojmë se në gjykatë pala greke ka shumë eksperiencë, për të mos thënë që është nga shtetet më të përgatitura në botë, që ka dhe një Akademi në Rodos, që bën studime në këtë fushë dhe nuk është sikurse pala  jonë që është pothuaj hera e parë që ndeshet më një problematikë të tillë.

Ministri i Jashtëm Grek nuk pati asnjë lloj kundërshtimi për një propozim të tillë, bile nuk pati as edhe një lloj diskutimi apo debati për këtë çështje, një fakt që flet hapur, që ishte rënë dakort që më parë për një “zgjidhje” të tillë.

Duhet të mbajmë në konsideratë që Greqia ka një territor shumë të veçantë dhe super të favorizuar nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. Marrëveshja e Detit nuk e zgjidh dot këtë çëshje e cila është shumë specifike dhe kërkon patjetër që të bihet dakort reciprokisht, sipas vijës së mesit ose sipas mundësive që mund të dalin gjatë diskutimeve të përbashkëta.

Greqia ka pesë herë më shumë sipërfaqe deti se sa tokë dhe tashmë zotëron pjesët më të mëdha të Detit Egje, Detit Mesdhe dhe të Detit Jon dhe sikurse veproi me vetëgjyqësi në rasti i deklarimit të veprimit të aneksimit të zgjerimit të kufijve detarë në 12 milje mbështetur në nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), dhe në rastin e zgjidhjes së kësaj çështjeje në rrugë gjyqësore është e gatshme që të përdorë të gjithë influencën e saj për trajtimin e kësaj çështjeje në favorin e vet.

Injorimi i mundësisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje nëpërmjet marrëveshjes së përbashkët i heq palës sonë një mundësi të ligjshme dhe e lë atë vetëm në dorë të rrugës gjyqësore a thua se në qoftë se nuk do të binim dakort për zgjidhjen me marrëveshje pala e jonë e humbiste rrugën gjyqësore!?

Zgjidhja e kësaj çështjeje me marrëveshje na jepte një mundësi të përshtatshme që kjo çështje të kish mundësinë të trajtohej ndoshta edhe me një qeveri greke që mund të vinte pas kësaj dhe jo me një qeveri konservatore sikurse kjo e Miçotaqis që është e gatshme të futë Greqinë në luftë për zgjidhjen e çështjes së detit me akord në favorin e saj. Qeveria greke nga ana e saj mban në fuqi një jetë të tërë Ligjin e luftës me Shqipërinë vetëm që të mos përbushen ligjërisht interesat e popullsisë Çame dhe nuk shqetësohet aspak për këtë, megjithë këmbënguljen e faktorit ndërkombëtar por edhe tonën.

Në këto kushte mbetet vetëm institucioni i Presidencës, vetë Presidenti Meta, i cili nuk duhet ta pranojë këtë “lloj zgjidhjeje”, ku pas humbjes së rrugës gjyqësore, Shqipërisë i takon të ngrejë duartë lart dhe të pranojë “zgjidhjen” që do të japë Gjykata  Ndërkombëtare dhe të humbë të gjithë të ardhurat e Zonës Ekonomike Eskluzive që përbëjnë miliarda, por edhe atë që është e panegociueshme, sovranitetin, i cili është për të ardhur keq, por sikurse të gjithë pasuritë e grabitura të Shqipërisë edhe ai tashmë ka dalë në ankandin e madh të hienave ndërkombëtare, që si në kohët e vjetra, kanë grabitur me pashë tokat e shqiptarëve.

©Arben Braçe