Opinione

Gjuha politike e Ramës, arratisje nga realiteti - Nga Arben Braçe

Arben Braçe

Padyshim që elektorati shqiptar edhe këtë radhë do të përjetojë një makth të madh me gjuhën politike që do të përdoret në këtë fushatë ditët e së cilës janë të numëruara. Banaliteti gjuhësor do të jetë aq i madh, sa që do ta detyrojnë deri aty, sa prej neverisë, ta zënë të vjellat dhe së fundmi të ngrihet i xhindosur dhe të mbërthejë në grykë cilindo, që përdor fjalë banale semantike, ose fjalë plastike pa vlerë, në një fushatë finale në formë talljeje për të ardhmen tij.

Përdorimi i kësaj lloj gjuhe, natyrisht nuk bëhet vetëm prej varfërisë së ideve politike, por përpos të tjerash, me anë të kësaj gjuhe, paraqiten më së miri, premtime boshe, shmangie nga realiteti i frikshëm i varfërisë, me qëllim që, nesër kur të  vijë dita e llogarisë, askush të mos këtë ku të mbërthejë fajtorin.

Në këtë kontekst, nuk janë të kota, ato çfarë na informojnë për ndryshimin e fundit në Kodin Penal, për dënimin e të gjithë atyre që publikojnë “meme” një fakt i rëndësishëm, që tregon që Kryeministri po parapërgatit terrenin për bombardimin me “memet” e tij, era e rëndë e të cilave, natyrisht do të kontaminojë të gjithë ambientin elektoral.

Fushata e mëparshme, me slloganet dhe memet e përdorura, ishte rasti më tipik i një dekadence të plotë kulturore, që nuk kishte ndodhur ndonjëherë që kur ishte formuar shteti shqiptar. Në asnjë rast nuk është dëgjuar që Kryeministri me dajre në dorë “alla gipsy” të kërkojë pushtet duke përdorur sllogane të tilla si: “Të gjithë tepsinë e pushtetit PS-së”, “Duam timonin” etj. si këto.

Praktikisht, lojërat me gjuhën semantike, larg realitetit dhe arratia nga një gjuhë e saktë, nga e cila lindin detyrime, për të cilat duhet të japësh llogari, janë përdorur shumë kohë më parë edhe në politikën botërore. Pikërisht për këtë, Geoge Orwell shumë vite më parë, e ka trajtuar këtë lloj gjuhe si një arrati, një abstraksion në nocione të mjegullta të vështira për t’u kuptuar.

Natyrisht, një gjuhë e tillë, me “tepsi” dhe me “timonë” fillimisht të mërzit, për shkak të natyrës së saj banale dhe se me të nuk mund të bëhet asnjë lloj politike. Ajo pengon të folurit e diferencuar dhe të qartë, nuk mbahet mend, nuk ngacmon fantazinë tonë dhe në asnjë rast nuk të motivon për të vepruar. Por, në të vërtetë, atyre që e përdorin, u kursen punë.  Rreziku më i madh që paraqet një gjuhë e tillë, mendon Orwell, është se “ajo mendon për folësin: frazat e gatshme (ready-made phrases) formojnë për ty fjalitë, mendojnë për ty deri në një farë mase, dhe në rast nevoje janë ato që kryejnë shërbimin e rëndësishëm të fshehjes pjesërisht të mendimit, madje edhe prej teje”.

Pra, sikurse shikojmë, rënia në një banalitet të tillë, me sllogane “tepsish” dhe “timonësh” nuk është gjë tjetër veçse një krisje mes gjuhës dhe realitetit, ku gjuha shkëputet, bëhet e pavarur, e zbrazur dhe nuk mund të emërtojë dhe vlerësojë realitetin. Një gjuhë e tillë në asnjë rast nuk trasmeton forcë dhe nuk mund t’i japë formë realitetit. Ky është një nga shkaqet, që kur Kryeministri gjëndet përballë elektoratit, megjithëse nuk ka mbajtur fjalën, për të gjithë ato që ka premtuar, pothuaj asnjë zgjedhës, nuk ka qënë në gjëndje t’ia numërojë premtimet boshe dhe t’ia përballë në sy gënjeshtrën.

Ajo që mbahet mend nga e gjithë fushata e tij janë vetëm “tepsia” dhe “timoni” banalitete që të lënë gjëndje ilariteti, me të cilën njerëzit humbin kurajën të përballen, duke i konsideruar vulgaritete që kërkojnë të njëjtat vulgaritete për t’u përballur.  Koha kur partitë tona përdornin sllogane të tilla sikurse: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Ne jemi Ndryshimi”, “Mbro të ardhmen”, “Bashkë me ne për një demokraci të vërtetë”, “Koha për ndryshim”, “Shqipëria po ndryshon” etj., duken sikur i kanë përkitur jetëve të kaluara dhe nuk kanë më vend në mes të këtij fjalori banal politik, që kemi instaluar me ndërgjegje prej 8-vitesh.

Gjasat që një banalitet i tillë të ndryshojë nuk ka, sepse megjithëse fushata po afron, nuk duken kurrkund në horizont, sllogane me vlerë dhe përmbajtje, që mund të paraqisin një politikë vizionare prej bartësit. Padyshim këtë radhë do të zhytemi në një banalitet gjuhësor më të rëndë me qëllim shmangien e përgjegjësive dhe qëndrimit larg tyre duke përdor fjalë plastike për t’iu shmangur sa më shumë realitetit dhe sikur thotë me të drejtë studiuesi gjerman Uwe Porksen, përdoruesi i fjalëve plastike nuk është gjë tjetër veçse një skllav i fjalëve.

Konkretisht, kush është skllav i fjalëve, është politikisht i pafuqishëm dhe ky është shkaku që ndërton sllogane kaq të varfëra me të cilat mendon të rrokanisë mendjet e varfëra të njerzve të zhytur në hall ekonomik dhe me qëllimin e ulët të shmangies së përgjegjësive dhe angazhimeve kontraktuale të premtuara me anë të një gjuhe të tillë.

Kush dëshiron të bëjë një politikë të mirë, duhet të jetë zot i fjalëve dhe bashkë me to dhe i premtimeve, por modeli që po ofrojmë, është modeli tipik, i shkëputjes së gjuhës nga realiteti.  Të gjithë ata që përdorin këtë lloj gjuhe, tregojnë se politikës së tyre i mungon siguria në vetvete dhe që në asnjë rast nuk duhet t’i lejohen një politike bashkëkohore, që kërkon të japë mesazhe që të kenë të ardhme dhe shpresë.

Në politikë kërkohet arti i bërjes së kuptueshme të koncepteve të vështira, e të padepërtueshme, pra ajo duhet paraqitur në një mënyrë sa më konkrete dhe të gjallë, pa qënë nevoja për rënë, në një gjuhë vulgare. Sikurse politika, nuk ka të drejtë, që të përdorë një gjuhë specifike, të pakuptueshme, nga të tjerët, po kështu, nuk ka të drejtë të bjerë në vulgaritet banal, për të dhënë mesazhin e saj.

Edhe në kohën e sistemit totalitar bëmë të njëjtën gjë, sikur edhe vendet e tjera të Lindjes, duke e shkëputur tërësisht gjuhën nga realiteti. Megjithëse agjitatorët shkonin kudo për të shpjeguar ideologjinë e partisë, askush nuk kuptonte kurrgjë, nga ato abstraksione pa vlerë, që i paraqiteshin popullit. Njerëzit duartrokisnin nga frika dhe tundnin kokat me nënshtrim, por askush, nuk ishte i ndërgjegjshëm për ato “vizione” që paraqiste partia.

Në kushtet e një fushate që sapo ka filluar, rimëkëmbja e politikës, duhet të shoqërohet nga një rigjallërim i gjuhës. Loja monotone, me fjalët plastike të klisheve boshe, sikurse “tepsi” dhe “timon” duhet të largohet me forcë, përmes një rilindje të së folurës, e cila shpreh besim dhe vlerësime. Po kështu edhe “politika simbolike” e brekusheve dhe potureve a shallvareve në protokolle strikte, ku shplahet rëndë imazhi i shtetit, duhet të marrë fund një herë dhe për gjithmonë.

Duhet të jetë vetë elektorati, ai që dëmtohet më shumë nga një gjuhë e tillë dhe që në krye të radhës duhet të thotë: “Lutem mund të flisni në gjuhën tonë?” Në rast të kundërt, nuk do bëjmë gjë tjetër, veçse do të ecim në rrugën e banalitetit pafund dhe do të vërtetojmë më së miri atë që thotë George Orwell: “një popull  që zgjedh politikanë të korruptuar, mashtrues, hajdutë dhe tradhtarë nuk është viktima…por bashkëpunëtori”.

©Arben Braçe