Opinione

Punësimi sjell mirëqënien - Nga Robert Kore

Në fillimet e para të emigracionit shqiptar menjëherë mbas viteve 90’, diskutohej me entuziazem ky fakt: filani është vet i katërt në Gjermani dhe merr asistencë nga shteti, aq sa s’ka nevojë të punojë dhe kjo gjë thuhej sikur ai filani në Gjermani po bënte jetën e Beckenbauer-it. Intonacioni i zërit ishte i tillë, që dukej sikur thoshte: lum si ai, ia hodhi, u bë zengjin.

Kaq ishte mentaliteti ynë i zhubrosur keq nga komunizmi. Sapo kishim dalë nga një varfëri ekstreme, ku plehrat e ambasadave na dukeshin xhevahirë dhe përdoreshin si sende zbukurimi të bufesë dymbëdhjetëmijëshe.

Në fakt, asistenca në çdo vend të botës është sa për të siguruar një minimum jetese. Sipas standartit të vendit ku jepet asistenca, ai që jeton me të quhet i varfër (“poor”). Në qoftë se emigrantët, nga cilido vend qofshin, do të vazhdonin të jetonin vetëm me asistencë, ata tërë jetën do vazhdonin të bëheshin gjithnjë e më të varfër (“poorer and poorer”).

Natyrisht që kushdo nga ne është në favor të parimit që të varfërit duhen ndihmuar nga qeveritë përkatëse, por mënyra se si duhen ndihmuar është thelbësore dhe në realitet ndahet në dy filozofi të ndryshme, sipas shumicës që ka pushtetin.

Ndihma nuk duhet të jetë e tillë, që t’iu krijohet të varfërve një komoditet në varfërinë e tyre, por në realitet këtë lloj strategjie e përdorin kryesisht qeveritë e majta. Ato e duan varfërinë komode tek sa më shumë njerëz, sepse kjo “përkthehet” në vota për ta. E majta synon të ketë sa më shumë njerëz që varen nga lëmoshat e qeverisë dhe qeveritë e majta nxisin disa programe ndihmash të cilat në vend të rrisin mirëqenien, veçse shtojnë dembelizmin dhe ruajnë varfërinë.

Në Perëndim ka kudo nga ata emigrantë që s’bëjnë gjë tjetër, veçse rrinë kafeneve dhe ankohen se pse në Janar u rrit kaq pak asistenca.

Zgjidhje më e mirë e problemit është ajo lloj ndihme që i bën ata të dalin nga varferia. Dhe si dilet nga varfëria? Nga varfëria dilet vetëm duke iu krijuar mundësi punësimi njerëzve.

Kjo ndodhi pikërisht në SHBA në katër vitet e fundit. Papunësia u ul në shifra rekord për të gjitha shtresat e shoqërisë. Në këto katër vjet përfituan të zinjtë, latinot dhe gjithë minoritetet e tjera. Njerëz sidomos nga këto shtresa u hoqën nga “food stamps” dhe u punësuan.

Punësimi sjell mirëqënien. Ky duhet të ishte dhe qëllimi final i politikanëve, por fatkeqësisht shpesh herë nuk është ky. Është vetja e tyre.

©Robert Kore