Opinione

Ndryshimi si kauzë afatgjatë dhe jo luftë afatshkurtër për pushtet - Nga Jusuf Buxhovi

Ndryshimi në skenën politike të vendit, nuk duhet të jetë çështje formale, pra e zëvendësimit të një garniture me një tjetër, por kthesë rrënjësore, që për pikënisje ka marrjen me shkakun e gjendjes dhe jo kapjen me pasojat...

Nga antikiteti e deri te koha jonë, ligjet fizike, sikur kanë qenë pikënisje e interpretimit të ligjeve shoqërore dhe politike. Kauzaliteti i asaj që Arkimedi e quan “matje matematike” ka ndarë por edhe ka pëcaktuar vijat midis të kuptuarit e veprimit nga formula e shkakut te ajo e veprimit (pasojës), si dhe pasqyrimin e tyre të plotë në jetën shoqërore dhe politike në të gjitha kohët, pa marrë parasysh sistemet mbi të cilat janë ndërtuar dhe zhvilluar.

Nëse nuk ka pasur  dhe as që ka mundësi të ndryshohet  doktrinariteti midis shkakut dhe pasojës në raportet e tyre dhe as t’i shtohet as mungohet diçka, përkundër “teorisë së infinitit”, pra të parimit që dëshmon se relativiteti është pjesë e ndryshimit që kundërshton çfarëdo dogme që mund të ngritet mbi të, siç ka vepruar religjioni dhe ideologjia, megjithatë nuk ka munguar ngatërrimi i shkakut me pasojat jashtë varësisë së tyre, si veprim i qëllimshëm për të zhvendosur rregullat dhe të vërtetat në përputhje me fuqinë politike dhe monopolet e caktuara shoqërore që kanë ndikuar dhe ndikojnë sistemet e vlerave.

Në rrethanat tona, kur ndryshimet politike janë më së të domosdoshme, ngatërrimi eventual ose i qëllimshëm midis shkakut dhe pasojës, ngre çështje nga ato morale, politike, intelektuale te një shoqërie e cila nuk ka qenë në gjendje që tranzicionin (kapërcimin nga totalitarizmi në demokraci liberale), që edhe përkundër implikimit në të të faktorit ndërkombëtar, ta shfrytëzojë për këtë qëllim, por për të kundërtën, paçka se gjithë faktorët e saj përfshirës i vë para përgjegjësisë historike...

Pa hyrë në pasqyrimin e thellë të këtij zhvillimi që mund të quhet edhe antihistorik si dhe gjendjen që ka prodhuar në planin shoqëror dhe politik, veçmas në rrënimin e gjithëmbarshëm të sistemit të vlerave dhe të humbjes së kredibilitetit të shtetit më të ri në Kontinentin e Vjetër, që e ka sjellë deri te dyshimi i arsyeshmërisë së tij,  megjithatë duhet thënë se vënia në binarë të duhur të një procesi, siç është ndryshimi, nga një gjendje çfarë e kishim te një tjetër, çfarë duhet të jetë, me të cilën e kanë gojën plotë aktorët politikë (ata që përnjëmend e kërkojnë dhe ata që i frikësohen me arsye), pa marrë parasysh qasjen, gjithsesi nënkupton perceptimin si kthesë të përmasave të mëdha, madje edhe epokale. Pra, kjo  kërkon kthimin te kauzaliteti i formulës së shkakut, te shkaktarit dhe jo ngarendjes tek pasojat, me ç’rast populizmi ia zë vendin pragmatizmit politik mbi konceptet themelore të ndryshimit.

Kjo pikënisje, ka rëndësi të madhe, meqë krahas zbarkimit nga militantizmi me të cilin është indoktrinuar skena politike dhe shoqërore me faktorët e saj manipulues, në radhë të parë klientenizmin politik (me në krye veteranët e shpifur dhe kartelet mafioze kudo), që ka përfshirë thuasje të gjithë aparatin shtetëror, atë arsimor, shëndetësor, ekonomik dhe strukturat tjera të sistemi të kapur, njëherësh ndihmon që politika të ndërtohet mbi parime të qarta, ku ndryshimi duhet të përfshijë faktorët që e rikthejnë autoritetin e shtetit të rrënuar në shtyllat kryesore  të tij (gjyqësorin, policinë, ekonominë dhe të tjerat), me çka krijohen rrethanat për një shtet të lirë, demokratik, ku respektohet mendimi i lirë dhe besimi i lirë në përputhje me konceptin e sekularizmit shtetëror dhe laicizmit arsimor dhe kulturor të qytetërimit perëndimor.

Me këtë rast, duhet theksuar se  shteti i Kosovës si e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull, si dhe ruajtja e tij nga çfarëdo formule, me të cilat do të sakrifikohej ai, siç ishin ato të "ndryshimit të kufijve" dhe skenarët e tjerë nga Beogradi dhe Rusia për qëllime të tyre hegjemoniste, e që për fat të keq u përqafuan edhe nga faktorë të rëndësishëm politikë në Kosovë dhe Shqipëri, që u vunë në sherbim të tyre,  paraqet kredon e  avangardizmit politik  mbi të cilin legjitimohet politika e ndryshimit në raport me realitetin e deritanishëm që atë e ka zhvlerësuar dhe sjellë në një gjendje të rëndë në të cilën ndodhet sot.

Andaj, ndryshimi duhet të përceptohet si kauzë, si një maratonë dhe assesi si një sprint afatshkurtër për marrjen e pushtetit, ku zëvendësimi i një formacioni politik (klike) bëhet me një tjetër, gjë që e riciklon të keqen. Pra, ndryshimi mbi parimet e kauzës afatgjatë, që gjithsesi kërkon edhe  votën e shumicës për të ardhur në pushtet, nuk nënkupton që fuqia e saj të kthehet në një mjet për pushtet të pakufishëm të një idividi apo grupi të caktuar për të vendosur despotizëm "shpëtimtar". Përkundazi, vota e shumicës duhet të shërbejë për arritjen e qëllimeve me të cilat një brez merr përsipër përgjegjësinë historike të ndryshimit me ndryshim rrënjësor, ku keqeverisja, korrupsioni, abuzimi me shtetin dhe kapja e tij, zëvendësohet me pushtetin e më të mirës në të gjitha sferat e jetës shoqërore, politike, kulturore dhe shpirtërore.

Ndonëse e gjithë kjo mund t'i përngjajë mundimeve të Sizifit, megjithatë, idealistët e paepur, nuk reshtin që gurin ta çojnë te maja...

©Jusuf Buxhovi