Opinione

Reflektim në 80 vjetorin e Operacionit Barbarosa - Nga Hajro Çini

Hajro Çini - Toronto

Është shumë e vështirë të përcaktosh gabimin apo jo të një aktiviteti për të cilin akoma nuk ka fakte të plota, apo kur faktet vazhdojnë të jenë të deformuara.

E kam deklaruar edhe herë të tjera, se kam pasur një mik britanik (ndërroi jetë 98 vjeç para dy vjetësh). Bënim pjesë në të njëjtën organizatë. Ai kishte qënë pjesë e grupit të britanikëve në Gjyqin e Nurembergut dhe më ka treguar ca gjëra që as sot nuk gjenden në ndonjë arkivë për t’u verifikuar.

Kam studiuar edhe A. J. P. Taylor një shkollar britanik, i cili, me shumë kurajo, nxorri dokumenta më 1961, që hidhnin poshtë të gjithë sajesën që “historianët” politikë kishin krijuar pas 1945. Aty kam lexuar edhe disa nga gjërat që kam dëgjuar nga miku im.

A J. P. Taylor shkruan:

“Nuk ishte faji im, që Qeveria britanike, sipas dokumentave, dhe jo Hitleri, udhëhoqi shpërbërjen e Çekosllovakisë.”

“Politika e tij e jashtme është krejt tjetër. Qëllimi i tij ishte të bënte Gjermaninë një fuqi dominuese në Europë dhe ndoshta, dhe më me pak mundësi, fuqi botërore.  Fuqitë e tjera kanë ndjekur qëllime të njëjta, dhe edhe sot vazhdojnë t’i ndjekin. Fuqitë e tjera kërkojnë të avancojnë interesat e tyre të rëndësishme me anën e forcës së armëve.  Në çështjen ndërkombëtare nuk pati asgjë të gabuar me Hitlerin, veç se ai ishte gjerman”. (The Origins of the Second World War, A. J. P. Taylor, p. 28)

“Si britanikët ashtu edhe rusët kishin dëgjuar me dashamirësi qasjet gjermane; dhe deri në fund të korrikut (1939), britanikët ishin më entuziastët. Megjithatë, negociatat për aleancë nuk u prishën nga tundimet gjermane. Ato u prishën nga që dështuan për të rënë dakord. Të dy palët donin marrëveshje, por jo të njëjtën.

Britanikët donin demostrim moral (nga Gjermania) që do t'u mundësonte atyre të arrinin një zgjidhje me Hitlerin në kushte më të favorshme. Rusët donin aleancë ushtarake të përkushtuar për ndihmë të ndërsjellë, që ose do ta pengonte Hitlerin ose do të siguronte humbjen e tij.

Britanikët ishin të frikësuar për Poloninë; rusët kishin frikë për veten e tyre. Një pushtim gjerman i Rusisë, jo thjesht zhvendosje e ekuilibrit evropian në favor të Gjermanisë, ishte makthi i tyre. Ata kërkuan aleatë; dhe iu ofrua vetëm humbja e lirisë së atij veprimi që ata ende e kishin”. (The Origins of the Second World War, A. J. P. Taylor, p. 246)

Unë nuk e kam ditur këtë që do them më poshtë në mijëvjeçarin e dytë, por e kam mësuar në fillim të mijëveçarit të tretë. Pas 1919, kur Gjermanisë iu kufizua e drejta e ushtrisë dhe armatimit, ishte BRSS, Trocki-Lenin-Stalin që i hapën fushat e stërvitjes për ushtrinë gjermane, ku u stërvitën me mijëra ushtarë. Lenini dihet që ka qënë i rekrutuar nga Shërbimi Sekret gjerman i para luftës. Trocky dhe Stalini nuk kishin këtë lidhje, por ata gjithashtu e ndihmuan Gjermaninë.

E gjithë Shtatmadhoria gjermane ishte pro-ruse dhe shumë mirënjohëse ndaj BRSS për ndihmën që iu dha Gjermanisë. I vetmi që e ktheu këtë simpati në urrejtje ishte Adolf Hitleri. Ai e kishte shprehur në shkrimet e tij urrejtjen ndaj Bolshevizmit, por ky fakt nuk e pengoi që të bënte marrëveshje me BRSS. Një aleancë mes Gjermanisë dhe BRSS mund ti kishte dhënë botës një histori krejt tjetër, ashtu siç mund t’i kishte dhënë përgatitja tre muaj më herët e bombës atomike nga Gjermania.

Strategjia e Hitlerit i qëndroi verbërisht ideologjisë së tij anti-bolshevike, si dhe dëshirës së tij për hapësira jetike në Lindje, kur ai kishte shtënë në dorë, pa bërë luftë, pothuajse të gjithë Europën.

Ai besoi deri në fund se mund të arrinte një marrëveshje me Britaninë, por ai nuk arriti të kuptonte se kjo ishte e pamundur, sepse Britania nuk mund të pranonte një Europë tërësisht nën kontrollin gjerman, edhe pse Hitleri deklaronte se ai nuk do ta sfidonte Britaninë në det, në Lindjen e Mesme apo në Azi dhe Afrikë.

Një aleancë Gjermani-BRSS, mund ta kishte nxjerrë me kohë Britaninë nga skena botërore, mund ta kishte kufizuar BRSS brënda hapsirës që BRSS kishte më 1939, dhe ta drejtonte atë drejt Azizë Qëndrore, kështu që nuk do të kishte pasur regjime komuniste në Europën Lindore (joruse).

Unë besoj se sulmi ndaj BRSS ishte gafë e madhe strategjike e Hitlerit, që i kushtoi atij luftën si dhe Gjermanisë 50 vite për të ri-arritur atë që Hitleri kishte më 1939. Gjermania ka sot në dorë pothuajse të gjithë Europën kontinentale.

A është ajo sot fuqi e madhe botërore? Unë besoj se pjesërisht po. Aq sa i duhet, se më shumë se kaq, e sjell përsëri Gjermaninë në përballje me USA.

Rritja e Kinës dhe antagonizmi gjeostrategjik USA-Kinë, besoj unë, është shansi i Gjermanisë për të qënë fuqi e plotë botërore në të gjitha aspektet, me një neutralitet të barazlarguar nga të dy superfuqitë, USA dhe Kinë, me marrëdhënie jo armiqësore me Britaninë dhe Rusinë.

Si përfundim, e theksoj edhe një here mendimin tim që sulmi ndaj BRSS (edhe pse unë e kam dashur me gjithë shpirt) ishte një gabim strategjik i Hitlerit, që i kushtoi luftën dhe ne na kushtoi kombin, aq sa edhe sot nuk po marrim akoma veten.

©Hajro Çini