Opinione

Lufta në Afganistan, humbja dhe mësimet që duhen nxjerrë - Nga Hajro Çini

SHBA po përjeton Waterloo-në e saj në Afganistan. Historia na mëson se kjo duhej pritur. Nuk ka fituar asnjë supërfuqi, deri më sot, në Afganistan, sidomos këta tre shekujt e fundit, Britania në shekullin 19, BRSS në të 20-in dhe SHBA në shekullin 21.

SHBA ka harxhuar mbi 2.3 trilion dollarë, pjesa dërrmuese e të cilëve nuk dihet se ku ka shkuar dhe asnjë lloj kontrolli nuk është në gjendje t’i gjejë. ka lënë disa mijëra të vrarë, disa mijëra të tjerë të plagosur dhe disa mijëra të tjerë me simptoma traumash dramatike. Mendohet se janë vrarë mbi 1.000.000 afganë.

SHBA jo vetëm që nuk e fitoi dot këtë luftë, jo vetëm që dështoi në mënyrë spektakolare, por humbi edhe statusin e pathyeshmërisë. SHBA, superfuqia e vetme e botës dhe Afganistani shteti më i varfër i planetit. Ushtria amerikane e pajisur me armatimin më të fundit ushtarak, ndërsa luftëtarët e lirisë me shpirtin e tyre patriotik dhe moralin e lartë. Një ndeshje e parametrave biblikë rreth 3.000 vjetë të shkuara ku Goliati superfuqi, thyen hundët përpara Davidit, një djaloshi imcak dhe të pafuqishëm. Megjithatë kjo humbje e turpshme nuk e rrezikon SHBA, veç në se nuk nxjerr mësime.

Pse u bë kjo luftë? A ishte realisht e provokuar?

Unë jam nga ata që e kam dënuar publikisht, që para se kjo luftë të fillonte. Administrat e Presidentit Bush Jr. e impresionuar me shkatërrimin total të prodhimit të heroinës dhe opiumit nga qeveria afgane, i akordoi 30 milion dollar. (Sot pas 20 vjetësh pushtim, që servilët e quajnë luftë për të "demokratizuar" Afganistanin, ky i fundi është vendi i parë në botë për prodhimin e Heroinës dhe opiumit - Talibanët e zhdukën, "çlirimtarët" perëndimorë, e bënë kampion botëror të prodhimit).

Pak kohë pak kësaj ndihme bujare, Dick Cheney i propozon qeverisë afgane ndërtimin e një tubacioni gazi natyror nëpër Afganistan, ku edhe qeveria afgane do të kishte fitimet e veta. Qeveria nuk e aprovoi këtë propozim. Në një bisedë telefonike midis Dick Cheney dhe Mulla Omarit, i pari i dha dy alternativa:

-Në se na lejoni do të përfitoni karpet floriri;

-Në se nuk na lejoni, do të ndesheni me karpet bombash;

Mulla Omari nuk u thye. SHBA gjeti si preteks 11 Shtatorin. Preteks shumë i dobët. Pse?

Së pari sulmi mbi SHBA ishte një krim makabër, ku humbën jetëm rreth 3.000 vetë të pafajshëm. E dënueshme! Absolutisht kriminale! Por është e çuditshme të besohet se nga disa shpella të prapambetura, pa elektrik, pa internet, pa asnjë mjet modern, të organizohet më një saktësi të jashtëzakonshme që brënda 20 minutash të rrëmbehen 4 avionë dhe të ndodhë ajo gjëmë.

Reagimi i fuqishëm ishte llogjik. Po pse të pushtohej Afganistani?

80% të terroristëve ishin nga “Barbaria Saudite” (lexo Arabia Saudite) dhe 20% nga Egjipti. Asnjë afgan. Të gjithë kishin jetuar në Gjermani dhe të gjithë pilotët kishin bërë shkolla pilotazhi në SHBA.

Nëse duhej sulmuar një vend, pse terroristët ishin prej andej duhej sulmuar “Barbaria Saudite” ose edhe Egjipti. Nëse duhej sulmuar për shkak se terroristët kishin jetuar në atë vend duhej sulmuar Gjermania, ose edhe ato shtete të vetë SHBA që i kishin stërvitur ata.

Afganistani nuk kishte pse sulmohej, për më tepër që ca superfuqi të tjera kishin thyer hundët atje.

Preteksi ishte ish-aleati i SHBA Osama Bin Laden me 150 pasues të tij (pra SHBA nuk mundi të mundte dot 150 vetë).

Afganistanit iu kërkua dorëzimi i tij. Mulla Omari mblodhi 100 shkollarët më të shquar islamikë të Afganistanit dhe u kërkoi mendim. Ata e pleqëruan dhe iu përgjigjën:

“Bin Laden është heroi i Afganistanit dhe kjo çështje ka shumë plane. Por ky status i tij, nuk e lejon atë të abuzojë me mirënjohjen afgane dhe të cënojë një shtet tjetër. Nëse SHBA paraqet prova se Bin Laden është përfshirë në 11 Shtator, Afganistani do ta dorëzonte atë në Hagë, të dënohej si kriminel atje.”

Përgjigje solomoniane, e mënçur, e urtë, e ndershme dhe e drejtë.

Por klika Cheney-Rumsfeld dhe ata errësirat prapa tyre, nuk ishin të interesuar as për të drejtën as për të gjetur fajtorin. Ata donin, si Irakun pak më vonë, të hynin dhe ta shfrytëzonin për xhepat e tyre Afganistanin.

SHBA duhet të nxjerrë mësime të vlefshme nga ky dështim total.

Së pari ajo duhet të hetojë pse Kongresi i dorëzoi Shtëpisë së Bardhë të drejtën e tij Kushtetuese për të deklaruar luftën, së dyti duhet të hetojë kush e panifikoi atë luftë dhe së treti SHBA duhet të sanksionojë në Kushtetutë që cilido që shpall luftë, ose voton për luftë duhet të jetë në ballë të saj vetë, ose fëmijët e tyre.

Aleksandri i Madh, Pirro, Perandorët Romakë, Sulltanët Osmanë ishin vetë në ballë të luftës, prandaj dhe morali i ushtrisë së tyre ishte i pathyeshëm.

Mendimtari i shquar i kohës Taleb shkruan:

Ka ardhur koha që politikëbërësit amerikanë të kuptojnë se sa më shumë që ndërhyjnë në vende të tjera për hir të stabilitetit, aq më shumë ata sjellin paqëndrueshmëri (përveç rasteve të ndonjë gjendje të jashtëzakonshme). Ose ndoshta është koha për të reduktuar rolin e politikëbërësve në çështjet e politikave ("Antifragile", Taleb faqe 107).

Tani bota ndeshet me problemin e refugjatëve Afganë. Ata janë moralisht të shkatërruar, sepse punuan me pushtuesin, por nga ana njerëzore edhe për ta duhet bërë kujdes. Çdo shtet i NATO, Shqipëria përfshirë, që dërgoi trupa në Afganistan, e ka për detyrë morale që t’i strehojë sot ata. Por kjo duhet ndarë sipas sasisë së pjesëmarrjes ushtarake në Aganistan. USA duhet të marrë direkt, pa i kaluar nëpër vënde të treta, pjesën më të madhe të refugjatëve. Është e pandershme që ti dërgojë në vende të treta për disa kohë, deri sa të zhvillohet proçesi emigrimit.

©Hajro Çini