Opinione

Është koha që Joe Biden të thotë “enough is enough” - Nga Agim Aliçkaj

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave dhe njohja nga të gjitha shtetet e Unionit Evropian është e vetmja zgjidhje

Dialogu i mbrapshtë dhe i dështuar me Serbinë

Bisedimet e deritanishme me Serbinë ishin të mbrapshta, me pjesëmarrës të mbrapshtë. Ata kanë dështuar plotësisht. Për perëndimin ishin të kota, për Kosovën të dëmshme dhe nënçmuese, për Serbinë me përfitime dhe shtim të oreksit për grabitjen e mëtejshme të tokave shqiptare.

Nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje e përhershme duke përkëdhelur agresorin serb dhe duke bërë presion mbi viktimën shqiptare. Kjo politikë e padrejtë dhe e dështuar duhet të ndryshojë urgjentisht. Mjaft është mjaft!

Kusht themelor për të patur dialog konstruktiv dhe arritur sukses është që Serbia të shërohet nga sëmundja e rëndë e urrejtjes për fqinjët, sidomos për shqiptarët. Ajo jeton ende me ëndrra për dominim në Ballkan. Ka nevojë të shkundet mirë dhe të zgjohet nga gjumi i mesjetës, t’i kthehet civilizimit, të paqëtohet dhe denazifikohet. Përndryshe, të gjitha palët do të kënaqen duke biseduar kot edhe për 100 vite të tjera.

Delegacioni i Kosovës me në krye Kryeministrin Kurti e ka filluar me mençuri dhe kompetencë dialogun e vështirë me shtetin armiqësor dhe anormal serb. Kërkimi i përgjegjësisë për të kaluarën dhe propozimet konstruktive paqësore për të ardhmen janë strategji e qëlluar dhe formula e vetme për fitore.

Pjesëmarrja amerikane në dialog     

Dialogu mund të udhëhiqet nga Evropa, por nuk mund të mbyllet me sukses kurrë pa pjesëmarrjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kurrën e kurrës! Populli shqiptar e do dhe i beson Amerikës si simbol i demokracisë, forcës dhe drejtësisë. Pa Amerikën nuk ka drejtësi të vërtetë për Kosovën dhe nuk ka garanci për implementimin e çfarëdo marrëveshjeje. Interesat strategjike të kombit amerikan, shumicës së kombeve evropiane dhe kombit shqiptar janë të njejta. Amerika është i vetmi shtet në botë, i cili mund ta kundërshtojë përkrahjen ruse për dominimin serb në Ballkan.

Mediatorët në dialog duhet të jenë të paanshëm, dhe ky është minimumi. Përfaqësuesi evropian Miroslav Lajçak nuk e plotëson këtë kusht. Me kërkesën e tij për ndryshim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me qëllim të zbatimit të marrëveshjes anti-kushtetuese për asociacione të pastra etnike serbe ai ka dalë kundër Kosovës dhe vlerave multi-etnike evropiane dhe amerikane. Ai i përngjanë më shumë zëdhendësit serb se sa ndërmjetësit të paanshëm në konflikt. Prandaj, është mirë që të tërhiqet nga detyra me përgjegjësi e mediatorit.

Pritet që Presidenti Biden ta caktojë përfaqësuesin amerikan i cili duhet të inkuadrohet urgjentisht në bisedimet e Brukselit. Kjo detyrë nuk duhet t’i besohet diplomatëve si Z. Palmer. Edhe pse me kualifikime të larta për punë diplomatike, vetëm fakti se është dhëndër serb e diskualifikon atë plotësisht. Në mungesë të ish-ambasadorit pro-serb Grenell, ai e tregoi qëndrimin e tij të vërtetë duke bërë presion mbi palën kosovare për zbatimin e marrëveshjes së dështuar të Washingtonit, të cilën Serbia e ka shkelur me të dyja këmbët pa kurrfarë konsiderate për Amerikën.

Marrëveshja e z. Grenell për të ashtuquajturin “normalizim të marëdhënieve ekonomike” midis Kosovës dhe Serbisë është një nga marrëveshjet më të çuditshme të “negociuara” ndonjëherë. Është iluzion të besohet në “normalizimin” e marrëdhënieve ekonomike mes agresorit dhe viktimës, ndërsa agresori nuk e njeh dhe përpiqet hapur ta shkatërrojë viktimën. Z. Grenell e orkestroi këtë lojë për të marrë votën serbo-amerikane për Presidentin Trump, por prap se prapë i humbi zgjedhjet. Populli amerikan e shpëtoi Kosovën kësaj here.

Lobizmi në Amerikë 

Ekziston vetëm një mënyrë për t’u përballur me politikanët jodiplomatë e të njëanshëm si ish-ambasadori Grenell, aktiviteti lobist në Washington. Ata mund të thirren nga Komitetet për marrëdhënie me botën e jashtme të Kongresit në seanca dëgjimore dhe të merren në pyetje për të shpjeguar dhe arsyetuar qëndrimet dhe marrëdhënjet e tyre me vendet pro-ruse dhe anti-amerikane si Serbia.

Dhe ka vetëm një Lob që mund ta bëjë atë siç duhet, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga aktivistët dhe ekspertët shumë të njohur e të suksesshëm për të drejtat njerëzore dhe kombëtare shqiptare, ish-kongresmeni Joe DioGuardi dhe Znj. Shirley Cloyes DioGuardi. Ndër të tjera, Liga e ka kundërshtuar me sukses ish-Sekretarin e Shtetit Lawrence Eagleburger, i cili kishte simpati dhe lidhje me Serbinë, si dhe e ndaloi ish-Ambasadorin Robert Gelbard të shpallte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës një organizatë terroriste.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është e vetmja organizatë e regjistruar, e pakompromis dhe e palëkundur e lobimit shqiptaro-amerikan në Washington. Puna e saj me përkushtim për pavarësinë e Kosovës dhe të drejtave të mbarë kombit shqiptar është legjendare. Kjo mund të vërtetohet duke e vizituar web-faqen e saj aacl.com. Pothuajse çdo senator dhe kongresmen amerikan, përfshirë ata shumë të rëndësishem si Biden, Dole, McCain, Lantos, Gilman, Hyde, Ros-Lehtinen dhe shumë të tjerë u informuan nga Liga për çështjen e drejtë shqiptare dhe dolën në mbështetje të kërkesave për liri dhe demokraci.

Puna historike e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ende nuk është vlerësuar dhe pranuar si duhet nga kombi shqiptar, veçanërisht nga Republika e Kosovës. Është koha që Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti të bëjnë gjënë e duhur, atë që paraardhësit e tyre të korruptuar në qeverisje nuk deshën ta bëjnë, të fillojnë procesin e ndërtimit të një Statuje dhe emërtimin e një sheshi ose rruge të rëndësishme kushtuar Joseph J. DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit. Pa ata historia e arritjes së pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë e vërtetë dhe e plotë.

Ka individë dhe organizata të tjera që kanë qenë dhe mund të merren me aktivitete lobimi. Çdo shqiptaro-amerikan ka të drejtë dhe detyrë për të ndihmuar të dyja kombet në mënyrë dhe me mundësi të veta. Por është me rëndësi të mos ngatërrohen lobizmi me diplomacinë. Përfaqësuesit nga shtetet tona të vendlindjes janë ata që bëjnë diplomaci, me mençuri dhe respekt për zyrtarët amerikanë. Për të marrë mbështetjen e nevojshme nga Amerika për çështje të rëndësishme, ata mund të paraqesin argumenta dhe fakte në takime të mbyllura pa konfrontime të panevojshme publike.

Lobistët nuk kanë nevojë të bëjnë diplomaci. Ata janë tatimpagues amerikanë që kanë të drejtë të përkrahin politika të mira ose të sfidojnë politika të gabuara të një administrate të caktuar përmes Kongresit Amerikan. Nuk ka kurrfarë kuptimi të mbështeten dhe lavdërohen zyrtarë si ish-Ambasadori Grenell për kinse “punë të mirë”, gjatë kohës kur ai, në koordinim me qeveritarët e korruptuar dhe të shitur të Kosovës, po shkatërronte demokracinë në Kosovë dhe po përpiqej t’i jepte Serbisë qasje në tokat dhe ujërat shqiptare. Ky nuk është lobim në të mirë të kombit. Ngjan më shumë në një veprimtari të kundërt, anti-lobim për të marrë trajtim të favorshëm nga një zyrtar amerikan dhe për dukje personale.

Zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

Marrëveshje ndërkombëtare ka plot, por pjesa më e madhe e tyre ndryshohen, anulohen ose nuk zbatohen. Implementohen vetëm ato të cilat janë të dobishme për të gjitha palët dhe ato për të cilat vendosen garanci të sigurta e të pathyeshme. Kjo varet nga qeverisja aktuale e një shteti e cila e vlerëson se a është një marrëveshje e caktuar në interes të popullit dhe shtetit.

Amerika i ndryshon marrëveshjet sipas ineresit sepse është e fortë.  Serbia i nënshkruan marrëveshjet me qëllim mashtrimi dhe nuk i zbaton ato sepse është e poshtër, e toleruar nga perëndimi dhe e përkrahur nga Moska. Kosova nuk ka nevojë t’i zbatojë marrëveshjet e dëmëshme kur e ka drejtësinë në anën e vet. Pra, Marrëveshja e Brukselit për asociacione serbe dhe ajo e Washingtonit për normalizim ekonomik nuk janë detyruese për Kosovën.

Zgjidhja e konfliktit

Mundësia që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës me bisedime është joreale. Për këtë arsye, për interesa strategjike, në mbrojtje dhe përmbyllje me sukses të investimit në Kosovë, ka ardhur koha që Presidenti Biden, si Presidenti Bush në Qershor të vitit 2007, të thotë “Enough is enough”. Askush nuk e njeh situatën në Evropën Juglindore dhe konfliktin e Kosovës me Serbinë më mirë se Presidenti Joseph Biden. Ta anëtarësojë në NATO shtetin më pro-Amerikan në botë dhe ta bindë Evropën për liberalizim të vizave dhe fillim të procesit afatgjatë të hyrjes së Kosovës në Bashkimin Europian. Kjo është zgjidhja e vetme reale në këtë moment.

Serbia dhe Rusia nuk mund ta ndalojnë këtë gjë në asnjë mënyrë. Ndoshta kjo e ndihmon Serbinë të zgjohet nga gjumi shekullor dhe të fillojë me ndryshime të nevojshme të kthimit në botën e civilizuar dhe të pajtohet me realitetin se pavarësia e Kosovës është e përjetëshme.

Po ashtu, ka ardhur koha që Amerika dhe Evropa të ia ndalin turrin diktatorit shovinist serb Vuçiç dhe shërbëtorëve të tij, Kryeministrit Rama të Shqipërisë, Kryeministrit Zaev të Maqedonisë Veriore dhe Milorad Dodikut të Bosnjes, të cilët janë vënë në shërbim të hegjemonoizmit ruso-serb duke e destabilizuar Ballkanin dhe gjithë Evropën. Agjenda e tyre e ashtuquajtur “Ballkan i hapur” është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat europiane dhe amerikane.

Përfundim 

-Serbia nuk ndalohet me lëshime e ledhatime, veç me konfrontim të fortë dhe presion serioz, me diplomaci dhe metoda demokratike. Ata që trumbetojnë se duhet për t’i dhënë diçka duhet të shpallen “budallenjtë më të mëdhenj të shekullit XXI”.

- Kosova nuk ka qenë as nuk do të bëhet kurrë “djepi i civilizimit serb” siç gënjen Serbia. E vërteta është se, siç thotë veprimtari Bardhyl Mahmuti “Kosova është djepi i barbarisë dhe gjenocidit serb kundër popullit shqiptar” dhe Kryeministri Kurti “Serbia ka hyrë në Kosovë me gjenocid dhe ka dalë me gjenocid”. Dhe, siç do të thoshte mbarë kombi shqiptar “Kosova është varri i shovinizmit, hegjemonizmit, ekspansionizmit dhe barbarisë së shtetit jocivilizues serb”.

-Nuk ekziston asnjë mënyrë dhe asnjë mundësi që Serbia ta nënshtrojë Kosovën, pa dorëzim nga vetë populli shqiptar. Nuk mund ta nënshtrojnë as Vuçiçët, as Putinët, as Grenellët, as Ramat dhe as përkrahësit e tyre brenda dhe jashtë Kosovës.  Kombi shqiptar është i fortë dhe nëse organizohet si duhet, i kontrollon dy shtete dhe mund të luajë rol të rëndësishem edhe në katër shtete tjera, drejt bashkimit kombëtarë në Bashkimin Europian.

-Liria, integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk mund të negociohet nga askush dhe me askënd. Populli i lavdishëm i Dardanisë e ka paguar atë me gjak dhe sakrifica të pafundme.      

*Autori është anëtar i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës.

©Agim Aliçkaj