Iraku ka nevojë për qeverisje të pavarur dhe jo “trajnime” - Nga Eric Margolis
A do të largohen vërtet trupat pushtuese amerikane nga Iraku? Kjo është pyetja së cilës Uashingtoni nuk po mundet t’i përgjigjet. Shtëpia e Bardhë deklaron se data zyrtare e lamtumirës së gjatë është ky muaj, Gusht 2021.
Donald Trump lajmëroi një tërheqje të forcave të SHBA qëkur ishte ende në detyrë, por afati i tij u injorua nga administrate e re e Biden, e cila ka qenë gjithashtu nën një presion në rritje për t’i dhënë fund pushtimit prej dy dekadash të Mesopotamisë. Demokratët donin një përfundim total të luftës nisur prej SHBA që në 2003. Republikanët, lumturisht të pavetëdijshëm për realitetet e Lindjes së Mesme, urdhëruan dërgimin e më shumë trupave në Irak.
Pas humbjes së rreth 4,431 trupave dhe 8,000 mercenarëve (përdryshe “kontraktorë”) dhe 1,145 trupa nga aleatët e detyruar për t’u përfshirë në konfliktin e Irakut dhe 31,994 të plagosurve - shumica me dëmtime serioze në kokë prej bombave nëpër rrugë - Uashingtoni ndërroi marshet në Irak dhe adoptoi sistemin e vjetër kolonial të perandorisë Britanike.
Kjo e fundit e krijoi Irakun në 1920 prej rrënojave të shuarjes së Perandorisë Otomane, për të siguruar zotërimin e naftës së pashtershme të Mesopotamisë. Atëbotë, marina e fuqishme mbretërore po kalonte nga përdorimi i qymyrit tek nafta. Iraku u bë kështu depoja e furnizimit të Britanisë me karburant.
Londra vendosi në krye të vendit një mbret formal nga tribuja e Hashemitëve, që kishte mbështetjen e xhandarmërisë lokale, trupave ushtarake britanike dhe më e rëndësishmja atë të Forcave Ajrore Mbretërore.
Në 1920, Winston Churchill miratoi që RAF (Royal Air Forces) të bombardonte me gaz helmues fiset kryengritëse Arabe dhe Kurde. Britanikët e thyen rezistencën vendase në Irak, ndërkohë që paturpësisht denonconin Italinë fashiste për përdorimin e gazit helmues kundër rebelëve nacionalistë Libianë.
RAF bombardoi dhe furnizoi rebelët irakenë deri në fund të 1940. Forcat Ajrore Britanike luajtën një rol kyç në shtypjen e kryengritësve nacionalistë të udhëhequr nga Rashid Ali, reputacioni i të cilit ishte njollosur si pro-fashist nga shtypi imperial.
SHBA rrjedhimisht adoptoi sistemin kolonial me kosto të ulët për të qeverisur Irakun. Avionët luftarakë të SHBA u stacionuan në 6 ish-baza ajrore irakene, duke u bërë kështu zbatuesit kryesorë të pushtimit. Trupat amerikane u rralluan. Deri më 2020, kjo punë ishte kryer kaq mjeshtërisht saqë prezenca e SHBA në Irak ishte bërë e padukshme.
Iraku ishte pushtuar nga forcat perëndimore, por dukej si një vend i pavaruar me një president SHBA-je të instaluar si dhe degë drejtuese. Zonat Kurde në Veri u bënë mini-shtete virtuale të drejtuara nga SHBA. Lëvizja e marrë ISIS u shua plotësisht nga Forcat Ajrore Amerikane dhe Milicia irakene. Si një falenderim, ushtaraku Iranian gjeneral Qasem Soleimani, u urdhërua të vritej nga Presidenti Trump pasi u josh për bisedime mbi paqen.
Iraku ishte një nga shtetet më të përparuara në botën arabe dhe një aleat amerikan - para vitit 1991. Sot, ai gjendet në gërmadha, i copëtuar nga Forcat Ajrore Amerikane, luftërat civile dhe konflikti sektar.
Presidenti George W. Bush u bind nga militaristët, veçanërisht Dick Cheney dhe Donald Rumsfeld, pas presionit të fortë nga grupet pro-izraelite në SHBA dhe bashkëpunëtorët e tyre në media, për të pushtuar Irakun.
Skifterët e Uashingtonit planifikuan të përdorin Irakun e pushtuar nga SHBA si një bazë qendrore për të dominuar të gjithë Lindjen e Mesme dhe për të rrëmbyer naftën e saj.
Fitorja e artë në Irak e premtuar nga neokonservatorët u shndërrua në hi, duke e lënë Uashingtonin të mbërthyer thellë në një vend të shkatërruar të pakontrollueshëm, prej të cilit madje do duhej të importonte naftë.
Në një moment, dalë jashtë shinave, neokonservatorët e Uashingtonit pretenduan se Iraku kishte një flotë anijesh në Oqeanin Atlantik me dronë “vrasës” për të sulmuar Amerikën e fjetur.
Iraku u godit dhe u shkatërrua aq shumë pas tre dekadash bombardimesh dhe luftërash saqë nuk vlente pothuajse asgjë. Duke u përballur me kërcënimin e një lufte guerile, administrata e re, më e vjetër dhe më e mençur e Joe Biden njoftoi se do të tërhiqte të gjitha trupat luftarake amerikane nga Iraku, por duke lënë 2,500 prapa për “trajnim” dhe sigurinë e ambasadës (Ambasada amerikane e Bagdadit e mirë fortifikuar është një nga më të mëdhatë në botë). Osama Bin Laden i quajti ambasadat amerikane në Bagdad dhe Kabul, “kështjella moderne të kryqtarëve”.
“Trajnimi” është një shaka pa kripë. Iraku ka qenë në luftë pothuajse të vazhdueshme që nga viti 1980. Irakenët kanë nevojë për besnikëri, krenari dhe patriotizëm për të qenë luftëtarë efektivë. Kush ka nevojë për trajnim nga forcat e armatosura që u goditën në Vietnam dhe tani në Afganistan?
Iraku ka nevojë më shumë për një qeveri të vërtetë kombëtare, sesa një bandë mashtruesish të korruptuar dhe agjentë të huaj në Bagdad.
Presidenti Saddam Hussein parashikoi se SHBA do të përballej me “nënën e të gjitha betejave” në Irak. Ai kishte të drejtë.
© Eric S. Margolis, 2021
Shënim: Autori i ka dhënë portalit Flasshqip të drejtën e publikimit të artikujve të tij në anglisht dhe shqip.












