Opinione

Edhe një herë për politikën e Jashtme të SHBA - Nga Hajro Çini

Si dashamirës i SHBA (dhe adhurues i saj para 1990) e kam ndjekur, me shumë vëmëndje dhe nga afër aktivitetin e saj këto 30 vitet e fundit, si dhe kam biseduar me politikanë kanadezë të kohës së Luftës së Ftohtë.

Kam arritur të kuptoj se SHBA është aq e e shumëllojshme, sa është shumë e vështirë të përcaktohet saktë. Megjithë një linje konstante të dominimit të botës, ajo ka aq shumë rryma në politikën e saj, që janë aq larg njëra tjetrës, sa më shumë të duket se janë shumë më antagoniste se sa ka qënë Bashkimi Sovjetik kundër SHBA.

SHBA ka një ligj që lejon lobimin. Ky proçes e ka korruptuar aq shumë politikëbërjen amerikane, sa është vështirë të gjesh ndonjë parim në të.

Unë nuk di ndonjë rast tjetër, veç ndërhyrjes në Kosovë, që të tregojë se SHBA (politika e saj) di se çfarë bën. Mua më duket se Departamenti i Shtetit është armiku më i madh i SHBA, sepse në vënd që të përpunojë politika të mënçura, vetëm krijon probleme dhe pastaj SHBA detyrohet të fusë ushtrinë për t’i zgjidhur, dhe që në fakt as në këtë aspekt nuk ka arritur ndonjë gjë veç shkatërrimit në masë dhe derdhjes së gjakut të pafajshëm.

Më 1956 dy fuqi të mëdha kolonialiste, Franca dhe Anglia, sulmuan ushtarakisht Egjyptin, vetëm pse qeveria e Egjyptit vuri sovranitetin mbi kanalin e Suezit. Atë kohë President i SHBA ishte Aizenhauri. Ai kërcënoi të dy vendet agresive se në se nuk e ndërpresin menjëherë luftën kundër Egjyptit, SHBA do të dalë, ushtarakisht, në krah të Egjyptit. Ndjenjat e dashurisë, respektit dhe adhurimit për SHBA u ngritën në qiell në Egjypt, Lindjen e Mesme, në të gjitha vendet arabe dhe në të gjithë botën Islamike. Sot, në sajë të idiotësive që ka bërë SHBA pas 1960, urrehet kudo në këto vende.

Shihet qartë se Vietnami ka një rëndësi të jashtzakonshme gjeostrategjike për SHBA. Kështu ka qënë historikisht, sepse Vietnami ka qënë gjithnjë i kërcënuar ose nga Japonia para 1945, ose nga Kina pas 1949, dhe si i tillë kishte interesa të ishte në krahun e SHBA. Mirëpo në vënd që të ndërtonte marrëdhënie me Vietnamin, hyri ushtarakisht atje, bedel për Francën, që ishte thyer ushtarakisht. Politika amerikane nuk e kuptonte (deri kur në Shtëpinë e Bardhë erdhi Nikson), se sa i rëndësishëm ishte Vietnami. Nikson ishte i pari që e kuptoi, pjesërisht prej dështimit ushtarak për ta nënshtruar Vietnamin, megjithëse bëri gjenocid atje, dhe pjesërisht sepse Kina po rritej.

SHBA nuk ka fituar absolutisht asnjë luftë në Azi, veç asaj kundër Japonisë më 1945, dhe atë me ndihmën e armatimit bërthamor, përdorja e të cilit ishte një krim i shëmtuar lufte kundër njerëzimit. Pas kësaj veçse ka dështuar, kudo. Më turpshëm në Afganistan, kur kishte tre shëmbuj të dështimit britanik në dy shekuj, si dhe atë sovjetik në fund të shekullit XX.

Nëse amerikanët dinin se çfarë bënin në politikën e tyre te Jashtme, do të duhej t’i kishin kursyer njerëzimit ato miliona të vrarë në Azi.

Pak muaj më pare, presidenti prorus i Kirgiztanit masakroi zgjedhjet e përgjithshme. I pari që i njohu, pa u shprehur akoma OSBE, ishte ambasadori Amerikan Don Lu. (ai që shkatërroi rendin kushtetues të Shqipërisë më 2015). Mirëpo populli i atij vendi doli në rrugë që ditën e parë dhe zgjedhjet u anulluan. Presidenti i Kirzistanit ia mbathi për në Rusi. Opozita antiruse u zhgënjye plotësisht me SHBA, por e zgjidhi vetë problemin (se SHBA nuk di të zgjidhë asgjë). Don Lu mbështeti presidentin prorus dhe fill pas këtij momenti mori një post më të lartë në DASH.

SHBA është në pikën e hallit në Azinë Qëndrore, për të krijuar ndonjë aleancë, dhe të gjitha urat ia djegin diplomatët e saj. A thua se ata janë diplomatë të Rusisë.

Në Lindjen e Mesme, shpesh SHBA bën luftra jo për interesa të saj, por për ato të Izraelit, duke fituar urrejtjen e justifikuar të vendeve që ajo sulmon pa pikë logjike.

Çfarë arriti të fitojë SHBA që destabilizoi Shqipërinë më 1997? Absolutisht asgjë. Çfarë arriti SHBA që shkatërroi më 2015 (dhe vazhdim) rendin kushtetues të Shqipërisë, me “ramaformën" e Sistemit të Drejtësisë? Absolutisht asgjë, madje u keqpërdor nga Krimi i Organizuar, Soros dhe Mafia Ndërkombëtare.

A tregon kjo mënçuri apo maturi të politikës amerikane?

Unë besoj se është totalisht idiotësi pa absolutisht asnjë vlerë dhe arritje.

Një nga mëndjet më të ndrituar të njerëzimit, Profesor Nassim Nicholas Taleb ka kohë që ka shprehur një mendim shumë të vlefshëm:

"Ka ardhur koha që politikëbërësit amerikanë të kuptojnë se sa më shumë që ndërhyjnë në vende të tjera, për hir të stabilitetit, aq më shumë ato sjellin paqëndrueshmëri (përveç rasteve të ndonjë gjendje të jashtëzakonshme). Ose ndoshta është koha për të reduktuar rolin e politikëbërësve në çështjet e politikave". ("Antifragile" Taleb, faqe 107. Blinken po vërteton çdo ditë postulatin madhështor të Talebit)

Thënë shkurt, SHBA nuk di se çfarë bën në politikën e Jashtme. Ne si shqiptarë kemi dy lloj përvojash me SHBA. Në të dy ekstremet, na kanë ndihmuar të qëndrojmë në hartë më 1919, kur Europa u përpoq të na hiqte nga harta, na çliroi Kosovën më 1999, na e pavarësoi më 2008.

Kemi edhe ekstremin tjetër, atë të 1997, kur na shkatërroi gjithçka (si një lopë që pasi na ka mbushur kazanin me qumësht, shkon edhe e derdh atë plotësisht). Na ka shkatërruar Rendin Kushtetues, kur na la pa Gjykatë Kushtetuese për më shumë se 4 vjet dhe me një gjyqësor jo funksional dhe totalisht të paaftë tani, apo kur rrëzoi, pa asnjë shkak, dhe për llogari të Beogradit si dhe Krimit të Organizuar apo korrupsionit, qeverinë Legjitime Kurti I.

Prandaj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me entuziazmin tonë ndaj SHBA. Ambasadorët e saj duhen injoruar totalisht, si frymorë të padenjë, arrogantë dhe dëmtues.

©Hajro Çini