Opinione

Bartolomeu nis pavarësimin e Kishës Ukrainase nga Kisha Ruse

Nga: Shaban Murati

Ukraina, populli dhe Kisha Ortodokse Ukrainase morën një lajm të gëzuar në 22 prill, kur Patriarkana Panbotërore e Stambollit njoftoi fillimin e procedurës për krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse në territorin e Ukrainës.

 Portali ukrainas “unian.net”, njoftonte në 23 prill se Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës kishte shqyrtuar çështjen e autoqefalisë për Kishën Ortodokse Ukrainase. Portali rus “rbc.ru” njoftonte në 23 prill se sesionin e Sinodit, ku është shqyrtuar kërkesa e Kishës Ortodokse Ukrainase për autoqefali, e drejtonte vetë Patriarku Bartolomeu.

Komunikata e Sinodit të Shenjtë, e publikuar pas mbajtjes së sesionit të posaçëm, thekson se ka marrë nga autoritete kishtare dhe civile të Ukrainës, që përfaqësojnë miliona kristianë ortodoksë, kërkesën për krijimin e autoqefalisë. Komunikata e Sinodit të Shenjtë thekson gjithashtu se “si kisha e vërtetë mëmë, Patriarkana Panbotërore, ka shqyrtuar çështjet, që lidhen me situatën kishtare në Ukrainë”.

Gëzimi i ligjshëm mbarëpopullor, që përshkoi Ukrainën me rastin e këtij njoftimi nga Patriarkana Panbotërore lidhet me përpjekjet e vazhdueshme dhe të mundimshme të Kishës Ortodokse Ukrainase që pas pavarësimit të Ukrainës në 1991, të sanksiononte autoqefalinë e saj dhe pavarësinë e saj nga Kisha Ortodokse Ruse. Sepse edhe pas pavarësimit të Ukrainës me prishjen e Bashkimit Sovjetik, Kisha Ortodokse Ruse është përpjekur dhe përpiqet edhe sot e kësaj dite që të mbajë nën varësi kishat dhe institucionet fetare të shteteve që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Kisha ruse dhe shteti rus pengojnë me çdo mjet popujt dhe shtetet e tjera që të krijojnë kishat e tyre kombëtare të pavarura. Veprimtaria dhe roli hegjemon i Kishës Ortodokse Ruse mbi kishat dhe institucionet fetare në shtetet që dolën nga ish- Bashkimi Sovjetik, u intensifikuan sidomos pas ardhjes në fuqi të Presidentit Vladimir Putin në vitin 2000 dhe shpalosjes së platformës së tij për rivendosjen në një formë apo tjetër të kontrollit dhe të varësisë nga Moska për gjithë ish-republikat sovjetike.

Presidenti Putin i dha Kishës Ortodokse Ruse rolin e posaçëm të instrumentit të strategjisë globale të politikës së jashtme të Rusisë. Në një analizë me titull “Kisha e ringjalljes së Bashkimit Sovjetik”, botuar në vitin 2009, kam shkruar: “Bashkimi fetar me Rusinë e shenjtë konceptohet të ndërtohet mbi bazën e mohimit të së drejtës së popujve të shteteve, që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, për të pasur edhe kishën e tyre kombëtare. Nuk është e rastit lufta e egër frontale, që kisha ortodokse ruse ka ndërmarrë kundër kishave ortodokse kombëtare të shteteve të tjera, siç është rasti me Kishën Ortodokse Autoqefale të Ukrainës, të cilën Patriarkana e Moskës, me në krye Kirillin, nuk e njeh dhe e lufton ta shkatërrojë me të gjitha mjetet”. (“Rusia ballkanike”, Tiranë, 2014, fq.67)

Është e rëndësishme të theksohet se në kërkesën e Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe të popullit ukrainas për autoqefali, shprehet një kohezion i fortë shpirtëror dhe kombëtar midis kishës dhe popullit ukrainas. Kërkesën për autoqefalinë, sipas rregullit kanonik, e bënë zyrtarisht autoritetet më të larta kishtare ortodokse të Ukrainës si Kisha Ortodokse Autoqefale e Ukrainës dhe Kisha Ortodokse Ukrainase-Patriarkana e Kievit. Rada e Madhe e Ukrainës, Parlamenti, e mbështeti plotësisht kërkesën për autoqefalinë e Kishës Ortodokse Ukrainase. E ka mbështetur fuqimisht edhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, i cili në datën 9 prill zhvilloi edhe një takim në Stamboll me Patriarkun Ekumenik, Bartolomeu.

Populli ukrainas dhe Kisha Ortodokse Ukrainase janë të ndërgjegjshëm se çështja e autoqefalisë është një çështje e madhe shpirtërore dhe kombëtare, çështje e pavarësimit të kishës ukrainase dhe shprehje e identitetit ukrainas dhe e pavarësisë së vërtetë të vendit nga Rusia. Primati ortodoks i Ukrainës, Fillareti, ka deklaruar se një Ukrainë e pavarur meriton një kishë kombëtare vërtet të pavarur nga Moska. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko deklaroi në 24 prill se, “Kisha Ortodokse Autoqefale Ukrainase është një element kyç për shtetësinë dhe për pavarësinë tonë. Kjo kishë mbron shpirtin ukrainas”.

Nisja nga Patriarkana Panbotërore e procedurës së autoqefalisë dhe të pavarësimit të Kishës Ortodokse Ukrainase shkaktoi tërmet në Kishën Ortodokse Ruse dhe në udhëheqjen e Rusisë, sepse ata shohin tek autoqefalia e Kishës Ukrainase shkëputjen e plotë të Ukrainës nga influenca dhe kontrolli shpirtëror, fetar dhe politik rus. Kundërshtimin për autoqefalinë e shprehu në nivele të larta zëdhënësi i Presidentit rus, Dmitri Peskov, duke e kritikuar si “aksion, që synon përçarjen e kishave”.

Deputeti i Dumës ruse, Vitalij Millonov deklaroi se, “Bartolomeu nuk ka të drejtë të vendosi për këto gjëra. Është e pamundur t’i japë autoqefalinë Kishës Ortodokse Ukrainase, sepse ky është territor i kishës ortodokse ruse”. Agjencia ruse “Rianovosti” shkruante në 23 prill se Kisha Ortodokse Ruse është kundër këtij vendimi të Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës së Stambollit. Kundërshtimin zyrtar ndaj autoqefalisë së Kishës Ortodokse Ukrainase e përsëriti në 19 prill, në emër të Kishës Ortodokse Ruse, Drejtori i Departamentit të lidhjeve të jashtme të Kishës së Patriarkanës së Moskës, mitropoliti Hilarion, i cili deklaroi se “as Patriarkana e Kostandinopojës, as ndonjë kishë tjetër, nuk mundet njëanshmërisht të deklarojë autoqefalinë e kësaj apo asaj kishe”.

Kundërshtimi dhe bllokadat, që nxjerr Kisha Ortodokse Ruse ndaj vendimit të Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Panbotërore për të nisur procesin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Ukrainase, shprehin frymën hegjemoniste që Kisha Ruse kërkon të vendosë mbi të gjitha kishat dhe patriarkanat ortodokse nëpër botë. Kisha Ruse bën sikur harron që Patriarkana Panbotërore e Stambollit është kisha mëmë, që ka autoritetin dhe kompetencën e plotë të akordimit të tomosit apo lejes së autoqefalisë të kishave kombëtare.

Kisha Ruse është një nga kishat kombëtare ortodokse, si gjithë të tjerat, pavarësisht nga madhësia e numrit të besimtarëve, dhe ajo duhet t’i nënshtrohet disiplinës dhe rregullave shekullore të Patriarkanës Panbotërore. Duke kundërshtuar të drejtën e Patriarkanës Panbotërore për të përcaktuar statusin e kishave kombëtare, Kisha Ruse synon që të përvetësojë autoritetin e Patriarkanës Panbotërore dhe të marrë rolin e qendrës botërore ortodokse.

Pretendimi i Kishës Ruse është antikanonik dhe jashtë të drejtës së saj kishtare. Presidenti i Ukrainës, Poroshenko, deklaroi në 24 prill se “Askush, përfshirë edhe Kirillin, nuk ka veto në vendimet e Patriarkut Ekumenik. Ai nuk kërkon leje nga Kirilli. Do të ishte një skenar ideal për mua që bashkë me Patriarkun Bartolomeu, të gjithë kishat ortodokse, përfshirë edhe patriarkun rus, të konfirmojnë autoqefalinë tonë. Kjo është mënyra e vetme për Rusinë të pastrojë veten të paktën në një farë mënyre nga masakrat dhe mëkatet e kryera prej ushtrisë ruse, prej propagandistëve rusë dhe disa herë prej priftërinjve rusë në territorin e Ukrainës”.

Patriarkana Panbotërore e Stambollit ka bërë të ditur se ajo do të konsultohet edhe me kishat e tjera kombëtare lidhur me autoqefalinë e Kishës Ortodokse Ukrainase. Është rasti për të theksuar këtu se do të ishte në nderin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë që të mbështesë kërkesën e Kishës Ukrainase për autoqefalinë. Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka një histori të ngjashme dhe të mundimshme për realizimin e autoqefalisë së saj, njësoj si kisha ukrainase.

Kisha Ortodokse Shqiptare, për të drejtën e autoqefalisë së vet ka kaluar nëpër të njëjtin kalvar të dhimbshëm pengesash nga njëra apo tjetra kishë e shteteve fqinjë, të cilat zbatonin skenarë shtetërorë kontrolli e varësie për Shqipërinë dhe për Kishën Shqiptare. Kisha Shqiptare ka vuajtur, siç po vuan Kisha Ukrainase nga Kisha Ruse apo Kisha Malazeze nga Kisha Serbe. Ndaj do të ishte në respekt të parimeve, të moralit dhe të së drejtës së madhe, që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të mbështesë kërkesën për autoqefali të Kishës Ortodokse të Ukrainës.

Burimi: Gazeta Shqiptare

Tagged under kisha Shaban Murati