Realiteti përballë folklorizmit patriotik - Nga Hajro Çini
Mora shkas të shkruaj këtë artikull, nga një tjetër artikull, i shkruar me mënçuri nga miku im Arben Kallamata, titulluar “Shkopi dhe Karrota”, ku në kontekstin e vizitës se presidentit të Turqisë Erdogan, ai shpreh pakënaqësinë e tij për gjëndjen që po kalon Shqipëria, duke e vënë theksin tek paaftësia e politikanëve tanë për ta qeverisur vendin drejt progresit si dhe te shkopi dhe karrota që përdorin të huajt ndaj nesh, për të arritur atë që duan.
Ndryshe nga miku im, unë besoj se kombi shqiptar ka nxjerrë politikanë të të gjithë niveleve, nga më të zotët, e deri tek më të këqinjtë. Unë jam nga ata që i cilësoj Dr. Berishën dhe Dr. Rugovën, burra të shquar shteti, si dhe politikanë mjaft të arrirë. Rezultatet e tyre janë prova më e qartë e këtij konkluzioni. Asnjëri nuk ishte politikan, por arritën të bëhen të shquar në atë fushë. Të mos ua njohësh këtë meritë është shumë larg realitetit dhe të vërtetës. Të dy u ndeshën me të pamundurën dhe të dy triumfuan, secili sipas personalitetit dhe natyrës së vet. Njëri energjik dhe gjenial, tjetri i mënçur, i urtë, stoik deri në vetëmohim. Njëri bindi botën se Kosova duhej të shkëputej nga Serbia, tjetri bindi Presidentin Bush Jr. që ta shpallte edhe të pavarur dhe sovrane, veç arritjeve të tjera.
Shqipëria ka më shumë se 110 vjet që është shkëputur nga Perandoria Osmane dhe për fat të keq, në pjesën dërrmuese të kohës ka kaluar periudha shumë të vështira. Ne kemi një pjesë të fajit, (nuk jemi të gjithë Dr. Rugovë apo Dr. Berishë), por fajin kryesor e ka agresiviteti dhe shovinizmi i fqinjëve tanë pa përjashtim, veçanërisht i Serbisë dhe Greqisë, ajo që unë e quaj boshti agresiv ortodoks (nuk ka lidhje me besimin) Beograd-Athinë, si dhe përkrahja e palogjikë, që ky bosht ka pasur për më shumë se një shekull nga Rusia, Franca, deri para pak vitesh nga Britania dhe pjesërisht nga e Majta amerikane.
Ka një aktivitet të ethshëm anti-turk midis shqiptarëve edhe pse kemi kohë që jemi shkëputur prej tyre, por nuk na bën përshtypje që Kosova ka vetëm 22 vite që ka dalë nga sundimi i egër serb, apo që Çamëria është spastruar etinikisht nga Greqia dhe është akoma nën të, edhe pse komisioni i Ligës së Kombeve i kryesuar nga Gjeneral Telini ia njohu Shqipërisë pjësën më të madhe të saj.
Qëndrimet anti-turke të shqiptarëve e kanë rrënjën në Historinë e deformuar që Historiografia komuniste na indoktrinoi deri para 1990.
Shumë shqiptarë e konsiderojnë Erdoganin diktator dhe Mustafa Qemalin progresist. Erdogan nuk është diktator. Ai është zgjedhur në mënyrë demokratike me vullnetin e lirë të një populli krenar dhe patriot për vëndin e vet dhe ai e ka rritur ndjeshëm sovranitetin e shtetit të tij. Ai gjeti një Turqi me borxhe dhe e arriti ta pastrojë nga ata. Erdogani ka grumbulluar shumë urrejtje kundër tij, në momentin kur tentoi të ndihmonte palestinezët e Rripit të Gazës. Një vit para atij momenti, “Times” e shpalli njeriun e vitit. Sapo ndërhyri atje, Eric Margolis shkroi, se ajo që bëri Erdogan ishte sa njerëzore aq edhe e logjikshme, por tani do të fillojë furtuna kundër tij në të gjithë shtypin perëndimor, që për fat të keq ndodhi.
Unë e respektoj Erdogan, edhe pse nuk më pëlqen përkrahja që ai i jep narko-qeverisë në Tiranë. Por ai punon për Turqinë.
A ka të drejtë Erdogan të jetë nostalgjik për lavdinë e Perandirisë Osmane? Absolutish po!
Perandoria Osmane ka qënë perandoria më e suksesshme e njerëzimit. (Perandoria Amerikane po ikën per dhjamë qeni në më pak se një shekull. Ata drejtuan botën për të paktën 5 të tillë dhe e drejtuan me drejtësi, nder dhe tolerancë). Perandoria osmane ishte perandori e fisit Kayi të themeluesit, Osmanit, si dhe e ortodoksëve të Ballkanit, pa asnjë përjashtim, pavarësisht se sot ata proklamojnë tjetër gjë, ku arbërit u shquan më shumë se të tjerët. (Më 1990 unë kisha një urrejtje specifike ndaj Perandorisë Osmane. Im gjysh kishte luftuar, në cilësinë e Shefit të Shtabit të forcave kryengritëse të Jugut për mëvetësinë e Shqipërisë dhe unë jam krenar me të. Isha dhe 100% proamerikan. Por jeta në Kanada, thellimi në historinë e Botës, të Ballkanit, të Perandorisë Osmane, si dhe vëzhgimi i politikës amerikane, më kanë bërë të ndryshoj thellësisht mendim. Kurrë gjatë bashkëjetesës me ta, Perandoria osmane nuk e diskretitoi veten të përfaqsohej nga “diplomatë” si Yuri Kim apo Don Lu).
Mustafa Qemali ishte diktator. Ai ka një meritë që arriti të ndihmojë Turqinë të mbijetojë dhe nuk u shpërbë, siç kishin planifikuar Britanikët, Francezët, si dhe ideatorët e Rendit të Ri Botëror, por mbi të u përdor Shkopi dhe Karrota dhe ai, me diktaturën e tij fashiste (edhe pse e kamufluar), dhunoi besimin e popullit të tij. A do të shpërbëhej Turqia po të mos ishte ai?
Është e vështirë të thuhet, se një popull aq trim dhe krenar sa ai i Turqisë zor se mund të nëpërkëmbej për shumë kohë, për më tepër që i ka dhënë tonin Botës për më shume se 5 shekuj, me drejtësi, meritokraci dhe tolerancë.
Roli i Mustafa Qemalit ka qënë thelbësor në mosshpërbërjen e Turqisë. Ajo që ai ndërtoi rezistoi, jo pse ishte aspiratë e kombit turk, por sepse e mbante ushtria, që historikisht ka qënë edhe krenaria e popullit turk. Edhe sot ajo është ushtria më e fortë tokësore e globit.
Ndërkohë që ruajti Turqinë, Mustafa Qemali dëmtoi jashtëzakonisht shumë popullsitë myslimane kudo në botë, si dhe e la Islamin pa një qëndër nga ku ruhej tradita më e shkëlqyer e atij besimi. Kur kalifatët ishin në jetë, askush nuk mund të deformonte traditën Islamike, as edhe mund të imagjinohej se Vahabizmi do të kishte pasur kaq jetëgjatësi.
Mustafa Qemali kishte një rol të koordinuar me britanikët dhe ai me shumë dinakëri (duke vënë në gjumë popullin turk) arriti t’ia plotësonte atyre atë që ata kërkonin prej tij. Koha e tij ka mbaruar, ai do të ngelë në Historinë e Turqisë për atë që bëri më 1919, por për pjesën tjetër historia nuk do të jetë aq e favorshme për të.
Turqia e sotme, edhe pse po ndeshet me probleme të mëdha financiare (Lira është në shvleftësim të rëndë), ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik falë politikave fiskale të mënçura të Erdoganit, falë aktivitetit të popullit turk, që gëzoi liritë ekonomike që ai vuri në zbatim.
Dy falë edhe për Skënderbeun. Unë besoj se Skënderbeu duhet parë në disa plane. Ka një Gjergj Kastriot, trim, të fuqishëm por lokal, që u bë Skënderbej vetëm nën stërvitjen dhe komandën e dy prej Sulltanëve më të famshëm të Perandorisë Osmane, Muratit II dhe Mehmet Pushtuesit, duke marrë përmasa përtej Ballkanit. Ka një Skënderbej që u shqua në ushtrinë osmane, ka edhe një tjetër që i doli kundër dhe i rezistoi deri në vdekje. Çudia është se në një kohë që Mehmeti arriti të marrë Konstandinopojën, brënda 51 ditësh, duke zhdukur nga faqja e dheut Perandorinë Romake, nuk arriti, sa ishte gjallë Skënderbeu, të marrë Kalanë e Krujës.
Por ndërsa Krujën e mbajti, e gjithë pjesa tjetër arbërore ra gradualisht nën çadrën osmane që në kohën e Skënderbeut, dhe pjesa dërrmuese e aleatëve të tij, përfshirë edhe të vjehrrin, kaluan në krahun e Mehmetit. Ky është Skënderbeu real, i cili nuk nuk pritet të jetë shenjtor.
Rilexova para pak ditësh Historinë e Skënderbeut të Nolit, i cili e ka përshkruar me nota shumë realiste. Më bëri përshtypje agresiviteti i Skënderbeut kundër besimtarëve myslimanë të Arbërisë, të cilëve u dha dy alternativa, ose të ktheheshin në të krishterë, ose do të vriteshin. Dhe ai vrau me mijëra arbër që nuk pranuan të hiqnin dorë nga Islami (dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve besojnë akoma se Islami u përhap me dhunë në Arbëri, kur e kundërta paska ndodhur. Kur’ani në mënyrë taksative nuk lejon konvertim të dhunshëm në Islam).
Ka edhe një Skënderbej simbolik. Atë që Rilindasit tanë e vunë në qëndër të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, për të motivuar shqiptarët drejt një koncepti nacionalist. Ky Skënderbej mund të mos jetë plotësisht ai reali, por gjithsesi i ka shërbyer interesit tonë kombëtar dhe çdo shqiptar patriot, duhet, për respekt të Rilindasve, që na bënë të mundur kombin, ta respektojnë atë si simbol.
©Hajro Çini












