Qendra e shqiptarizmit është jashtë Shqipërisë - Nga Parid Turdiu
Shqipëria ka qënë gjithmonë një vend i varfër, me kufij porozë, me emigracion të lartë, përveç periudhës enveriste, kur regjimi i mbante kufijtë të vulosur.
Periudha e izolimit enverist ishte një anomali, singularitet. E gjithë koha tjetër dymijë vjeçare ka qenë e ngjashme: Shqiptarët kanë emigruar për arsye ekonomike dhe politike. Toka ishte e varfër, jashtë rrugëve tregtare rajonale. Vendi ishte i vogel, me diversitet të larte tribal, i paaftë për t’u mbrojtur ndaj të huajve, të cilët e kanë pushtuar, plaçkitur, coptuar; e kanë perdorur si fushë lufte, monedhë tregu, laborator eksperimentesh.
Përzierja e varfërise strukturale, me tribalizmin e diversitetin e ekzagjeruar - "jane njëmijë Shqipëri", ka shkruar Montanelli, - me sundimin e klientëve të të huajve sipas relacionit "unë të shërbej, ti më mbaj në pushtet", krijojnë një mungesë oportuniteti e mobiliteti social, pra një mungesë shprese, që e ka bëre shqiptarin të marrë rrugët e emigracionit në kërkim të shpresës, në të shkuarën dhe tani. Nuk shtyhet jeta pa shpresë!
Çfarë bën shqiptari në emigracion? Punon për të huajt, dikur si ushtar apo nëpunës i perandorive ku bënin pjese trojet tona, më pas si punëtor emigrant. Me kalimin e brezave, në mungesë të një kishe kombëtare, është asimiluar, është bërë dëng pa markë, ka humbur për vendin e vet.
Çajupi, edhe ai vetë emigrant, u drejtohej shqiptarëve: “Mjaft punove për të tjerë o fatkeq, kujto vendin tek ke lerë dhe tek heq.”
Emigracioni është i vështirë, do braktisësh të gjitha lidhjet njerëzore, çdo gjë që ke njohur dhe do fillosh nga zero. E provojnë vetëm ata që kanë moshën, shëndetin, guximin dhe ambicien e duhur, - njerëzit më dinamikë. Në një vend si, bie fjala, Meksika, ku shtresa e lartë dhe e mesme janë mirë, emigrojnë njerëzit më dinamikë të klasës më të varfër. Në Shqipëri, pothuajse të gjithë janë keq. Vazhdon të ikë, pa u ndalur, pjesa më dinamike e krejt popullit. Krijohet një “brain drain” dhe një “muscle drain”, duke e varfëruar vendin nga burimet njerëzore. Prandaj dëgjohet shpesh në popull thënia, “këtu do ngelen vetëm pensionistët”.
Diasporë quhet një popullsi e hallakatur, origjina e së cilës ndodhet në një vendondodhje gjeografike tjetër. Historikisht kjo fjalë është përdorur në lidhje me shpërndarjen e një populli jashtë territorit të tij autokton, vecanërisht atë të judenjve. Sot fjala diasporë përdoret për të përshkruar komunitete njerëzish që identifikohen me një atdhe, por jetojnë jashtë tij.
Dmth, që të jesh diasporë duhet të plotësosh dy kushte: a) të jetosh jashtë atdheut dhe b) të vazhdosh të identifikohesh me atdheun (në një farë niveli, se jemi në epokën e identiteteve multiple).
Një ilustrim grafik i gjendjes së diaporës mund të jepet me diagramën e Venn-it. Në figurë është paraqitur rasti më i thjeshtë: atdheu (blu) dhe vendi pritës (okër). Diaspora është zona gri e mbivendosjes, e cila ka kulturë të dyfishtë blu + okër. I intereson blu-së të humbë zonën gri dhe të ngelet sakat?

Sipas Kombeve të Bashkuara, në fund të vitit 2015 ishin 1.2 milion shqiptarë që jetonin jashtë territorit te Shqipërise, që ishin sa gjysma e popullsisë ndenjëse në Shqiperi. Sot, pas 6 vjetësh, vlerësohet që kjo shifër të ketë arritur ne 1.4 -1.5 milion.
Një popullatë e zakonshme ka 74% të saj mbi 18 vjec, pra me të drejtën e votës, që në rastin e diasporës shqiptare i bie të jenë mbi 1 milion njerëz.
Popullsia e Shqipërisë realizon pjesëmarrje të lartë në zgjedhje, një zakon që ndoshta ka ngjitur nga enverizmi, ose edhe nga natyra kombative e shqiptarit. Pjesëmarrja në zgjedhjet e Shqiperisë del 47%. Pse? Se 47 përqindshi tjetër, ndonëse të regjistruar në listat e Gjëndjes Civile të shtetit shqiptar, jetojnë jashtë shtetit.
Vendi me diasporën më të madhe në botë është India, 18 milion. Por India ka 1.4 miliard njerëz. Diaspora e Shqipërise është më shumë se ⅓ e popullsisë totale të Shqipërisë. Besohet se Shqipëria mund të ketë njerën nga diasporat më të mëdha në botë, në vlerë relative, aq më tepër që pjesa dërrmuese e diasporës shqiptare është e re, duke filluar nga viti 1990 dhe lidhjen me atdheun e ka akoma të fortë.
Studiuesit ndërkombëtarë thonë se diaspora shqiptare është e mirëarsimuar dhe e mbikualifikuar, në krahasim me diasporat e tjera. Jemi në situatën e pazakontë që, një popull përgjithësisht i keqarsimuar dhe nënkualifikuar, të këtë nxjerrë një diasporë të mbiarsimuar. Kjo dmth se ka ikur pjesa më e zhvilluar e atij populli.
Në fakt, dihet nga të gjithë në menyrë empirike që kane ikur më së shumti qytetarët. Fluksi i migracionit të postkomunizmit ka qenë, qytetarët jashtë vendit, fshatarët në qytet, aq sa shpesh dëgjohet thënia, "nuk njeh më njeri në rruge".
Për nga numri dhe niveli kulturor, social, ekonomik, i shqiptarëvë të ikur, rezulton se qendra e gravitacionit zhvillimor të popullit shqiptar është zhvendosur jashtë vendit. Nuk mund të flitet më për një komb territorial shqiptar, por për një komb global, të ngjashëm me kombin judaik.
Nuk është hera e parë në histori, që qendra e shqiptarizmit të jetë jashtë vendit. Diaspora e vjetër shqiptare, e parakomunizmit, luajti një rol të rëndësishëm në kombformim, ruajtjen dhe lëvrimin e gjuhës, sigurimin dhe mbrojtjen e pavarësisë, mbrojtjen e të drejtavë të njëriut, dhe njohjen ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Këto detyra, për Shqipërinë, u zgjidhën në pjesën e parë të shekullit XX (por jo për Kosovën).
Diaspora e re, e postkomunizmit, ka karakteristika të tjera. Çështjet e gjuhës, identitetit kombëtar dhe kufijve, tashmë konsideroheshin të stabilizuara. Problemi i ditës ishin dhe janë varfëria, zhvillimi ekonomik, mungesa e oportunitetit, vonesa në ndërtimin e shtetit demokratik ligjor. Këtë të fundit diaspora e sotme e ka neglizhuar; ashtu e zënë si ishte për të shijuar ca grimca materiale dhe për të mësuar demokracinë e vendeve pritëse.
Diaspora e vjetër merrej me politikë. Diaspora e re, jo. Kjo është një mungesë që duhet mbushur.
Diaspora e sotme e mban Shqipërinë me remitanca dhe është e prirur të eksplorojë mundësi investimi (ndonesë klima e biznesit është tepër penguese). Diaspora po e mban Shqipërinë më kulturë: Sportistët, artistët, dhe në një shkallë në rritje, shkencëtarët e mendimtarët shqiptarë të shquar, po vijnë nga diaspora. Teknologjia bashkëkohore bën të mundur një konektivitet të lartë dhe diaspora e sotme është e lidhur elektronikisht në mënyrë të përditshmë me lajmet e rrjetet sociale të Shqipërisë. Diaspora udhëton në Shqipëri për pushime, dasmat e festat i bën atje, blen shtëpi në Shqipëri. Ka prindët atje, farefis, varret e familjes; ka çështje pronash dhe çështje gjyqësore të pazgjidhura. Faktikisht është shumë e angazhuar në një numër drejtimesh.
Por kjo lidhje emocionale, kulturore, ligjore dhe financiare ka munguar të transmetohet në angazhim politik. Ndërkohë që diaspora ka atje interesa të mëdha, politikën e Shqipërisë, dmth tryezën ku merren vendimet, ua ka lënë krejt ndënjësvë.
Kjo situatë është e pakëmbë, jo normale. Amerikanët e quajnë “taxation without representation”.
Ndenjësit kanë dështuar të bëjnë shtet: se kaq dinë, kanë marrë zakone të këqia, janë të lodhur e të mplakur, të ngatërruar më njëmijë fijë korrupsioni incestual, ndërkohë që rinia e vendit vazhdon të ikë.
Shqipëria ka ngecur e nuk po ndryshon dot, aq sa forca me revolucionare sot në Shqipëri është bërë Ambasada Amerikane, në vend që të jetë rinia e Shqipërisë.
Se nuk ka rini!
Ishte Ambasada ajo që imponoi reformën në drejtësi. Ishte Ambasada ajo që i dha një shkundje të fortë Partisë Demokratikë. Është Ambasada ajo që po kërkon fundin e pandëshkueshmërisë.
Kryeministri tha diçka me vënd para pak kohe: U bëri thirrje të rinjve të merren me politikë, se politika është arena ku ndodhin gjërat. Por cilët të rinj, bijtë e politikanëvë dhe oligarkëve, që kanë ndenjur aty se e kanë rrugën të shtruar? Ai e ka fjalën për njëmijë të rinjtë e establishmentit, që të përjetësohet ky establishment, se rinia e popullit ka ikur.
Forca lëvizësë duhet të jenë të rinjtë punonjës (dhe të rriturit me shpirt të ri), klasa e mesme. Ku janë punonjësit dhe rinia? Në diasporë. Prandaj diaspora duhet të marrë pjesë në trupin politik të Shqipërisë. Si bëhet kjo? Me votën! Diaspora duhet të votojë; është e drejta e saj, civile dhë njerëzorë, që ia japin katër ligje të Shqipërisë, duke përfshirë ligjin themelor, Kushtetutën.
Libri e ka ligjin, por zbatohet qejfi i Maliqit. Ka ardhur koha e luftës për zbatimin e ligjit.
©Parid Turdiu










