Presidencialet në Francë, përplasje mes dy vizionesh antagonistë - Nga François Brousseau

François Brousseau, Radio-Canada
Franca shkon në zgjedhje nesër, e diel 24 prill. Ose do t'i jepet një mandat i dytë pesëvjeçar presidentit Emmanuel Macron, ose do të ndodhë një tërmet i vërtetë, përtej kufijve të vendit, duke zgjedhur për herë të parë një grua presidente, por mbi të gjitha, një grua të lidhur me një parti të klasifikuar prej 50 vitesh në ekstremin e djathtë të spektrit politik francez: Marine Le Pen, vajza e themeluesit të Frontit Kombëtar, Jean-Marie Le Pen. Nesër do përballen dy vizione antagonistë mbi Francën, politikën, kombin, madje antagonistë dhe mbi demokracinë.
Fronti Kombëtar (Le Front National), i riemërtuar në vitin 2018 Bashkimi Kombëtar (Ressemblement National), sigurisht që është rifokusuar elektoralisht, nën udhëheqjen e Marine Le Pen, për të kërkuar mbështetje më të gjerë. Mbështetje e cila, në disa sondazhe, u rrit deri në 48% për votimin në raundin e dytë, një rritje e cila, sipas sondazheve të fundit, ka pësuar një rënie prej 44%, që gjithsesi do të mbetej një rezultat i paprecedent.
Bashkimi Kombëtar, edhe me një ton më pak të ashpër, madje socialist për sa i përket ekonomisë, ndihmës sociale dhe rishpërndarjes, mbetet një formacion populist i krahut të djathtë që e vendos kombin mbi gjithçka. Një parti që kundërshton emigracionin, kundërshton globalizmin e elitave teknokrate, është dyshues ndaj Bashkimit Evropian dhe dëshiron të ndryshojë regjimin politik duke iu drejtuar shpesh referendumeve me iniciativë popullore.
Një referendum për Evropën, sipas Emmanuel Macron
Përballë Marine Le Pen: një president në fund të mandatit të parë, Emmanuel Macron, i cili përfaqëson besimin optimist në hapjen ndaj botës, tregtinë e lirë, rolin e tregut, sovranitetin e përbashkët brenda një kuadri evropian. Sipas Macron, këto zgjedhje janë një referendum për Evropën.
Gjatë debatit të tij të 20 prillit me Marine Le Pen, ai madje përdori shprehjen e diskutueshme sovraniteti evropian, duke folur për nevojën që Kontinenti i Vjetër të ekzistojë strategjikisht si një pol botëror midis dy fuqive të mëdha, Kinës dhe SHBA. Sipas tij, vende si Franca dhe Gjermania, në shekullin e 21, duhet absolutisht të bashkohen nëse ende duan të luajnë rol të rëndësishëm në skenën botërore.
Emmanuel Macron, i cili mundi të përfitonte në vitin 2017 nga efekti risi - një president nën 40 vjeç - pas 5 vitesh ka sot një bilanc të diskutueshëm, me reforma të papërfunduara, për shembull për pensionet, në një Francë të lodhur, të dëshpëruar dhe të pasigurt në vetvete. Një Francë e rraskapitur nga humbja e prestigjit botëror prej sulmeve të përsëritur terroristë, nga rritja e pasigurisë dhe ankthi ekonomik. Për të mos përmendur një pandemi e cila edhe atje si kudo, goditi shumë rëndë.
Një peizazh politik i trazuar
Peizazhi politik në prag të këtij raundi të dytë presidencial, i cili në qershor do të pasohet nga zgjedhjet legjislative, është i tronditur.
Dy parti kanë dominuar tradicionalisht politikën franceze nën Republikën e Pestë të themeluar në 1958: e Djathta e De Gaulle (e cila u bë ajo e presidentëve Shirak dhe më pas Sarkozy), e ashtuquajtura e djathta goliste ose republikane. Dhe e majta Socialiste, ende në pushtet nga 2012 deri në 2017 me François Hollande. Dy familje politike aktualisht të shpartalluara, që arritën rezultate mikroskopikë më 10 prill: më pak se 7% rezulatati i kombinuar për kandidatet Valérie Pécresse dhe Anne Hidalgo.
Tre blloqe të rinj janë shfaqur gjatë pesë viteve të fundit: një qendër me orientim më shumë djathtas në ekonomi, liberale për çështjet sociale, pro-Evrope, etj., e mishëruar nga Emmanuel Macron (28% e votave në raundin e parë).
Pastaj, një bllok nacionalist ekstrem i djathtë, i ngjyrosur me ksenofobinë, me mbështetje të forte te klasat punëtore. Po të bashkohen votat e Marine Le Pen dhe Éric Zemmour, ky bllok kaloi 30% (23+7).
Së fundi, një e Majtë radikale, e mishëruar nga Jean-Luc Mélenchon (“Të panënshtruarit”), e cila i dërrmoi formacionet tradicionalë të majtë, joshi të rinjtë dhe qarqet intelektualë, angazhoi militantizmin multikulturalist dhe ambientalist duke e reduktuar thuajse fare partinë zyrtare të Gjelbër, EELV.
Me 22%, Jean-Luc Mélenchon madje e tronditi Marine Le Pen një pjesë të mbrëmjes së raundit të parë, përpara se të pranonte përfundimisht humbjen me 1% më pak.
Pakënaqësi dhe abstenim
Këto tre blloqe, stafet e tyre politikë dhe elektorati i tyre e urrejnë njëri-tjetrin. Janë dëshmi e një Francë të fragmentuar dhe me një humor të trishtuar, madje të zymtë. Ndonjëherë kjo cilësohet si një luftë civile në embrion, shprehje kjo rëndom e përdorur në media.
E gjithë kjo, mbi një sfond pakënaqësie dhe humbje besimi në procesin dhe institucionet politikë. Kjo u shpreh në realitet, më 10 prill, me një përqindje pjesëmarrjeje më pak se 74%, çka konsiderohet e ulët për një zgjedhje presidenciale në Francë. Nuk pritet më shumë dhe ndoshta pjesëmarrja do të jetë akoma më e ulët nesër, në raundin e dytë.
Një enigmë e madhe mbetet shifra 22% e atyre që votuan Mélenchon, të cilët pritet të abstenojnë dhe sipas një shprehjeje të vjetër franceze, në vend të qendrave të votimit do zgjedhin të shkojnë për peshkim.
Urrejtja ndaj “presidentit të të pasurve”, teknokratit mendjemadh, aleat me elitat globaliste, është një ndjenjë që bashkon elektoratin e Marine Le Pen dhe atë të Jean-Luc Mélenchon. Që do të thotë se thirrja e Jean-Luc Mélenchon në mbrëmjen e raundit të parë - “asnjë votë për Marine Le Pen” - jo vetëm që nuk do merret në konsideratë nga të gjithë mbështetësit e tij (madje një pakicë e tyre pritet të votojnë për Le Pen), por mbi të gjitha mund të shndërrohet në abstenim të një shkalle të konsiderueshme.
Ky abstenim mund të zvogëlojë epërsinë e Emmanuel Macron, i cili, sipas sondazheve të shumtë, në javën para votimit kishte një avantazh prej 10 deri 12%. Në krahasim me 2017 (32%) kjo diferencë është mjaft e reduktuar por gjithsesi mbetet komode.
Debati Macron - Le Pen, monoton dhe i formatuar
Temat e trajtuara dhe programet e prezantuar gjatë rreth tre orëve të debatit të vetëm mes dy kundërshtarëve ishin të shumta. U përballën dy koncepte të kundërt për Francën, për Botën dhe për qeverisjen publike.
Në ndryshim nga debati i 2017-ës (kaotik dhe katastrofik për Marine Le Pen), përballja në ekran e 20 prillit prezantoi, në formë, një diskutim të formatuar me detaje, të kontrolluar dhe të kronometruar në kohë. Një debat deri diku me kortezi, me një Marine Le Pen të përmbajtur, me subjekte të ndarë qartësisht nga njëri tjetri. Ky debat ngjasonte thuajse krejtësisht me formatin e kornizuar që organizohet tashmë në shumë vende, një kontekst ky që e vështirëson lidhjet tematike, sintezat, këmbimin dhe shpalosjen e lirë të mendimeve dhe debatimin e ideve…
Përplasje për Ukrainën dhe simbolet islamikë
Duhen përmendur megjithatë dy tema që shkaktuan disa përplasje (të rralla) mes Le Penit dhe Macron.
Në lidhje me temën e Ukrainës, Marine Le Pen u vu në vështirësi, për shkak të mbështetjes së saj të mëparshme për Vladimir Putin. Sapo u përmend kjo temë, Emmanuel Macron nisi menjëherë sulmin. Ai e akuzoi Marine Le Pen si të varur nga Moska, me deklaratat e saj me tone admirimi në të kaluarën për presidentin rus. Ai kujtoi se Bashkimi Kombëtar (në atë kohë Fronti Kombëtar) kishte kontraktuar në vitin 2014 (viti i sulmit në Donbas dhe i aneksimit të Krimesë) një hua prej disa milionë dollarësh nga një bankë ruse e njohur si e afërt me Kremlinin. Një kredi që ende nuk është shlyer plotësisht në vitin 2022.
Emmanuel Macron më pas përdori një frazë gati asgjësuese ndaj Marine Le Pen: “Kur ju flisni me Vladimir Putin, ju flisni me bankierin nga i cili vareni”. Le Pen nga ana e saj u përgjigj se ajo është nje ri totalisht i lirë dhe sot ajo mbështet luftën e ukrainasve për lirinë e tyre, ndërkohë që Macron, kujtoi flakë për flakë që Bashkimi Kombëtar, në Parlamentin Evropian, votoi së fundi kundër çdo ndihme financiare për Ukrainën. Pra, një moment kryesor i debatit, i lidhur me temën më të rëndësishme të aktualitetit.
Një tjetër temë që, shumë shkurt dhe diku nga fundi shkaktoi disa replika ishte çështja e mbulesës (shamisë) islame për gratë.
Në këtë pikë, kundërshtia mes dy kandidatëve ishte krejt e qartë. Marine Le Pen kërkon ndalimin e shamisë islame në të gjithë vendet publikë, dhe jo vetëm në shkolla apo në administratë, ku ky ndalim zbatohet tashmë në Francë (dhe në këtë pikë specifike Macron është dakord). Megjithatë, presidenti shtoi: “me ndalimin total të mbulesës në publik, ju do provokoni luftën civile zonja Le Pen”.
A mund ta ndryshojë ky debat rezultatin e votimit? Kjo nuk ka gjasa, nëse shikojmë precedentët historikë në Francë. Emmanuel Macron mbetet gjerësisht i favorizuar për të rifituar zgjedhjet. Por kjo do të ishte një rizgjedhje me rezultat të reduktuar përballë gjysmës së Francës, e cila mbeti sfiduese dhe që do ketë sërish të njëjtin individ president, që ajo e refuzoi me votë në raundin e parë. Më pas priten zgjedhjet parlamentare në qershor, ku situata pritet të jetë shumë ndryshe.
Burimi: Radio-Canada
E shqipëroi Flasshqip












