Opinione

Kryeministri spanjoll Sanchez, patericë diplomatike e Serbisë - Nga Shaban Murati

Shaban Murati

Të vijë një kryeministër europian për turne në shtetet e Ballkanit Perëndimor për herë të parë, që kur janë krijuar këto shtete, dhe të kthehet siç erdhi turist, kjo ndodhi vetëm me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez pas vizitave të tij në rajon nga 29 korrik në 1 gusht.

Mediat spanjolle e quajtën “turne historik ballkanik”, por ai nuk ishte as ballkanik dhe as historik. Kryeministri spanjoll në programin e tij i kushtoi dy ditë Serbisë dhe dy ditë katër shteteve të tjerë të rajonit, çka do të thotë se vizitat e tij në katër shtetet e rajonit ishin siç thotë populli: “m’ka çu nana me la gojën”. Katër shtetet e tjerë u futën në itinerarin e udhëtimit si kontorno për të mbuluar objektivin e turneut të tij ballkaniko-perëndimor, që ishte posaçërisht ndihma për Serbinë.

Turneu i tij nuk ishte ballkaniko-perëndimor, sepse kryeministri spanjoll për t’i bërë qejfin Serbisë përjashtoi nga vizitat e tij Kosovën.

Mediat spanjolle në prag të turneut shkruan se synimi i kryeministrit është të rrisë profilin e Spanjës në rajon dhe në planin europian. Se si mund ta rrisësh profilin në Ballkanin Perëndimor pa kontaktuar dhe pa njohur Kosovën, këtë vetëm spanjollët mund ta gjejnë. Por pas vizitave të tij në pesë shtete të Ballkanit Perëndimor mund të thuhet se turneu nuk rriti as profilin e Spanjës në Ballkanin Perndimor dhe as profilin e kryeministrit Sanchez.

Kryeministri i Spanjës erdhi në Ballkanin Perëndimor me një mision shumë minor: për të ndihmuar Serbinë. Serbia, siç pohon vetë presidenti i saj, ndodhet në një nga periudhat më të vështira diplomatike të saj, kur izolimi diplomatik perëndimor ndaj saj po rritet me shpejtësi për shkak të rreshtimit serb me Rusinë në rastin e agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe për shkak të refuzimit të Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve të BE kundër Rusisë, megjithëse Serbia është shtet kandidat i BE dhe ka detyrimin të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me BE.

Serbia po kalon aktualisht periudhën më të vështirë të presionit diplomatik ndërkombëtar, sepse BE, dhe gjithë Perëndimi demokratik ia kanë shtrënguar rripat për dy çeshtje kryesore: së pari, të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë dhe të heqë dorë nga politika e qëndrimit në karrigen ruse. Së dyti, Serbia duhet të përfundojë dialogun e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën nëpërmjet njohjes reciproke.

Kryeministri i Spanjës shkoi në Beograd dhe i dhuroi paterica diplomatike Serbisë për t’iu kundërvënë dy kërkesave rigoroze të BE dhe të Perëndimit. Së pari, kryeministri Pedro Sanchez devijoi nga kursi i BE dhe nuk i kërkoi presidentit serb që të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë dhe me dënimin e agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Kryeministri spanjoll stonoi në mënyrë brutale, sepse të gjithë udhëheqësit e BE, që kanë takuar presidentin serb Vuçiç i kanë kërkuar me insistim që Serbia të zbatojë detyrimin e shtetit kandidat dhe të bashkohet me sanksionet e BE.

Pedro Sanchez nuk pipëtiu fare në Beograd për sanksionet kundër Rusisë ndonëse ndenji dy ditë me Vuçiçin. Media “then24.com” në 1 gusht tërhiqte vëmendjen se “në deklaratat e tyre në konferencën e përbashkët për shtypin nga Sanchez dhe Aleksandër Vuçiç nuk u përmend fare dhe as u aludua për refuzimin e Beogradit për të mbështetur sanksionet e BE ndaj Rusisë”.

Është e habitëshme se si kryeministri i një shteti të madh si Spanja, që është bashkuar vetë me sanksionet e BE ndaj Rusisë, nuk guxon që t’i shprehë dhe t’i kërkojë presidentit të shtetit të vogël serb zbatimin e detyrimit të shtetit kadidat për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë.

Ky qendrim i qeverisë spanjolle, që përputhet me interesat antiperëndimore të Serbisë filoruse dhe të vetë Rusisë, përmban në vetevete një politikë të gabuar spanjolle ndaj Serbisë, ndaj Rusisë dhe ndaj agresionit rus në Ukrainë. Ai duhet marrë si shenjë e flirteve më të thella dhe të fshehta spanjolle me vetë Rusinë. Sepse Rusia ka mbetur e izoluar në Europë dhe Serbia është i vetmi shtet europian, që ka refuzuar të bashkohet me sanksionet e BE kundër Rusisë.

Kryeministri spanjoll distancohet nga politika dhe interesi i BE që shtetet kandidate të bashkohen me sanksionet kundër Rusisë, dhe kështu rreshtohet me qëndrimin filorus të presidentit serb. Se sa larg qëndrimit zyrtar të BE ishte qendrimi i kryeministrit spanjoll në Beograd e tregon deklarata zyrtare e ambasadorit të BE në Beograd, Emanuele Giaufret, i cili pikërisht në 30 korrik, ditën që Sanchez ndodhej në Beograd, deklaroi se BE kërkon që Serbia të rreshtohet me BE në kundërshtimin e agresionit rus dhe në zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Kjo deklaratë e përfaqësuesit zyrtar të BE në Beograd tingëlloi si tërheqje vëmendje ndaj kryeministrit spanjoll, që heshti fare për sanksionet e BE kundër Rusisë me të cilat duhet të bashkohet Serbia.

Elementi i dytë, që dëshmon se kryeministri spanjoll erdhi në Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar Serbinë, është kundërvënia e tij publike ndaj qendrimit të BE dhe të Perëndimit për formulën e mbylljes së dialogut Serbi-Kosovë. Presidenti amerikan Joe Biden dhe sekretari i shtetit Blinken i kanë kërkuar direkt presidentit të Serbisë që dialogu Serbi-Kosovë të qendërzohet në njohjen reciproke midis dy shteteve.

Kancelari gjerman Scholz në 10 qershor 2022 i kërkoi në Beograd presidentit serb që të bashkohet me sanksionet e BE kundër Rusisë dhe të përfundojë dialogun me Kosovën me njohjen reciproke. Parlamenti Europian i kërkoi para disa ditësh Serbisë që të mbyllë dialogun me Kosovën me njohjen reciproke. Në këtë koniukturë pozitive diplomatike ndërkombëtare, kur Perëndimi po e shtërngon darën mbi presidentin serb, ngrihet kryeministri spanjoll dhe del kundër këtij qendrimi.

Këtu duhet theksuar diçka e rëndësishme. Nuk hyn fare çështja e qëndrimit të Spanjës, që nuk e njeh Kosovën. Këtu bëhet fjalë që Spanja po ndihmon Serbinë që t’i kundërvihet kërkesës së Perëndimit që dialogu të mbyllet me njohje reciproke. Njohja reciproke është marrëdhënie midis Serbisë dhe Kosovës si dy shtete e fqinjë dhe nuk lidhet dhe as ka impakt në politikën apo në interesat spanjolle. Ndaj tingëllon kundërvënie ndaj BE përkrahja e kryeministrit spanjoll në Beograd për pretendimet koloniale të Serbisë mbi Kosovën.

Kulmin e qëndrimit skandaloz të kryeministrit spanjoll në Beograd e kemi në mbështetjen, që i shprehu në bisedimet presidentit serb për integrimin e Serbisë në BE pa zbatuar kushtin e njohjes së Kosovës.

Është një kundërvënie flagrante e kryeministrit spanjoll ndaj qëndrimit të vendosur me konsensus në BE dhe të cilin udhëheqësit kryesorë europianë njëri pas tjetrit ia kanë parashtruar presidentit serb se Serbia duhet të njohë Kosovën si kusht për të hyrë në BE. Është vërtetë disi komike situata, kur kryeministri spanjoll nuk e di që edhe ish-ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borrell, tani përfaqësues i lartë i BE për politikën e Jashtme dhe që i përket të njëjtës Parti Socialiste Spanjolle të kryeminstrit Sanchez, në bisedimet me presidentin serb i ka përsëritur kushtin e BE se pa njohur Kosovën Serbia nuk hyn dot në BE.

Ndaj presidenti serb Vuçiç u befasua dhe u entusiazmua aq shumë nga përkrahja e papritur e kryeministrit spanjoll për heqjen e kushtit të njohjes së Kosovës. Në konferencën e shtypit me kryeministrin spanjoll në 29 korrik, Vuçiç e falenderoi që “Spanja e mbështet Serbinë për integrimin në BE pa kërkuar qimen në vezë dhe pa kushte shtesë bashkëngjitur”.

Është një gëzim i parakohshëm i presidentit serb, sepse kushtin e njohjes së Kosovës për anëtarësimin e Serbisë në BE nuk e lëviz dot Pedro Sanchez, sepse atë e kanë vendosur shtetet e aksit gjermano-francez vendimmarrës në BE.

Kryeministri spanjoll i shkoi në ndihmë presidentit serb në kohën kur ai po vinte në skenë skeçin e tij të vjetëruar teatral të kërcënimit për luftë ndaj Kosovës. Pedro Sanchez e mbështeti teatralizmin luftënxitës të presidentit serb, duke përligjur rivendikimet koloniale të Beogradit mbi Kosovën dhe duke i dhënë të drejtë metropolit kolonialist serb për sovranitet mbi Kosovën.

Argumenti publik zyrtar i kryeministrit spanjoll për të mbështetur rivendikimet koloniale të Serbisë mbi Kosovën ishte se Spanja mbron të drejtën ndërkombëtare, ligjin ndërkombëtar dhe integritetin e sovranitetin e Serbisë. Është për të ardhur keq që kryeministri spanjoll nuk e di akoma se të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar i përfaqëson tribunali më i lartë juridik i OKB, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila ka dhënë verdiktin që pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Spanja si anëtare e OKB, e BE dhe e NATO-s, është e detyruar ta respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe jo të përqafojë qendrimin e Serbisë dhe të Rusisë, që nuk e njohin atë vendim.

Është për të ardhur keq që kryeministri spanjoll e përsëriti këtë qendrim të gabuar edhe në vizitën e tij në Tiranë në 1 gusht. Por ajo që është akoma më tepër për të ardhur keq është fakti që as mikpritësi i tij homolog në Tiranë nuk ia kujtoi kryeministrit spanjoll se të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar të përputhur me pavarësinë e Kosovës e ka vendosur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në mënyrën më profane dhe alogjike kryeministri spanjoll dëgjoi në Tiranë broçkullën rurale se qenka “Ballkani i hapur” i presidentit serb që do ta zgjidhë situatën e dialogut Serbi-Kosovë, pra “Ballkani i hapur”, që ka sanksionuar statusin e Kosovës si provincë serbe, status për të cilin qeveria e Tiranës i bën presion intensiv Prishtinës që ta pranojë. Nuk thotë kot një fjalë e urtë shqiptare se të keqen që ta bën i yti, nuk ta bën as perëndia.

Argumenti i pathënë publikisht i Spanjës për mospranimin e njohjes së Kosovës është narrativa e brendëshme problematike me lëvizjet politike të Katalonjës dhe të rajonit bask. Në fakt është një alibi e filoserbizmit shtetëror spanjoll, sepse problemi katalan dhe bask kanë lindur që me lindjen e shtetit spanjoll dhe nuk kanë asnjë lidhje me Kosovën. Britania e Madhe, që ka çeshtjen e Skocisë, apo Belgjika, që ka çeshtjen e Flandrës, e kanë njohur Kosovën. Spanja ka bërë aleancë me Serbinë dhe mbi këtë parametër ka ndërtuar kursin e saj për Kosovën dhe për Ballkanin Perëndimor.

Kemi një stuatë disi komike të krijuar në rastin e marrëdhënieve të Spanjës me Serbinë. Presidenti serb Vuçiç në 29 korrik e cilësoi Spanjën si një nga miqtë më të mëdhej të Serbisë në botë. Nuk e di nëse Ambasada spanjolle në Beograd e ka informuar kryeministrin e vet se presidenti serb ka qysh nga 24 shkurti 2022 i fillimit të agresionit rus në Ukrainë që, për t’iu shmangur dënimit të agresionit rus, çdo ditë sulmon dhe shan 19 shtetet anëtare të NATO-s që ndërmorën ndërhyrjen humanitare kundër Serbisë në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb kundër popullit shqiptar në Kosovë.

Një ndër shtetet pjesëmarrëse të ndërhyrjes ishte edhe Spanja. Vuçiç e di se Spanja mori pjesë në ndërhyrjen e NATO-s në Serbi, se Spanja dërgoi 6 gjuajtës-bombardues F-18 të saj, që kryen inkursione ajrorë kundër objekteve ushtarake pranë Beogradit. Vuçiç e di se Partia Socialiste Spanjolle, ku kryeministri Pedro Sanchez është Sekretar i Përgjithshëm, miratoi në Parlament bashkë me grupet kryesore parlamentare në 15 prill 1999 vendimin e pjesëmarrjes së Spanjës në ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë.

Madje në 1999 Serbia ka paditur në ICJ edhe Spanjën, bashkë me shtetet e tjera të NATO-s, për ndërhyrjen në Serbi. Por Vuçiç bën sikur e ka harruar që ai shan çdo ditë 19 shtetet e NATO-s, pra edhe Spanjën, që bombarduan Serbinë në 1999, dhe nuk skuqet t’i thurë elozhe, sepse kryeministri spanjoll po e ndihmon në një periudhë tepër të vështirë për të.

Kryeministri spanjoll, i cili për herë të parë në historinë e marrëdhënieve të Spanjës me shtetet e Ballkanit Perëndimor zhvilloi një turne në këtë rajon, erdhi pa një program bashkëpunimi, pa një projekt, pa një propozim, pa një ide spanjolle për rajonin. Ai erdhi për të ndihmuar Serbinë dhe natyrisht në planin ballkaniko-perëndimor turneu i tij është një mision i dështuar. Diplomacia spanjolle bën mirë që nuk interesohet fare për Ballkanin. Asaj i mjafton dhe i tepron Amerika Latine.

Duke analizuar tuneun e Pedro Sanchezit në Ballkanin Perëndimor arrin në konkluzionin se Spanja i bën favor rajonit, që nuk shpreh interes për të. Por të paktën të mos e trazojë më shumë, duke i dhënë mbështetje një shteti luftënxitës dhe provokator si Serbia.

©Shaban Murati