Opinione

“Tradhëtarët” dhe “kolaboracionistët” - Nga Ervina Toptani

Në historinë tonë, sidomos pas ardhjes së komunizmit në pushtet, është folur shumë shpesh për tradhëtarë e kolaboracionistë, referuar kryesisht historisë e njerëzve që kanë kontribuar në politikë në periudha të ndryshme në Shqipëri.

Termi është përdorur përgjithësisht sipas orekseve e kundërshtive të politikanëve në fuqi, por edhe historianëve, që këtë cilësim e kanë përdorur vend e pa vend, sa të jepet përshtypja se në Shqipëri nuk ka ngelur njeri pa qenë tradhëtar.

Cilët janë në të vërtetë këta tradhëtarë? Si identifikohen ata? Kush i përcakton ata sipas cilësimit tradhëtarë dhe kolaboracionistë?

Tradhëtarët dhe kolaboracionistët (bashkëpunëtorët me pushtuesit e huaj siç njihen ndryshe) të përcaktuar si të tillë realisht janë kryesisht ajo kategori shqiptarësh të cilët në të shumtën e tyre shkrinë pasurinë personale e familjare, dhanë kontributin më të madh për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, por që në fund nuk mbështetën idetë e komunistëve shqiptarë (madje të asnjë lloj komunisti tjetër) e as të miqve të tyre sllavë. Përkundrazi, u ndeshën me ta me ide e armë. Pa harruar këtu edhe ata burra të vërtetë shqiptarë, që u mbiquajtën nga shteti komunist si “diversantë”, që në kushtet e Luftës së Ftohtë, kur diktatura e kish konsoliduar pushtetin e saj, vinin herë pas here në Atdhe për të tentuar rrëzimin e saj, shpesh duke mos u kthyer më kurrë nga kishin ardhur me ndërgjegje të lirë.

Emrat e tyre për shumicën e shqiptarëve janë të panjohur e vepra e tyre madhore në shërbim të shpëtimit të Shqipërisë nga zgjedha komuniste është ende e pashkruar dhe e patreguar. Disa prej këtyre burrave që humbën jetën në Atdhe, të vrarë prej shqiparëve që konsolidonin shtetin diktatorial janë: Alush Lleshanaku, Bardhok Gjeta, Rexhep Kasa, Halil Hoxha, Ndue Frisku, Nuri Plaka, Abedin Xhanko etj.

Disa prej të mbiquajturve “kolaboracionistë” e “tradhëtarë” janë Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Muharrem Bajraktari, Ali Këlcyra, Ernest Koliqi, Shefqet Vërlaci, Gjon Markagjoni, Mustafa Merlika Kruja, Lef Nosi, Kol Bib Mirakaj, Patër Anton Harapi, Tahir Kolgjini e të tjerë shqiptarë të këtij kalibri.

Plejada e shqiptarëve që nuk mbështetën partinë e komunistëve dhe idenë e tyre shtetërore, e që u shpallën prej komunistëve si “tradhëtarë”, mbështesnin në thelb ruajtjen e demokracisë në Shqipëri, vijimin e shtetit të lirë e sidomos ishin për mbështetje të gjithanshme në praktikën, miqësitë dhe bashkëpunimin me botën perendimore dhe jo me botën ruse e sllavofile.

Dhe është pikërisht kjo që bëjmë edhe ne vetë sot, çdo ditë, kudo e me çdo formë. Ne shqiptarët e sotshëm, do të quheshim të gjithë, pa përjashtim tradhëtarë e kolaboracionistë, ose pse bashkëpunojmë me perendimorët, o sepse kemi emigruar, sepse cilësime të tilla jo vetëm që nuk janë hequr, por as nuk janë rishikuar aspak nga ata që e kanë për detyrë të korrigjojnë gabimet trashanike në këtë aspekt e të shkruajnë korrekt historinë e Shqipërisë.

Kategoria e shqiptarëve që u etiketuan si tradhëtarë e kolaboracionistë ishin sigurisht të ndarë në idetë e mëdha të kohës kur jetonin e vepronin: në ata që mbështetën gjatë luftës boshtin italo-gjerman dhe në ata që mbajtën sytë për të ardhmen drejt aleatëve perendimorë. Nëse do të ishin quajtur “tradhëtarë” nga historiografia jonë vetëm krahu i shqiptarëve që mbështetën italianët e gjermanët ndaj anglo-francezëve e amerikanëve më pas, do ta kuptoja logjikën, (sa kohë që historinë e shkruajnë fituesit edhe pse kjo nuk është aspak e drejtë kur vjen puna tek të shkruarit e së vërtetës) ndonëse duhen vërejtur me shumë hollësi arsyet pse ata mbështetën krahun humbës të Luftës së Dytë Botërore.

Në thelb është e papranueshme që ata të cilësohen si antishqiptarë, pse ata e donin Shqipërinë në kufijtë e saj natyralë, pse ata nuk pranuan bashkëpunim me serbët dhe e donin Kosovën shtet të lirë e të pavarur nga Beogradi (siç është sot), apo se kishin simpati për Romën a Berlinin, Parisin, Vjenën apo Washingtonin.

Ne si popull, në përgjithësi, kemi tendenca të mos duam ta kuptojmë logjikën e gjeopolitikës dhe ndjekim lehtësisht vetëm fituesin e të “fortin”, shpesh duke iu servilosur atyre. Kjo vjen edhe për shkak se ne në breza nuk jemi edukuar me filozofi të tillë. Ne duhet të bindeshim, jo të mendonim. Por bota e politikës reale mbështetet mbi interesat e shenjta kombëtare e shtetërore, ndaj unë mendoj se nëse ne do të shihnim interesat e Shqipërisë në radhë të parë, përpara atyre të partive e të kryetarëve të tyre, do t'i shërbenim më mirë vendit e të ardhmes së tij e tonës.

Personalisht mendoj se personazhet historikë nuk mund të etikohen e cilësohen si “tradhëtarë” për leverdi politike të disave. Kjo tregon që përpos se janë njohës të këqinj të historisë, etiketuesit nuk duan as të logjikojnë me mendje të hapur dhe kanë mbetur peng i mendësisë së diktaturës me mësimet e së cilës janë edukuar.

Në këtë rast është edhe më e thjeshtë për ne shqiptarët e zakonshëm të kuptojmë llojin e politikanëve të cilët votojmë e u ngarkojmë detyrën të na rregullojnë apo vështirësojnë jetën, sepse vetëm duke i dëgjuar çfarë flasin e ku i kanë interesat reale, kuptojmë se nuk kanë as idetë më të vogla të zbatimit të rregullave të pavdekshme të politikës e gjeopolitikës mbi çeshtje të interesit kombëtar (siç i kanë vendet e tjerë të cilëve ne sot duam kaq shumë t'u ngjajmë), por kanë vetëm interesa të ngushta personale të lidhura me kolltukun e tyre dhe pasurinë e krijuar në pak vite.

©Ervina Toptani