A do të kemi një “Protokoll të Korfuzit” edhe për Kosovën? - Klodi Stralla

Klodi Stralla
Po bëhet gjithmonë e më e qartë se Serbia ka marrë miratimin e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Prishtinën të pranojë “Zajednicën”, pra Autonominë e tre komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës. Po përsëritet i njëjti skenar i një shekulli më pare kur shtetit të posaformuar shqiptar të Wid-it iu imponua nga ndërkombëtarët “Protokolli i Korfuzit’ i 17 majit 1914, që sanksiononte autonominë e “Vorio-Epirit” (Shqipërinë e Jugut) që, për fatin tonë të mirë, nuk mundi të vihej në zbatim për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Në shkurt 1914, kur ishte bërë e qartë se Shqipëria do të ishte një shtet sovran në kufijtë e caktuar të 1913-ës, elementët grekofonë të Jugut, të nxitur dhe mbështetur nga Greqia dhe Kisha ortodokse greke, ndërmorën një rebelim të armatosur dhe në 2 mars 1914, ende pa mbërritur Wid-i në Durrës (7 mars 1914), organizuan në Gjirokastër një Kongres ku shpallën autonominë e “Vorio-Epirit”, ku përfshiheshin Gjirokastra, Saranda, Delvina, Përmeti, Himara dhe Korça.
Wid-i emëroi si komisar të jashtëzakonshëm për Shqipërinë e Jugut, oficerin holandez Tomson. Në emër të qeverisë së tij, ai shkoi në Korfuz ku do të zhvillonte bisedimet me përfaqësuesit vorio-epirotë. Kjo shënon fazën e parë të bisedimeve formale me autonomistët. Përfundimi i këtyre bisedimeve ishte në dëm të Shqipërisë, sepse në parim u pranua autonomia e këtyre krahinave. Qeveria e sapoformuar me në krye Turhan Pashë Përmetin, do t’i kundërshtonte lëshimet nga koloneli Tomson dhe i kërkoi Princ Wid-it largimin e tij.
Situata në Jug të Shqipërisë, solli një shqetësim të madh tek Fuqitë evropiane. Ato disa herë i kishin bërë thirrje me gjysmë zëri Greqisë, për të tërhequr forcat ushtarake nga ky rajon. Por, situata gjeopolitike kishte pësuar ndryshime në Evropë, Fuqitë e Mëdha të ndara në dy blloqe kundërshtarë po përgatiteshin për luftë dhe kërkonin aleatë. Çështja shqiptare nuk e kishte më atë rol në ruajtjen e barazpeshës midis Fuqive të Mëdha në Ballkan, ndaj edhe vëmendja ndaj saj erdhi duke rënë.
Më 6 maj 1914, Wid-i autorizoi në mënyrë zyrtare KNK-në (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit) që në emër të tij të fillonte bisedimet me të ashtuquajturin kryeministër vorio-epirot Zografos. Delegatët e KNK-së, pranuan rolin e ndërmjetësimit midis qeverisë shqiptare dhe asaj vorio-epirote. Takimi i parë formal midis KNK-së dhe delegatëve vorio-epirotë ndodhi në Korfuz në datën 9 maj 1914. KNK-ja, i prezantoi Zografos, projekt-programin e miratuar nga qeveria shqiptare. Ky program u refuzua në mënyrë kategorike nga përfaqësuesit vorio-epirotë. Ata parashtruan platformën e tyre që synonte të krijonte një shtet brenda shtetit.
Fuqitë e Mëdha, si kompromis hartuan një projekt propozimesh, i cili kalonte caqet e lëshimeve të bëra nga pala shqiptare. Pas shumë bisedimesh do të arrihej të nënshkruhet marrëveshja që njihet në histori si “Protokolli i Korfuzit” më 17 maj 1914. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (Fuqitë e Mëdha), Mehdi bej Frashëri (Qeveria shqiptare) dhe përfaqësuesit e qeverisë vorio-epirote, Zografos dhe Karapanos.
Protokolli përmbante 13 dispozita dhe një dispozitë të veçantë për Himarën. Ky Protokoll në përmbajtjen e tij, nuk ndryshonte shumë nga projekt-programi i paraqitur nga përfaqësuesit vorio-epirotë dhe faktikisht krijonte një shtet brenda shtetit të brishtë shqiptar.
-Një ndër pikat kryesore të këtyre dispozitave, kishte të bënte me organizimin e dy krahinave, Korçës dhe Gjirokastrës, ku KNK-së iu besua organizimi, administrimi, drejtësia dhe financat e dy krahinave jugore. Ndërsa, qeveria shqiptare në koordinim me KNK-në, do të emëronte dhe pushonte guvernatorët dhe funksionarët e lartë, në përputhje me numrin e çdo besimi fetar në vend.
-Për sigurimin e rendit në krahinën e Gjirokastrës dhe të Korçës, do të formohej një xhandarmëri vendase, me elementët e besimeve të ndryshme fetare, në përpjesëtim të barabartë për çdo komunitetet. Kjo xhandarmëri nuk mund të shërbente jashtë kufijve të këtyre krahinave, përveçse një periudhe të caktuar dhe në rast të një ngjarje të shkaktuar prej forcave madhore të njohura nga KNK-ja. Në këto vendime, forcat e armatosura ndalonin sjelljen dhe përdorimin e njësive ushtarake jo vendase, me përjashtim të rasteve të luftës ose shpërthimit të një kryengritje të brendshme në këtë zonë.
-Dispozita parashikonte se në shkollat e komunitetit ortodoks, arsimi do të zhvillohej në gjuhën greke, ndërsa gjuha shqipe do të mësohej në të tre klasat fillore. Arsimi fetar do të zhvillohej vetëm në gjuhën greke. Përdorimi i gjuhës shqipe dhe asaj greke do të ishte i garantuar në krahinat e Jugut, nga të gjithë autoritetet duke përfshirë gjykatat dhe këshillat e zgjedhur.
-Roli i Fuqive të Mëdha në këtë protokoll, do të ishte si garantues i ruajtjes dhe zbatimit të dispozitave të mësipërme. Në fund të Protokollit të Korfuzit, ishte vendosur dhe dispozita në lidhje me Himarën. Sipas propozimit vorio-epirot kërkohej që kjo krahinë të gëzonte privilegjet e vjetra që kishte pasur në kohën e Perandorisë Osmane.
Qeveria shqiptare e kryesuar nga Turhan Pasha, pas mbarimit të bisedimeve e ndjeu veten midis dy zjarreve. Nga njëra anë Fuqitë e Mëdha, që kërkonin të ratifikonin këtë marrëveshje dhe nga ana tjetër, situata e brendshme, që paraqitej tepër e koklavitur për shkak se kishte shpërthyer kryengritja e Shqipërisë së Mesme (Haxhi Qamili). E ndodhur në këto rrethana, më 23 qershor 1914, qeveria e Wid-it u detyrua, kundër vullnetit të saj, të ratifikonte “Protokollin e Korfuzit”.
Ky Protokoll, me përfundimet që solli Lufta e Parë Botërore, me vendimet e Konferencës së Paqes të Parisit (1919-1920) dhe sidomos me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në nëntor 1921, u bë nul dhe nuk pati asnjë vlerë e asnjë efekt.
Lus të jem i gabuar por, me Kosovën, po përsëritet i njëjti skenar i “Vorio-Epirit” të para një shekulli. Mbase na shpëton edhe kësaj here një “Luftë e Tretë Boterore”!
©Klodi Stralla











