Opinione

Kosova në NATO?! - Nga Dritan Goxhaj

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë një vizite zyrtare në Bullgari deklaroi: “duhet udhëheqje e guximshme dhe veprime vendimtare të aleatëve tanë në familjen euroatlantike, për ta përshpejtuar pranimin e bazuar në merita të vendeve demokratike të rajonit në BE dhe NATO, sepse çdo hezitim do të krijonte një boshllëk që aktorët keqdashës ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin e përtej”. Që përkthyer në një gjuhë normale, do të thotë se ngurrimi për ta pranuar Kosovën në aleancën ushtarake të NATO-s, lë të hapur mundësinë për destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit.

Është shumë interesant se si lidershipi i Kosovës nën shembullin e Ukrainës, po mundohet me të gjitha format dhe mënyrat që t’i bëjë presion anëtarëve të NATO-s që Kosova të pranohet patjetër në këtë organizatë, pa marrë parasysh asgjë.

Normalisht kur një lidership e bën me këmbëngulje një presion të tillë dhe sidomos kur deklaron se “çdo hezitim do të krijonte një boshllëk që aktorët keqdashës ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin e përtej”, do të thotë se ose këta kanë informacione që vetë NATO nuk i ka, ose janë thjesht duke luajtur me bllofin dhe po përdorin kësi lloj deklaratash thjesht për konsum politik, më shumë të brendshëm sesa të jashtëm.

Përveç shumë arsyeve se pse Kosova nuk mundet të pranohet në NATO, sidomos në gjendjen në të cilën ajo ndodhet, pra një shtet i panjohur ende nga një pjesë e vendeve të NATO-s,  arsyeja më kryesore që ajo nuk do të pranohet në NATO as sot e as atëherë kur edhe këto shtete të NATO-s ta njohin atë si shtet (dhe që besoj se deri më sot as Osmani dhe asnjë institucion politik dhe ushtarak në Kosovë nuk e ka marrë asnjëherë në konsideratë si problem), është vetë organizimi i NATO-s. Një pikëpamje që është neglizhuar dhe vazhdon të neglizhohet sa herë që shtrohet pyetja se pse nuk pranohet Kosova në NATO. Ndaj le të shohim organizimin e NATO-s dhe funksionim e saj për të kuptuar psenë e mospranimit.

Ashtu si të gjithë jemi të vetëdijshëm, që një organizate të funksionojë i duhet një strukturë e përhershme ose e përkohshme që drejton punët e kësaj organizate.  Dhe kështu edhe NATO që pas themelimit të saj në 1950, krijoi një strukturë civile dhe ushtarake të përhershme, shumë të madhe e shumë komplekse për të bërë të mundur funksionimin e saj.

Duke qënë se NATO është një organizatë ndërkombëtare, si çdo organizatë e tillë ka brënda saj delegacione të përhershme kombëtare të vendeve anëtare. Kjo do të thotë se çdo vend anëtar ka një përfaqësues të vetin me gradën e ambasadorit, me status diplomatik dhe që normalisht duhet të mbështetet edhe nga një staf i tërë diplomatësh dhe nëpunësish civilë dhe ushtarakë. Çdo delegacion në këtë organizatë në parim ka qasje në çdo informacion të NATO-s deri te ato që konsiderohen sekrete.

Pra që të kuptohemi më mire, gjëja e parë që do të ndodhte në rast se Kosova do të pranohej nesër në NATO, në zyrat e saj do të mbërrinte një ambasador i Kosovës, i shoqëruar nga një staf i tij që do të merrte pjesë direkt me të drejta të plota në vendimmarrjen e NATO-s. Po kështu edhe presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm dhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës do të merrnin pjesë në të gjitha nivelet e diskutimit politik, ndërsa ushtarakët e saj në të gjitha nivelet e diskutimeve ushtarake.

Kjo është shumë e rëndësishme, prandaj duhet parë pak më gjerë. Duhet të kemi prasysh se NATO është një organizatë ku çdo vendim kërkon konsensus dhe për të arritur atë që duan të gjitha palët, normalisht përdoret çdo lloj kërcënimi i mundshëm politik dhe diplomatik për të nxjerrë lëshime të mundshme.  Dhe në këtë rast çdo qeveri e Kosovës që do kishte sadopak mend, do bllokonte çfarëdolloj marëveshje dhe konsensusi nëse shqetësimet e saj mbi Serbinë nuk do të dëgjoheshin nga të tjerët. Kjo do të përkthehej në takime të gjata ditë e natë për hartim dokumentash e deklaratash ku Kosova do të kërkonte një gjuhë më vendimtare ose edhe më agresive ndaj Serbisë.

Një qeveri si kjo Kurtit normalisht që do këmbëngulte të kishte ajo fjalën e fundit në çdo deklaratë ose tekst të përpiluar nga NATO në raport me Serbinë. Dhe kjo do të ndodhte në të gjitha komitetet e NATO-s, sepse Kosova do të ishte anëtare e tyre. Komiteti më i rëndësishëm është Komiteti Ushtarak i cili organizon takime dy herë në vit në nivel të Shefave të Shtabit të Përgjithëshëm. Pastaj është Komiteti i Politikës dhe Planifikimit të Mbrojtjes, që aktualisht kryesohet nga një britanik dhe nxjerr gjithnjë draftet e çdo samiti të NATO-s.  Dhe këtu në këto dy komitete çdo delegacion i Kosovës do të gjente hapësirë të mjaftueshme për të krijuar probleme në raport me Serbinë.  Pra me gjithë kundërshtimet dhe kërkesat e saj për NATO-n karshi Serbisë brenda kësaj organizate, Kosova do të gjendej shumë shpejt në krye të një grupi të linjës së ashpër ndaj Serbisë brenda NATO-s, duke nxitur kështu për një politikë gjithnjë e më të ashpër ndaj saj.

E di që do mendoni se e gjitha kjo është e ekzagjeruar dhe se Kosova nuk do guxonte asnjëherë ta bënte këtë. Por po ju jap vetëm dy shembuj. I pari ka të bëjë me kritikat që Kurti iu lëshoi vëndeve të BE dhe vetë SHBA para disa kohësh. Imagjinoni sikur Kosova të ishte në NATO se çfarë presioni do të arrinte të bënte brënda organizatës duke mos dhënë konsensus për shumëçka, derisa të arrinte atë që donte. Shëmbulli i dytë ka të bëjë me Turqinë dhe Greqinë. Kur Greqia kishte problemin e emrit me Maqedoninë, turqit thjesht për të kundërshtuar grekët, nuk pranonin që të firmosnin asnjë dokument të NATO-s lidhur me Maqedoninë, nëse në të nuk shkruhej se “Turqia e njeh Maqedoninë më emrin e saj kushtetues”. Dhe këta janë vetëm dy shëmbuj të vegjël.

Gjithashtu NATO ka edhe edhe një Komandë Aleate Operacionale me vendkomandë qëndrore në Mons të Belgjikës, që udhëhiqet nga një gjeneral amerikan, por që është e mbushur me staf ndërkombëtar nga çdo shtet i NATO-s dhe ku edhe Kosova do të çonte personelin e saj në rast të pranimit. Dhe kjo komandë ka nën vete tre komanda të nivelit operacional dhe disa komanda të tjera Taktike. 

Dhe normalisht duke qënë se Kosova do të ishte në këtë rast kufiri i fundit i saj me Serbinë, Kosova me të drejtë do të kërkonte që në një moment të caktuar ajo të drejtontë këtë komandë taktike të vendosur aty, ose diku tjetër në rajonin e Ballkanit, ose do të kërkonte përqëndrim më të madh të forcave duke krijuar kështu një komandë të re operacionale në duart e saj. Dhe do të ishte e gatshme që jo vetëm ta pranonte në territorin e saj një komandë të tillë, por edhe ta mbushte atë me staf të sajin ushtarak. Dhe kështu Kosova do të fitonte një influencë të madhe në NATO.

Duke qënë se NATO është edhe një organizatë politike ajo ka gjithashtu edhe një strukturë civile të mbushur me personel civil nga çdo shtet anëtar. Dhe në këtë strukturë do të ishte e logjikshme që Kosova të kishte pozicionet kryesore brënda saj në të gjitha drejtimet që lidhen me Serbinë, jo vetëm se ka njohuri të gjuhës, por ka edhe një numër shumë të madh të ish-oficerëve të saj që kanë mbaruar akademitë ushtarake dhe shërbyer në ushtrinë jugosllave dhe serbe.

Aktualisht shumë shtete në NATO, si Shqipëria, operojnë në modulin “autopilot” dhe nuk kanë asnjë objektiv në NATO, por thjesht nuk kanë asnjë arsye pse ta lënë, pasi benefitet politike duke qënë anëtarë janë më të mëdha. Por Kosova në NATO nuk do të ishte si Shqipëria. Ajo shumë shpejt do të arrinte një nivel influence, kjo për shkak të Sërbisë dhe marëdhënies me të, dhe kështu do të përfundonte që bishti të drejtonte kokën.

Për këtë arsye besoj fort se asnjë vend anëtar i NATO-s nuk e do dhe nuk e përkrah anëtarësimin e Kosovës në të. Pasi NATO siç shihet ndjek më shumë politikën e diplomacisë sesa atë të forcës dhe të konfrontimit direkt.

Ndaj ata që merren me këshilla ushtarake në qeverinë e Kosovës do bënin mirë t’i thonin edhe presidentes edhe kryeministrit, që nuk është e udhës të kërkojnë diçka që nuk do e arrijnë kurrë, por më mirë të fokusohen te kërkesa të cilat janë vërtet të arritshme. Dhe nëse me të vërtetë duan të jenë pjesë e NATO-s, duhet ta kuptojnë se e vetmja mënyrë për të arritur atë objektiv është dhe do të jetë gjithnjë vetëm bashkimi me Shqipërinë.

© Dritan Goxhaj