Blog

Doktor Zhivago i dha Nobel-in, por nuk e shpëtoi dot nga varfëria

 Albert Vataj shkruan në Facebook:

Vetmia dhe varfëria ekstreme torturuan deri në vdekje, nobelistin rus, Boris Pasternak

Vetëm 25 km në jug-perëndim të Moskës, në Perdelkino, në ish-qendrën e bohemës letrare ruse, aty ku sot ndodhet varri e muzeu i shkrimtarit të madh, më 30 maj të vitit 1960, vdes i izoluar e pothuajse në një varfëri ekstreme, Boris Pasternak. Vetmia e këtij shkrimtari duket sikur vazhdon dhe sot shumë vjet pas vdekjes e nuk po gjen fund. Pasternak i lindur në vitin 1890 kish artin në gjak, trashëguar nga i ati piktor e nga e ëma pianiste. Fëmijërinë e tij e kaloi i rrethuar nga prezenca e përditshme e inteligjencës më të njohur ruse, miq të prindërve të tij. Piktorë, kompozitorë, muzikantë e shkrimtarë, midis të cilëve dhe Lev Tolstoi mblidheshin për orë e orë të tëra në sallonin e shtëpisë së tij, prania e bisedat e të cilëve do lënë gjurmë në formimin e tij të mëvonshëm. Fillimisht nën gjurmët e nënës e me dashurinë për muzikën, Pasternak studioi për disa vite piano, e më pas udhëtoi në Evropë si student i shkencave filozofike. Pas viteve të studimit, ai iu dedikua vargjeve e botimeve të disa vëllimeve poetike. Por qe “Doktor Zhivago” romani i tij i parë e i vetëm, i cili i dhuroi atij çmimin “Nobel”.

Për historinë e romanit që u shpërblye me Nobel

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Boris Pasternak nis e përfundon së shkruari romanin e tij të vetëm “Doktor Zhivago”. Lidhja e Shkrimtarëve Rusë refuzon botimin e këtij libri i konsideruar autobiografik e me tone negative ndaj Revolucionit të Tetorit. Kjo vepër, kopjet e së cilës u sekuestruan nga qeveria komuniste ruse, u bë shkaku i një persekutimi intelektual të shkrimtarit nga ana e regjimit politik vendas. Por dorëshkrimi origjinal i “Doktor Zhivagos” shpëton nga sekuestrimi, kapërcen kufijtë rus dhe ishte shtëpia botuese italiane “Feltrinelli”, e cila realizoi më vitin 1957 botimin e parë të këtij libri. Jemi në vitet e krizës së Luftës së Ftohtë e ky libër u bë dëshmia e vetme e realitetit rus, u përkthye në disa gjuhë e u përhap shpejtësisht në të gjithë botën. Nën optikën e Zhivagos e të Pasternak, dënohej idealizmi bolshevik, burim vuajtjeje e dhimbjeje për popullin sovjetik. Doktor Zhivago u kthye në simbol të realitetit rus.
Në vitin 1958 Akademia Suedeze e rendit këtë libër në kandidaturat e mundshme për marrjen e çmimit “Nobel” me mendimin e fitores së sigurt të “Doktor Zhivagos”. Por pak ditë para dhënies së çmimit kuptojnë gabimin. Çmimi “Nobel”, sipas rregullores, mund t’i jepej një autori për veprat e tij vetëm pasi të jenë botuar në gjuhën nënë. “Doktor Zhivago” për fat të keq nuk kish njohur një botim të tillë e si rrjedhojë nuk do të mund të njihte këtë vlerësim. Kur gjithçka dukej se kish marrë fund hyn në lojë shërbimi sekret i inteligjencës amerikane CIA.
Jemi në kulmin e Luftës së ftohtë e vlerësimi me çmimin “Nobel” i një shkrimtari disident rus mbi një vepër që i çirrte maskën realitetit sovjetik, u bë për CIA-n një mision i rëndësishëm. Sipas fakteve të ndërtuara nga studiuesi Ivan Tolstoi, shërbimet sekrete amerikane bien në dijeni të ekzistencës së një dorëshkrimi të librit “Doktor Zhivago” në rusisht në bordin e një avioni. Pasi detyrojnë devijimin e avionit drejt Maltës, ky dorëshkrim i daktilografuar në rusisht fotografohet faqe për faqe. Më pas publikohet me një letër ruse e sipas normave të tipografisë ruse. Misioni u krye: CIA publikoi “Doktor Zhivago” në rusisht e KGB u mund. Tani dyert e “Nobel”-it për Boris Pasternak qenë të hapura.