Kolumnist

Shansi i fundit - Nga Genc Tirana

 Genc Tirana - Toronto

Ditët e fundit për zgjedhjen e presidentit të 48-të ndoshta do të mbeten si më të tensionuarat në historinë elektorale të Shteteve të Bashkuara. Kandidati republikan, ish-presidenti Donald Trump, këto ditë paditi në gjyq rrjetin gjigant të lajmeve CBS për shtrembërim të një interviste 60-minutëshe me kandidaten demokrate, zv.presidenten Kamala Harris. Avokatët e Trump argumentojnë se CBS duhet të jetë ligjërisht përgjegjës për mashtrimin e publikut kur ndërhyn në zgjedhjet presidenciale me këto sjellje mashtruese. Pavarësisht nëse kjo akuzë ka apo jo bazë ligjore, e pazakonshmja është se tensioni politik ka lëshuar metastaza gjerësisht në media dhe më keq Akoma, në publikun e gjerë i cili është kontigjenti që vendos për fatet e Amerikës.

Amerikanët janë krenuar gjithnjë për epërsinë ndaj vendeve të tjera perëndimore në lidhje me nivelin e tyre të demokracisë. Sitemi i Kolegjit Elektoral, ku zgjedhjet fitohen nga votat e mbledhura në bazë shtetesh është organizuar në mënyrë të tillë që në të vërtetë e bën më evident rolin e drejtëpërdrejtë të votuesit në zgjedhjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Baballarët e themelimit të Amerikës e shihnin zbatimin e këtij sistemi në sinkron me amendamente të tjera kushtetuese si liria e fjalës, e shtypit dhe të drejta të tjera. Veçse kalbëzimi vitet e fundit i organeve mediatike që përpunojnë opinionin, të cilat anojnë gjithnjë e më shumë nga propaganda, e ka kontaminuar tashmë publikun në atë nivel, sa tani më 2024 në Amerikë do të votohet më shumë për partinë që përfaqëson secili kandidat, sesa për meritat individuale të Presidentit të ardhshëm.

Noshta kryeneçësia e Trump, ndryshe nga presidentët paraardhës, për ta mbajtuar Amerikën larg luftrave, për të mbrojtur kufirin e Jugut nga dyndjet e imigracionit të paligjshëm dhe për të mbrojtur nivelin e punësimit në vend duke rritur tarifat e importeve etj., ka trembur sadopak grupet e niveleve të larta që lobojnë për të ndikuar në politikën e vendit në favor të interesave të tyre. Është fakt që gjatë presidencës së tij nuk u nxitën dhe nuk u zhvilluan luftra dhe bota ishte më në paqe se kurrë ndonjëherë. Ai i vuri fre fluksit të imigracionit të paligjshëm dhe fuqizoi institucione si Immigration and Customs Enforcement (ICE) për të përndjekur kriminelë të organizatave famëkeqe si MS-13 që vinin nga Amerika Qendrore. Vetëm në 2017, ICE arrestoi më shumë se 11 mijë kriminelë të lidhur me narkotikët dhe ndaloi të hynin në vend më shumë se 980,000 paund lëndë narkotike përfshirë helmet si fentanyl dhe heroinë që vrasin përditë me dhjetra e qindra të rinj. Gjatë asaj periudhe u konfrontuan praktikat e padrejta tregtare të Kinës që prej vitesh Uashingtoni zyrtar i kish lënë siç ishin. Vendosi 25 për qind tarifa për 50 miliardë dollarë mallra të importuara nga Kina dhe më pas vendosi një tarifë shtesë prej 10 për qind për 200 miliardë dollarë mallra kineze e masa të tjera për të favorizuar punësimin e punonjësve amerikanë në vend. 

Duket se Trump të ketë qenë eksperimenti i fundit për të mbajtur një president me personalitet individual që priret më shumë nga interesi i publikut sesa nga interesat e lobeve të fuqishme. Lidhja logjike mes këtyre interesave nga njera anë dhe propagandës mediatike për ta paraqitur Trump si fashist apo diktator, akuzat e panumërta për ta dënuar me burg, për t’i falimentuar bizneset e tij apo tentativat për ta eleminuar fizikisht nga ana tjetër, është e pamjaftueshme, pasi duhen edhe prova të tjera për t’i bërë këto lidhje.

Veçse në të kundërtën e kësaj një fakt është mëse i vërtetë. Kamala Harris u fut në garën presidenciale si nga një dorë e fortë e padukshme. Ajo hyri në garë pa marrë asnjë votë në zgjedhjet brenda partisë. Është rasti i vetëm në historinë elektorale që një kandidat për zgjedhjet e përgjithshme për president nuk votohet paraprakisht nga partia në një proces paraprak që njihet me termin “Primary Election”. Është në themelin e demokracisë amerikane që shtetet dhe territore të ndryshme bëjnë zgjedhje brenda një partie përkatëse për të përcaktuar kandidatin e asaj partie për zgjedhjet e përgjithshme. Veçse Demokratët nxituan të vendosin Harris si kandidate kur e panë të pamundur që të mbanin të fshehtë faktin që Biden ishte shkërmoqur mendërisht. Emrimi i shpejtë pa votim duket më shumë si një dorë e padukshme që kërkon që presidenti i Shteteve të Bashkuara kësaj here të mos jetë një personalitet që ka vizionin e tij për ardhmërinë e vendit, por një individ me peshë të lehtë që të komandohet kollaj.

Pra kush është Kamala Harris? A është ajo një nga përfaqësueset më të mira të Partisë Demokratike? Çfarë ka bërë ajo për Amerkën? Logjika e do që në postin më të lartë të vendit më të fuqishëm në botë të jenë ata që kanë merita të veçanta dhe arritje në jetë dhe veprimtarinë e tyre në shërbim ndaj publikut. Demokratët gjatë historisë kanë vendosur në postin e presidentit dhe zëvendëspresidentit figura të shquara si Franklin D. Roosevelt, Harry S. Truman, John F. Kennedy e me radhë. Madje edhe presidentët demokratë të dekadave të fundit pavarësisht uljengritjeve si Clinton dhe Obama, kanë qenë tepër karizmatikë dhe si përgjegjës në lidership kanë gjetur mbështetje të gjerë në popull dhe arenën ndërkombëtare. Bie fjala Truman njihet për famën që ka pasur si ideatori dhe zbatuesi i Planit Marshall nëpërmjet të cilit u bë e mundur rindërtimi i ekonomisë së Europës Perëndimore të dëmtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Amerikanët me të drejtë krenohen me këto arritje të zëvendëspresidentit dhe më pas presidentit të tyre Truman.

Me çfarë arritjesh mund të krenohet Kamala Harris gjatë viteve si zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara? Kjo është më shumë pyetje retorike pasi ndoshta Harris në karrierën e saj si zëvendëspresidente do të mbahet mend veçse për dështimin në ekonomi, në sigurinë e kufirit Jugor, në politikën e Jashtme dhe në Sigurinë publike.

Harris mbështeti shpenzimet masive të qeverisë duke dërrmuar familjet amerikane me inflacionin, rritjen e normave të interesit dhe koston e lartë të jetesës. Sipas gazetës dhe mediave digitale “The Hill” nga viti fiskal 2021 deri në 2024, Zyra e Buxhetit të Kongresit vlerëson se shpenzimet federale tejkaluan nivelin para pandemisë të 2019 me 8.2 trilion dollarë dhe shkaktuan deficite prej 7.7 trilionë dollarësh. Kur Biden dhe Harris morën detyrën, Amerika kishte shkallën më të ulët të imigracionit të paligjshëm në gati 50 vjet. Ata të dy çaktivizuan politikat shtrënguese të trashëguara nga presidenti Trump që imigrantët e paligjshëm të qëndonin në Meksikë pa hyrë në Amerikë dhe fëmijët të mos pranoheshin të pashoqëruar. Për rrjedhojë ilegalët vërshuan dhe kartelet trafikuan miliona njerëz nga Amerika Qendrore dhe Jugore duke shkaktuar jo pak herë vdekje dhe krime të tjera gjatë rrugës. Tërheqja katastrofike e trupave nga Afganistani dhe rritja e tejskajshme e krimit në vend janë dështime tragjike në politikën e Jashtme dhe në Sigurinë publike që janë faktuar me dhjetra herë në mediat opozitare.

Është fakt që karriera politike e Kamala Harris ka nisur vite më parë fillë pas një marrdhënie që ka pasur me kryetarin e atëhershëm të Asamblesë së Kalifornisë, Willie Brown, shumë më i moshuar se ajo. Pra, si fillimi ashtu dhe vazhdimi i karrierës së sajë nuk kanë shkëlqyer ndonjëherë për të merituar pozicionin a një kandidati për një garë presidenciale, gjë që përforcon idenë që kësaj here po kërkohet një president me peshë të lehtë. Prezenca e Kamalas në këtë garë presidenciale shkurtimisht mund të përmblidhet më mirë me një frazë të saj në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë të vitit të kaluar që ka tërhequr vemendjen në një Meme që qarkullon në internet si një parodi: "Ti kujton që sapo ke rënë nga një pemë arre-kokosi?"

Pavarësisht se nga ka rënë Harris në këtë garë, kësaj here zgjedhjet presidenciale janë edhe një test për të parë nivelin e emancipimit të elektoratit në Shtetet e Bashkuara. Fatkeqësisht elektorati është nën trysninë e propagandës mediatike më shumë se kurrë. Artikujt dhe komentet televizive që e paraqesin një kandidat si fashist e kriminel dhe tjetrin si të rënë nga qielli ndikojnë doemos në votuesit e lëkundur. Vetë presidenti në detyrë i Shteteve të Bashkuara, Biden në një koment të ditëve të fundit në media i etiketoi përkrahësit e Trump me termin “plehëra”, edhe pse më pas u përpoq të shfajësohej nga ky portretizim vulgar i miliona qytetarëve që ai drejton zyrtarisht prej 5 vitesh. Vetë organizatat e sondazheve janë më të politizuara më shumë se kurrë. New York Times/Siena College si nga organizatat kryesore të sondazheve në vend paraqet si fitues të mundshëm Harris me 49% ndaj Trump që sipas tyre ai pason me 48%. Në të njëjtën kohë Polymarket.com parashikon që zgjedhjet të fitohen nga Trump me një epërsi 56% ndaj Harris që pason me 44%. Nga ana tjetër votimi i parakohshëm me postë e për më tepër aktet e vandalizmit ku kuti postare votimi janë sulmuar me lëndë djegëse në Washington, Oregon etj., nervozon edhe më tej elektoratin.

Është afër mendjes se në një gjendje tensioni si kjo dilemat e votuesve të lëkundur mund të anojnë nga një anë apo në një tjetër. Veçse zgjedhja e një presidenti pa peshë që mund të mbajë anën e interesave të grupeve të ngushta lobuese apo të një presidenti me integritet që mban anën e qytetarëve përcakton nivelin e demokracisë. Qytetarët amerikanë dhe qytetarët e gjithë botës që ende e shohin Amerikën si liderin ndërkombëtar janë për demokracinë dhe prosperitetin e tyre dhe vota e 5 Nëntorit është shansi i fundit. 

© Genc Tirana

Foto: CBC/Radio-Canada/Getty Images