Vende & Zakone

“Kroi i Bardhë”, unik në Shqipëri - Nga Ndue Dedaj

(Pa një projekt qeveritar zhvillimi)

Kohë pas kohe, qytetarë dhe specialistë të natyrës, mjedisit, ekologjisë, shkruajnë për Kroin e Bardhë të Selitës në Mirditë, por i vetmi që nuk mban shënim dhe nuk ndjehet për të është shteti, bash ai që duhet të jetë dhe dalëzotësi i një pasurie të tillë ujore të pazakontë. As në vendet e shenjta nuk shkojnë më shumë njerëz se në këtë mal që dominohet nga ahu dhe arrneni, pasi Kroi i Bardhë është shërues “vullnetar” tashmë i njohur botërisht. Mendohet se numri i pushuesve që vijnë këtu familjarisht çdo verë për t’u kuruar e pushuar i kalon 5 mijë vetë në vit. Kohë më parë të ardhurit flinin partizançe dhe ndiznin pishë e qirinj për të bërë dritë në çadrat e tyre modeste, që ngrifeshin e shkrifeshin çdo 15 ditë, më pas u fut gjeneratori dhe ka dy vjet që ka përfunduar “elektrifikimi” e tash ka energji elektrike. Po ashtu rruga, copë-copë, që mund të kalohet pa vështirësi vetëm nga arushat, dhitë e egra e ato të tufës së madhe të Ndue Përgjonit. Infrastruktura! Ky është problemi, këtë qajnë të gjithë. Rrugë, rrugë, rrugë!...

Në bjeshkët tona shëron ajri, ujët dhe bimët. Një shenjtëri më vete e natyrës bujare, me shumë “shenjtër”. Njëri nga këta është “Kroi i Bardhë” në Selitë, në lartësinë 1350 metra në shpatet e Kunorës, përballë malit të Didhës. Nuk mund ta mbash dorën në ujë ngaqë është i ftohtë, por të tjera veti e dallojnë atë nga gjithë krojet e tjerë. Ai dhe lugun e drurit e bën të bardhë si veten, ndoshta dhe rrënjët e drurëve që përshkon para se të dalë në sipërfaqe. Gërryen dhe gurin deri në palcë. Atëherë si e përballon trupi i njeriut? Apo njeriu është më e i fortë se guri e druri? Këtu qëndron magjia e shkencës dhe jo e legjendës. Qindra e mijëra njerëz janë ngjitur atje gjithë këto vite, sidomos në muajt e verës, nga e gjithë Shqipëria, por dhe të huaj. Edhe pse nuk ka ndonjë statistikë, pasi tek ne ende askush nuk mban shënim sa hynë dhe sa dolën. Njëlloj si për turistët, ku llogarisim si të tillë të gjithë ata që kalojnë në dogana dhe aeroporte gjate stinës së plazhit!?

Në Mirditë njihet si Kroi i Bardhë i Selitës, jashtë saj si Kroi i Bardhë i Mirditës, kurse ata jashtë vendit e njohin si kroi shërues i Shqipërisë. Ka dhe ndonjë tjetër në Ballkan të ngjashëm, por kroje të tilla numërohen me gishtat e njërës dorë. Megjithatë, edhe pse krejt unik, a ka ndonjë projekt qeveritar për të? Pasi ky i kalon mundësitë e një bashkie. Është krijuar një kamping me investime të banorëve, por asesi jo aq sa e meriton të investohet te ky krua i rrallë në botën shqiptare. Rruga malore prej 8 kilometrash, nga lumi i Urakës (Mërkurth) deri te Kroi i Bardhë, është tejet e vështirë, ndonëse në një peizazh pyjor mahnitës.

Kemi shkelur në malin e Kunorës, ku gjendet Kroi i Bardhë, para 35 vitesh për të shkruar një reportazh, kur ishte vetëm kroi dhe asgjë tjetër. Druvarët dhe barinjtë, që asokohe ishin thuajse të vetmit frekuentues të tij, na thoshin me aq sa dinin, se ky ujë e humbet vlerën po të futet në shishe dhe se njëzet-tridhjetë minuta pasi të dalë nga burimi ai bëhet ujë i zakonshëm. Shkurt, ai nuk është uji për shtëpi. Mbase bash për këtë, njëzet vite më parë nuk pati sukses një nismë për ta industrializuar për treg.

Por a ka një studim shterues për Kroin e Bardhë? Çfarë thonë gjeologët, hidrologët për thellësinë, prurshmërinë dhe “depozitën” e tij nën tokë? Ç’thonë mjekët e spitaleve, që ky “doktori” pa bluzë të bardhë iu ka hyrë në zanat? Ata me sa dimë nuk lëshojnë rekomandime klinike për të shkuar atje, kurse gojarisht po. Një kimist i njohur i ish-uzinës së bakrit Rubik, Nikollë Marku, vite më parë i ka bërë analizat ujit të Kroit të Bardhë dhe ai ka vënë re aty praninë e radonit, këtij gazi natyror pa ngjyrë e pa erë që në pamje të parë të kall frikën, pasi ai është helmues dhe kancerogjen për mushkëritë.

Po si është e mundur atëherë, që njerëzit në vend që t’i ikin këtij armiku vdekjeprurës, turren me vrap për atje ku ai çlirohet nga nëntoka? E po natyra di se ç’bën në dobi të njeriut! Duket se ka qenë ajo e para që e ka zbatuar atë postulatin “Gjella me kripë e kripa me karar”. Radoni i ka të dy anët e medaljes, në doza të mëdha është vrasës, në doza të pranueshme është i shëndetshëm, dmth ilaç, që nuk ke nevojë ta marrësh në farmaci me lekë, por në mal falas. Kaq e thjeshtë është. Eksploruesi par excellence i natyrës shqiptare, inxhinieri i mirënjohur mjedisor Abdulla Diku, që i ka përqasur treguesit e këtij burimi me literarurën shkencore të huaj, shkruante këto ditë se vlerat shëruese të tij nuk janë një legjendë urbane, por ato “lidhen më së shumti me vetitë shumë kuruese të radonit që gjendet i tretur në sasinë e duhur në këtë ujë”. Mediat dhe ekologjistët i kthehen e rikthehen këtij monumenti natyror, që nuk ka një të dytë si ky në trojet shqiptare, gjithnjë duke sensibilizuar për një vëmendje të shtuar të shtetit ndaj tij, por dhe të sipërmarrësve të mëdhenj, që mund ta kthejnë këtë bjeshkë të bekuar në një areal turistik “zviceran”, ndryshe nga ndërtimet spontane që do ta kthenin në një “Bathore”.

Nëntoka e Selitës është mineralore dhe me siguri atje thellë ndodhin reaksione kimike, që na mundësojnë këtë gjendje të radonit në ujin e këtij burimi të përveçëm. Ujët e tij kuron sëmundje të frymëmarrjes, laringut, tiroideve, rrugëve urinare, sistemit të tretjes, veshkave, stomakut, lëkurës, reumatizmës etj. Fakti që ndihmon gratë për të mbetur shtatzana, e bën edhe më mrekullibërës. Kaq “kapacitet” shërues nuk e ka një spital i tërë Tirane më njëqind mjekë e plot aparatura moderne. Nuk duam ta teprojmë, por është një libër më vete përvoja e jetuar, ani se e pashkruar e atyre që janë shëruar te ky Krua, të cilët thonë se njerëz që mezi kanë mbërritur aty, duke i mbajtur për krahësh, sapo kanë pirë ujin e tij kanë filluar të ecin në këmbët e veta. Pse jo? Ec e mos e beso se ky vend dikur nuk ka qenë i orëve dhe zanave. Ajo që dihet është se të parët që e pikasën ishin austriakët në vitet e Luftës së Parë Botërore, ndërsa në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur pati një interesim për turizmin në Theth, ujin e Qafë Shtamës, liqenet e Lurës etj., në Kroin e Bardhë patën ardhur mjekë dhe qytetarë italianë për rreth një dekadë.

Ka kroje që jo rastësisht në popull janë quajtur “Kroi i Ujit të Mirë”, ngaqë “uji i tyne asht i lehtë, mund të pish sa të duash e nuk të randon”, ndonëse uji i asnjë kroi nuk të bën keq, përpos kur përshkon gëlqerorë. Kroi i Lajës në bjeshkën e Kaçinarit ka qenë një tjetër krua “magjik” me veti shëruese, për çka çdo verë kishte individë që kalonin aty me çadër një muaj. Para rreth tri dekadave i jemi bashkuar një grupi ekologjistësh dhe pylltarësh që venin nga Rrësheni për një vizitë trajnuese tek ai krua, aq i dëshiruar nga sharrëtarët, barinjtë, mbledhësit e boronicës, kërpudhave etj. Tashmë krejtësisht i harruar. Por i pari mbetet Kroi i Bardhë. Ai është një “minierë” më vete.

Ata që nuk e kanë ujin, shpojnë tokën dhe hapin puse pas pusesh, jo rrallë duke mbetur dhe vetë viktima në fundin e tyre. Të tjerë çajnë malet për t’u hapur udhë lumenjve që të derdhen në fusha për ujitjen e tokave. Është një betejë dymijëvjeçare që në Antikitet e njeriut me thellësitë e nëntokës për të nxjerrë nga dheu ujin e munguar. Ujësjellësi i Domgjonit në Mirditë, i shekullit IV të erës sonë, është dëshmia më e rëndësishme shqiptare në këtë anë. “Qeveria” e asaj kohe e nxorri ujin me tunel nga fundi i malit të Munellës, kurse qeveritë e sotme, në kohën e teknologjisë më të përparuar të shekullit XXI, e kanë lënë Kroin e Bardhë thuajse në origjinë. Duke ditur ndërkohë fuqinë shëruese të ujërave termale (llixhave) gjithandej, të Kroit të Bardhë, që nuk është i vetmi shërues, atëherë mund të themi, jemi me fat që e kemi “Shën Ujin”, por nuk është ai me fat që na ka neve si përdorues, që mjaftohemi vetëm me atë që na ka dhuruar Natyra…

© Ndue Dedaj