E dashur Shqipëri… - Nga Jeta Dedja

- Nga: Jeta Dedja
Brenda mureve të shtëpive të tua kam parë gjithmonë një pastërti që s’krahasohet. Banorët e tu kujdesen për çdo gjë: për dyshemetë që shkëlqejnë, për xhamat pa njolla, për perde të hekurosura me kujdes, për enë që xixëllojnë në raftet e kuzhinës, për mobilje të vendosura me shije. Gratë, edhe pse ende në një pabarazi të dukshme ndaj burrave sa i përket punëve të shtëpisë, i kryejnë të gjitha këto me përkushtim. Jo sepse u kërkohet, por sepse e ndiejnë si detyrim të natyrshëm të kujdesit për familjen.
Por sapo del jashtë, gjithçka ndryshon. Rrugica të zaptuara për parkim nga banorë që mendojnë se e kanë me tapi gjithë lagjen. Ose banorë të kateve të para që nuk paguajnë mirëmbajtje se nuk ngjisin më shumë se katër shkallë. Plehra që fluturojnë nga makinat, bidona plastikë në trotuare e rrugë që shënjojnë territorin, qese që era i shpërndan sa andej këndej, kafshë të braktisura rrugëve të qytetit, muzikë lokalesh në kupë të qiellit për inat të konkurentit ngjitur dhe jo për qejf të klientit. E gjithë ajo ndjenjë rregulli e pastërtie që më pushton brenda mureve të shtëpisë, përmbyset sapo dal në rrugë. Aty ku shoh atë kontrastin mes krenarisë dhe ndjenjës së fshehtë të inferioritetit.
Shqiptarët krenohen për historinë, gjuhën e lashtë, trimërinë, prejardhjen ilire, për Skënderbeun e madh, për mikpritjen. I falen e gjunjëzohen një të huaji vetëm sepse është “i huaj” pavarësisht çfarë përfaqëson ai. Njëlloj sikur ndihesh i vogël, i nënvlerësuar dhe kërkon miratime nga të tjerët, më të mëdhenjtë, të huajt, që të ndihesh se je dikushi, ai shqiptari i besës dhe mikpritës. Të kuptohemi qartë, i huaji në këtë rast duhet të përmbushë kriterin e racës së bardhë.
Ti Shqipëria ime ofron përkatësi, por sa për sy e faqe. Nëse je ndryshe në mendësi, origjinë, bindje, gjuhë, ngjyra lëkure, zgjedhje, nuk pranohesh me sinqeritet. Ka gjithmonë aty paragjykime që pengojnë zhvillimet dhe integrimet.
Është e çuditshme kur të njëjtët njerëz që në kriza ndodh të jenë mbështetës emocionalë të jashtëzakonshëm, të bëhen gurëhedhësit e parë në raste suksesesh. Janë ata që shkojnë e gdhijnë me mikun, të afërmin kur kanë humbur njeriun e dashur. Bëhen copë ta ngushëllojnë. Por kur miqtë arrijnë suksese nuk përtojnë t’ua vënë damkën e t’i përflasin sikur dikush ua shtroi rrugën “U bë ai/ajo” ?
E kur shoh të rinjtë e tu gjithmonë në garë me veten, me njëri-tjetrin, me botën, trishtohem. Duken sikur janë në një provë të përhershme për të provuar vlerën e tyre. Me flokë të krehur e stiluar, me trupa të palestruar, rroba të shtrenjta, ndërhyrje estetike të panevojshme, celularë të fundit, makina që bëjnë përshtypje. Çdo gjë është pjesë e një imazhi që duhet ruajtur. Një rini në ankth. Pas fasadës së botoksit, skuterave elektrikë dhe lumturisë së Instagramit, fshihet një brez që nuk di të orientohet. Ata janë mësuar të duken, më shumë sesa të jenë.
Ndërsa të moshuarit e tu janë gjenerata e përvuajtur, që u mësua të heshtë, të mos kërkojë, të mos jetë barrë. Bëjnë çfarë u thuhet, thonë çfarë u kërkohet, votojnë kë të urdhërohen. Janë mësuar të binden, të ndjekin. Mendësia u thotë të mos ndihen se e kanë humbur të drejtën qëkur dolën në pension. Shumë pak prej tyre janë sfidantë të normave dhe pritshmërive demode.
Por pastaj vjen edukata në qarkullim. Aty ku unë njoha dorëzimin për herë të parë. Pas viteve disiplinimi me rregullat kanadeze e gjeta veten të paaftë të përballoja agresivitetin në rrugë. Makina që futeshin pa radhë, këmbësorë që kalonin ku të mundeshin, shoferë të irrituar që shanin njëri-tjetrin përmes borive. Në këto kushte, unë që dikur mund të kisha qenë një prej këtyre shoferëve prepotentë e dorëzova makinën.
Por ti, Shqipëria ime, e ke një pasuri që askush s’ta merr dot: Ke shkencëtarët më të mirë të psikologjisë dhe drejtësisë, matematikës e financave. Lumenj doktorësh e profesorësh që të kuptojnë e mbrojnë, analizojnë e shpëtojnë nga rrënimi.
Seriozisht, ti Shqipëria ime ke me bollëk ngrohtësinë dhe spontanitetin e komunikimit. Nuk ka trotuar pa një bisedë, në raste të rralla sheh klientë të vetmuar, shumica dërrmuese janë me miq me të cilët këshillohen, argëtohen, zihen, nuk ka shitës apo kamarier që nuk hyn në bisedë me klientin. Është shërim për shpirtin kjo natyrshmëri komunikimi. Por, ndonjëherë, disa edhe e teprojnë kur ia fillojnë e të japin mend për dietat, financat, martesën etj. E megjithatë, shqiptari-shqiptarit rrallë ia merr për ters. Prit pak; ndonjëherë edhe ia merr. Por zakonisht e rregullojnë muhabetin me një kafe, një drekë a darkë ku luftohet kush do të paguajë faturën, se shqiptari e njeh mirë respektin. E prapë, një fjalë e vetme mund ta prishë miqësinë e të shpërthejë sherri si pa të keq.
E nëse ke një hall? Më duhet ta pranoj: në asnjë vend tjetër nuk ndihesh kaq pak vetëm kur ke një hall. Në Shqipëri zgjidhja është gjithmonë një telefonatë larg, ose të paktën përpjekja për zgjidhje. Gjithmonë ka një mik të një miku që njeh dikë tjetër që mund të ndihmojë për një dokument, një vizitë mjekësore, një vend pune, a një derë që s’hapet. Nuk është sistemi që funksionon, janë njerëzit që mbajnë njëri-tjetrin me lidhje të padukshme, por të pathyeshme. Aty bien ndasitë partiake. Çdokush ka dikë në anën “e duhur” të politikës.
Dhe ja ku del në skenë një tjetër obsesion kombëtar: politika. Se politikës nuk i shpëton dot. Ajo është ushqimi i përditshëm i shoqërisë, buka e mendjes dhe e nervave. Shqiptarët të flasin sikur janë analistë, zihen si militantë, jetojnë mes sharjeve dhe lavdërimeve për ata që ua kanë bërë jetën dritë ose terr.
Këto janë realitetet e Shqipërisë sime; zhgënjyese, trishtuese, mallëngjyese, qesharake, por të miat. Dhe e bukura është se pikërisht kur mendoj se e kam kuptuar, ajo më befason. Si një shtëpi e pastër në mes të një rruge të rrëmujshme që më shtyn të largohem e po aq fort më tërheq të kthehem.
Ç’të them më shumë; është një përzierje emocionesh që nuk shpjegohet me logjikë.
© Jeta Dedja/Flasshqip.ca