Çfarë na duhet… përtej projekteve për bujë? - Nga Vangjush Saro
- Nga: Vangjush Saro - Vancouver
Shumë e vështirë ta fshehim gjendjen ku jemi; fjalët e projektet e shumta nuk na shpëtojnë dot… Debatet dhe thashethemet që po shoqërojnë daljen në dritë të një Kodi Penal në hartim e sipër, një draft në fakt, treguan edhe një herë se në ç’hall të madh janë institucionet dhe njerëzit. Kundërshtitë flasin për mungesë përgjegjësie dhe hipokrizi. Njëri thotë s’kemi dijeni për këtë draft. Tjetri ia pret që po, nëpunësi juaj ka punuar me aksh grup. Institucionet konsumojnë kohë dhe fjalë pa fund në nëntema, kurse tema e vërtetë, ajo e problemeve që përjeton vendi, mbetet jetime. (“Vetëm kush ka besim në vetvete mund t’u qëndrojë besnik të tjerëve.” E. From)
Pamja në gri vjen e tillë orë e çast. Fshatrave turistikë (në ëndrra) ua kanë zënë vendin vilat e oligarkëve. Uji, problem në dekada! Marrëdhëniet njerëzore dhe etika, përtoke. Shikoni si përleshen deputetët e mbetur dhe ata që sapo kanë marrë mandatet (duke e shndërruar gjithë periudhën para dhe pas zgjedhjeve në farsë). Madje edhe kur vjen puna për të ftilluar diçka konkrete nga ekonomia dhe projektet e shumta, prapë grindjet dhe paqartësitë prevalojnë. Kjo ndodh për shkak se janë në plan të parë interesa që nuk thuhen me zë të lartë dhe në gjithçka vendosin politikanët; ekspertët dhe teknikët janë në hije. Kjo situatë absurde rrëfen për një nivel të ulët demokracie, zhvillimi e integrimi, por më së pari për një qytetari në krizë.
Po shëmben (se mos vetëm këtë herë) ndërtime pa leje dhe po lirohen hapësirat publike. Kështu thuhet. Zhurmë e madhe. A thua nuk është bërë kjo, në të njëjtën mënyrë e me të njëjtën zhurmë, në dekada? Dhe a nuk jemi po aty? Gjithë një refren moskuptimesh edhe për çdo tentativë e projekt. Bie fjala, për sa centrale (elektrike) kemi nevojë? Liçensat vuu, më keq se lumenjtë e përrenjtë ku mendohet të ngrihen. Është e papërmbajtshme “kuturisja” e qeverisësve tanë dhe klaneve përqark tyre në projekte që prodhojnë lekë; për ata. Një etje frikshme për të fituar sa më shumë dhe me çdo kusht; nga kushdo që është lart e me pushtet dhe nga gjithë pjesa tjetër jo më pak egoiste, asish që jetojnë atje dhe të tjerë që po lënë nam gjetiu nëpër botë. (“Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.” F. Kafka)
Pse herë pas here e shohim veten në këtë kurth, që mban të mbërthyer egërsisht vendin dhe njerëzit? Kemi të bëjmë, nga njëra anë me shkeljen e normave më elementare që rregullojnë raportet e shtetit me shtetarët e vet; dhe nga ana tjetër me një qytetari në formim, që ende s’e gjen dot veten.
Nganjëherë, më vjen keq që e them, i kam zili fqinjët tanë. E kam shkruar edhe më parë: Nuk i kam zili vetëm pse nuk i prishin pyjet dhe nuk i shfrytëzojnë barbarisht lumenjtë. Nuk i kam zili pse e kanë Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, më të lartë se ne. Nuk i kam zili pse përqindja e planifikuar në buxhetet e tyre për shëndetësinë dhe arsimin, është më e lartë nga ajo jona. As për qetësinë, çka na mungon kohësh… Për të mos u zgjatur edhe më, e vetmja gjë për të cilën i kam zili fqinjët, është ajo që (në mungesë të një termi tjetër më të përshtatshëm) mund ta quaja shkallë qytetarie. Ne jemi në hall për këtë. Dhe këtu kanë ngecur të vjetër e të rinj, njerëz me pushtet dhe asish që përpiqen të fitojnë sa munden me soj-soj marifete. Edhe Gjergj Fishta, në kohën e tij, pyeste: “Pse shqyptarëve asht tue m’u ba,/ s’u vjen gjuha tjetër gja,/ veç me pshtjellë e me ngatrrue, për shoshojn veç me shprrallue, punët e mbara me i shkatrrue…” (Nakdomonicipedija).
Përpara përrallave me Sazan, me porte jahtesh e ku di ç’tjetër, na duhet një projekt mbi projekte, i tillë që të rrisë nivelin qytetar të vendit. Kur dhe si? Me këta që janë në krye të institucioneve, përfshi Kuvend e Qeveri, nuk duket se mund të konsiderohen tema të tilla dhe vështirë të ndriçohet pamja sadopak…
© Vangjush Saro - Vancouver












