Kolumnist

A e lë dora e larë zorrën tharë? - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Një skicë e ndërtuar me fjalë të urta popullore

Na ishin njëherë dy shokë me shtatin pyll e mendjen jo dhe aq fyell, të cilët drejtonin një kompani. Kishte raste që njëri nga këta i binte gozhdës, e tjetri patkoit, ndërkohë që një i tretë, zëvendësi i tyre, i shihte me sy e plaste me zemër e pastaj ikte nga sytë këmbët që dy pronarët të mos ia bënin 8 me 2 kur të shihnin që e kishte bërë punën shkel e shko.
Por në fakt dy pronarët nuk e bënin gjakun ujë për gabimet e zëvendësit se mendonin që gomari nuk çalon nga veshët.
 
Tjetërkund u këndonin kumritë. Kishin hallin t’i shtrinin këmbët më tej jorganit. Do zgjeronin biznesin, por ç’e do që shteti të merrte gjak në vetull dhe nuk e hante sapunin për djathë. Sa e merrte vesh një inisiativë, dërgonte tatimoret. Mesa duket nuk e dinte që ai që lyp shumë humb edhe atë që ka.
 
Një nga pronarët u kujtua se dashuria që ushqehet me dhurata ka shumë uri, dhe për këtë arsye vendosi ta priste këtë herë inspektorin e tatimeve me këmbët e para, por ç’e do që ai kishte ardhur t’ia fuste këmbët në një këpucë. Inspektori sillej sikur të ishte i sigurtë se nuk po kërkonte gjilpërën në kashtë, dhe që me një gurë të vriste dy zogj. Ua hodhi llafin për një gjobë.
 
Të tensionuar biznesmenët flisnin kodra pas bregut dhe njëri prej tyre bënte ecejake në zyrë si pulë pa kokë. Pastaj të dy filluan të zihen për 5 pare spec dhe inspektori më në fund e kuptoi që ishte e pamundur të nxirrte dhjam nga pleshti se biznesmenët ishin pemë pa kokrra dhe iku me bishtin ndër shalë, pa asnjë zarf në xhep, por ama pronarëve u la një alamet gjobe në dorë.
 
Kur inspektori u largua, dy shokët e kishin humbur si Xhaferri simiten, koka u nxirrte tym. Nuk u mor vesh ç’bitisën në gjithë këtë mesele, por një gjë e mësuan prej punonjësit të shtetit se dora e larë ta lë zorrën tharë. Në këto kushte u ulën të kuvendonin për të ardhmen e tyre pasi s’mbante më ujë orizi, as deti s’ngopej me lumenj.
Kush e gjen çfarë bënë dy shokët?

 

©FlasShqip.ca