Kolumnist

Kruja, e bekuar apo jo në vitin e Skënderbeut?!

Nga: JETA DEDJA

Meqenëse qeveria shqiptare e ka shpallur vitin 2018 vitin e Skënderbeut menduam të shkojmë një ditë në Krujë për të parë se çfarë ofron ndryshe qyteti këtë vit.

Ashtu bëmë...Pas përshkimit të rrugës, Fushë-krujë-Krujë, ku vende-vende faniteshin të çara asfalti dhe gropa, gjithsesi të përballueshme, hymë në Krujën e bekuar, dhe Skënderbenë e gjetëm po aq heroik në monumentin e qytetit, si në libra e piktura. Megjithëse në të djathtën e tij i bënte hije një tabelë e stërmadhe reklame picerie e diskoje, sërish ajo nuk ia hiqte madhështinë veprës, por ama as hijeshinë nuk ia shtonte kalorësit në këtë vit të shpallur përkujtimor.

Po të ndaloje pikërisht aty te Skënderbeu e të zbrisje shkallët drejt Bashkisë, aty para, në atë vend si tip sheshi, ishin vendosur stola prej druri dhe një projektor, ndoshta me rastin e kampionatit botëror.

Por, po të vazhdoje drejt për të parkuar makinën te parkimi 1 i kalasë, përveçse nuk do vuaje nga stresi për gjetjen e një vend-parkimi do paguaje më pak se në Tiranë, edhe pse ishe në një zonë turistike.

 

Prej parkimit, mund të filloje me nge turizmin kulturor, madje nëse do kishe nevojë sapo zbrisje shkallët, gjeje zyrën e informacionit turistik për kalanë dhe qytetin. Sepse Kruja nuk ka vetëm kështjellën e muzetë për të vizituar. Aty ke mundësinë edhe të turizmit natyror me Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës vetëm 25 km larg qytetit dhe turizmit religjoz me pelegrinazhin në majën e Sarisalltikut.

Por mua veçanërisht më pëlqen rruga e Kalasë, me Pazarin historik të Krujës. Kam qejf të hyj dyqaneve e të kundroj mallrat e punuar nga artizanët krutanë. Sigurisht që këto mallra janë në pakicë, pasi në Krujë, si kudo mbizotëron prodhimi kinez. Po të ushtroheshin më shumë zejet në Pazarin e Vjetër, turistët do të shpenzonin më shumë kohë dhe pará dyqaneve.

Tregëtarët krutanë janë me famë. Dikur, Noli i stigmatizonte në vargjet e “Merr e Zgjidh”

A të duhen gënjeshtarë? 
Matrapaz e kokë tharë? 
Kripën ta shesin për farë
Merr krutanë dhe je i larë.

E megjithatë në vitin e Skënderbeut, krutanët nuk kishin kripë për të shitur për farë. Sa për gënjeshtarë e matrapazë, ndoshta këto “cilësi” ua kanë përvetësuar pushtetarët me kohë.

Tregëtarët e sotëm krutanë shisnin plot qilima me motive, qeleshe e plisa, çifteli e çibukë të punuar në dru, suvenire me pamje kalaje e qyteti, portrete Skënderbeu por edhe të Saliut e Enverit të stampuar në filxhanë çaji.  

Qendra e pazarit ishte rikonstruktuar, bashkë me disa dyqane të reja dhe një restorant, i cili kishte marrë emrin e qytetit “Kroi”. Sepse emri "Krujë" mendohet ta ketë origjinën nga fjala "krua" (burim uji), pasi në Krujë ka shumë burime të tilla. Ky restorant i ri ofronte menu të traditës, ku nuk mungonte në fund kabunija tipike, por gjithashtu kishte edhe pjata të kuzhinës italiane. Normal, si mund të mungonin?! Por, ah, këtu fatmirësisht, nuk kishte schnitzel vienez, jo se kam ndonjë gjë kundër schnitzel-it, por është bërë bajat në menutë edhe të restoranteve më të humbura apo modeste shqiptare.

Nejse, kur dolëm nga restoranti, të kënaqur me shërbimin e Arbrit, kamarierit të ri por me vullnet e dëshirë për të mësuar, vumë re se rrugëve të kalasë, të shtruara e të ngjyrosura me ngjyrat e një qilimi tipik shqiptar sipas ornamenteve të njohura,

shëtisnin turistë polakë e kroatë, ku sigurisht nuk mungonin turistët japonezë. Ata fotografonin gjithçka, aq sa u bëra dhe unë kurioze në një moment për vlerën e një guri të hedhur pa kujdes nga punëtorët që kishin lënë gjurmët e punimeve të fundit.

Shumë i preferuar nga aparatet e turistëve ishte edhe Hajdar Kamberi, që i binte çiftelisë, i cili nuk përtonte e as bezdisej t’ia merrte këngës për çdokënd që i afrohej me celularin mu pranë fytyrës së tij. Madje kur im shoq, Taulanti hyri në muhabet me zotërinë pasi i mori leje për fotografimin, muzikanti shpalosi repertorin. 

Edhe librashitësi në hyrje të Kalasë, tërhiqte vëmendjen e kujtdo që i kalonte pranë. Ai ishte një mësues pensionist, i cili shiste librat e tij letraro-historikë, por që prezantohej me profesion psikolog, sepse sipas tij, vitet mbi supe dhe larmia e njerëzve që takonte çdo ditë ia jepnin këtë titull. Po, po mirë e kishte, sidomos në Shqipëri, ca diploma nuk bëjnë diferencën.

Më tej shumica prej jush e dinë se në kryeqendrën e shtetit të arbërit, në kalanë e famshme të Krujës, që prej vitit 1982, i trajtuar si një kullë shqiptare e veriut, gjendet Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastritoti Skënderbeu”.

Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në pavionet e muzeut janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj- na shpjegon Besmiri, im-vëlla si specialist i historisë që është.

Gjithashtu brenda zonës së kalasë ndodhet muzeu etnografik, si një monument kulture i kategorisë së parë. Thuhet se 90 për qind e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe të gjitha janë funksionale. Unë, si zbatuese e rregullave që në hyrje, nuk do guxoja të vija dorë për t’i provuar. Apo i provova?! Kush mund ta vërtetonte faktin kur nuk kishte një guidë në këtë muze? Jo përherë kamerat thonë të vërtetën apo jo? Gjithsesi, përtej shakasë, mendoj se në muzetë e këtyre niveleve, ka nevojë për guida qoftë të printuara, qoftë të sjella në formë ciceroni. Ato objekte historike kanë nevojë për marketing, jo për t’u shitur e blerë, por për t’u reklamuar e për të tërhequr turistët që shpesh herë hamendësojnë e googlojnë për të marrë ndonjë të dhënë rreth historisë që shohin e prekin.

Në fund të fundit, pavarësisht këtyre elementeve që me kohën besoj do përmirësohen, ne sërish do shkonim në Krujë, siç kemi bërë rregullisht. Jo vetëm për të realizuar një set fantastik fotografish që asnjë shkrepje aparati nuk shkon huq, por (mos mërziten tironcit) edhe për të shijuar tavën e dheut më të mirë se kudo…

Dhe…që të mos dukem e pakulturuar dhe të përcjell mesazhin e duhur, Krujën e dua për gjithë madhështinë, historinë e hijeshinë e saj.

Ajo është kurdoherë e bekuar!