Europa përulet përpara perandorit Trump
- Nga: Eric Margolis
Presidenti Donald Trump është shprehur se shumë nga takimet në samite janë humbje kohe. Dhe ka shumë të drejtë, sepse shumica e tyre janë një humbje kohe dhe energjie.
Presidenti sigurisht kishte të drejtë në lidhje me samitin e javës së kaluar të NATO-s në Bruksel. Së paku, ai e gjallëroi takimin duke folur hapur edhe një herë me aleatët e tij të NATO-s, të cilët nuk shpenzojnë mjaftueshëm për forcat e tyre ushtarake. Por qëllimi i vërtetë i Trumpit ishte që t’i tregonte botës se ai është shefi i çdo gjëje që vëzhgon.
Në një mënyrë të pakujdesshme, Trumpi u dha nga një mësim dhe qortoi krerët e NATO-s drejtpërdrejtë në TV. Ata morën njëlloj si nxënësit që nuk shkojnë në shkollë, vetëm paralajmërim me gojë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ish-kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg, i cili u caktua në detyrë nga SHBA, mërmëriti disa justifikime të çuditshme. Përkrahësit e Trumpit në SHBA u kënaqën duke parë se si evropianët e pafuqishëm morën një shuplakë të mirë.
Në favor të tij ishte dhe dalja në dritë e faktit se Gjermania, mburoja e NATO-s, kishte vetëm një numër të vogël luftëtarësh të frontit në shërbim (aktivë). Një raport tjetër pohoi se shumica e tankeve kryesore ishin jashtë shërbimit për shkak të shkurtimeve të buxhetit.
Presidenti bëri një deklaratë shumë të rëndësishme duke e konsideruar Vladimir Putin si një "konkurent" dhe jo një "armik". Kjo këndvështrim është përhapur në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës.
Por më vonë Trump e shfuqizoi këtë pikëpamje të ndjeshme duke deklaruar se Gjermania është 'e kontrolluar plotësisht' dhe e kapur 'rob' nga Rusia, sepse Gjermania tani blen deri në 70% të naftës dhe gazit prej tyre.
Në fakt, shumë gjermanë besojnë të kundërtën: se Gjermania është shteti vasal i Washingtonit dhe ende nën dominimin amerikan, shtatë dekada pas Luftës së Dytë Botërore.
Ata flasin për kontrollin amerikan mbi agjencitë e inteligjencës Gjermane, të politikave të jashtme dhe të mbrojtjes, marrëdhëniet me Izraelin dhe dërgimin e trupave për të mbështetur pushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.
Mbi 37 baza aktive Amerikane janë të shpërndara në të gjithë Gjermaninë veriore dhe Bavari. Rreth 35,000 trupa amerikane mbeten në Gjermani, në krahasim me numrin e përgjithshëm mbi 300,000 që ishte gjatë luftës së ftohtë. Bazat e rëndësishme ajrore gjermane përbëjnë thelbin e aftësisë së SHBA-së për të projektuar pushtetin në Evropën Lindore dhe në Lindjen e Mesme. SHBA ruan në heshtje armët bërthamore në Gjermani.
SHBA-ja ka dominuar mediat e gjera (dinjitoze) të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Shërbimet e Inteligjencës amerikane i kanë zgjedhur shpesh redaktorët dhe kolumnistët e tyre. Zyrtarët dhe politikanët gjermanë të të gjitha niveleve e kuptojnë ekzistencën e listës me ato se çfarë duhen bërë dhe çfarë jo, duke shmangur veprimet që do të irritonin Uashingtonin.
Ndikimi amerikan mbi Gjermaninë është kaq i përhapur saqë kur u zbulua se Agjencia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-se po përgjonte telefonin celular të kancelares Angela Merkel, qeveria gjermane reagoi ndaj këtij poshtërimi me modesti.
Donald Trump nuk e pëlqen znj. Merkel sepse ajo ka lejuar të hyjne refugjatët, në mënyrë të veçantë muslimanët, por ajo mbetet një nga aleatët më të devotshëm dhe besnikë të Amerikës. Është për të ardhur keq që as ajo dhe as shefi i NATO-s Stoltenberg nuk u ngritën të kundërshtonin Trumpin. Duke qëndruar si miu prapa poçes, përforcohet më tej pikëpamja mbizotëruese se anëtarët e NATO-s janë thjesht transportues të ujit për kalorësit bërthamorë amerikanë. Kjo përforcon faktin që Evropa ka nevojë për forcat e saj të bashkuara ushtarake.
Nëse Trump do të kishte njohuri mbi historinë, të cilën duket që nuk e kupton fare, ai do të dinte se Gjermania ka lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë që nga ditët e Perandoreshës Katerina e Madhe (1762-1796). Rusët gjithmonë kanë admiruar aftësitë teknike, efikasitetin dhe etikën e punës së Gjermanëve. Gjermania dhe Rusia janë partnerë tregtarë natyrorë falë afërsisë dhe bashkëpunimit.
Një nga frikërat shumëvjeçare të Amerikës ka qenë marrëveshja Gjermano-Ruse. Kjo ndodhi pas Paktit Molotov-Ribbentrop të vitit 1939, që bazohej në bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik. Në vitet e fundit, Gjermania ka zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme praninë e saj ekonomike në Rusi, më së shumti me tubacionin nënujor “Nord Stream 2” nën Baltik që sjell gazin natyror rus në Gjermani, duke shmangur vendet armike si Polonia dhe Ukraina.
Blerja e gazit rus e vë Gjermaninë nën sundimin rus, thotë Trump, ushtria e të cilit ka 800 baza në të gjithë globin dhe ushtarë nga Koreja e Jugut në Togo. Ndoshta një sasi e mjaftueshme ndikimi. Por fitimi kryesor i parave të Rusisë vjen nga eksportimi i naftës, gazit dhe mineraleve. Me përjashtim të kohës së luftës, nuk ka gjasa që Moska të mbyllë përsëri çezmat e tubacioneve të saj të naftës jetike.
Ky reagim i zhurmshëm mbi eksportet ruse të naftës është vepër e neokonservatorëve amerikanë që infektojnë administratën Trump dhe drejtojnë Fox TV. Ata duan të shohin Gjermaninë dhe Rusinë të gjunjëzohen dhe NATO-n t’i nënshtrohet Washingtonit.
Trump po endet në ujëra të thella dhe të errëta. Le të shpresojmë që ai të reagojë më mirë këtë javë në takimin e tij me Vlad Putin, duke menduar që këtë rradhë nuk do të jetë një humbje kohe.
Përktheu nga anglishtja: Ariola Mani












